EKSKLUZIVE/ Egnatia blen Ujkën për 120 mijë euro, zbulohen prapaskenat e transferimit të mesfushorit 26-vjeçar
Serxho Ujka është lojtari më i ri i Egnatias. Zgjidhet kështu përfundimisht situata me mesfushorin 26-vjeçar, që kishte mbetur jashtë skuadrës së Laçit në dy ndeshjet e para të kampionatit. Pas tre sezonesh ai është larguar nga kurbinasit dhe ka firmosur për 3 vjet me kampionët në fuqi të Shqipërisë.
Ujka ishte nën kontratë me Laçin, që sipas burimeve të “Panorama Sport”, ka përfituar 120 mijë euro nga kjo shitje. Egnatia ka kërkuar fort edhe portierin Mario Dajsinani nga skuadra laçiane, por kjo lëvizje mund të bëhet në fund të sezonit, kur kavajasit t’i përfundojë kontrata. Klubi rrogozhinas ka bërë njoftimin zyrtar në lidhje me këtë afrim të rëndësishëm, duke e shoqëruar postimin me foton e Ujkës në momentin e firmës me presidentin Agim Demrozi.
Një tjetër element me kualitet dhe me eksperiencë në Superiores i bashkohet Egnatias një ditë para mbylljes zyrtare të merkatos së verës. “Egnatia njofton se në ‘bordin e avionit të kampionëve’ ka firmosur një luftëtar i ri. Serxho Ujka ka firmosur për 3 sezone me klubin tonë. Ishte presidenti Agim Demrozi që plotësoi deri në fund të gjitha detajet e kësaj marrëveshjeje me Laçin”, shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit rrogozhinas për afrimin e mesfushorit Ujka.
I SHUMËKËRKUAR – Për shërbimet e Ujkës, i cili ka spikatur që te Bylisi dhe më pas te Laçi, nuk ishte në garë vetëm Egnatia, por edhe klube të tjera të Superiores, si Partizani dhe Dinamo. Ka fituar oferta e rrogozhinasve, që duket se ka kënaqur kërkesat ekonomike të presidentit të Laçit, Pashk Laska, por edhe vetë lojtarit. Egnatia kishte kohë që e kërkonte 26-vjeçarin, por kishte hasur në rezistencën e presidentit të kurbinasve.
U duk se kishte një avancim të Partizanit për mesfushorin lezhjan, por në momentet e fundit Egnatia ka bërë goditjen finale. Gazeta mëson se të kuqtë ofruan pagë 4 mijë euro në muaj për lojtarin, i cili nga ana e tij dëshironte Partizanin, por në fund vendosi Laçi. Egnatia ofroi 6 mijë euro në muaj për lojtarin. Kontrata me Ujkën është 3- vjeçare dhe ndoshta në një të ardhme jo të largët ai mund të shitet nga klubi kampion, që po bën mirë edhe në këtë drejtim. Me fanellën e Laçit mesfushori ka shënuar 12 gola, 5 nga të cilët sezonin e fundit. Në disa ndeshja ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te kurbinasit.
KONKURRENCA – Afrimi i Ujkës do të shtojë cilësinë në mesfushën e Egnatias, por njëkohësisht do të rritë edhe konkurrencën. Lezhjani në fakt është një lojtar që përshtatet mirë në çdo pozicion në mesfushë, si numër 6 dhe 8. Për të fituar një fanellë titullari, Ujka duhet të fitojë konkurrencën me Lushkjen ose Zejnullain, pasi Aleksi duket i palëvizshëm. Megjithatë, në një kampionat të gjatë ka vend për të gjithë dhe firma me ish-lojtarin e Laçit dhe Bylisit i jep më shumë garanci skuadrës së Tetovës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"