EKSKLUZIVE/ “Ekipet e kreut po munden nga ato për mbijetesë”, mesfushori i Elbasanit: Nuk shoh diferenca, jemi për “Final 4” (E PLOTË)
Një nga afrimet më të rëndësishme të Elbasanit në merkaton e verës ishte mesfushori Kristi Qose.
Ish-futbollisti i Kombëtares solli pjekuri dhe cilësi te verdheblutë dhe deri më tani ka qenë një ndër titullarët stabël në repartin e mesfushës. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” 29-vjeçari flet për aventurën me Elbasanin dhe futbollin shqiptar. Qose kërkon kualifikimin në kupë ndaj Teutës, ndërsa ka besim për vazhdimësi në kampionat, ku shpreson te revanshi ndaj Dinamos në fundjavë. Për një rikthim të mundshëm në Kombëtare nuk i ka humbur shpresat, por është i bindur se duhet të bëjë më të mirën me verdheblutë për të veshur sërish fanellën kuqezi.
Qose, si do ta komentonit fitoren e fundit me Teutën?
Ishte një fitore vërtet shumë e rëndësishme. Është mirë ta nisësh vitin me tri pikë, sepse i shërben skuadrës në aspektin moral, por mendoj se edhe në aspektin e lojës kemi bërë mirë në atë ndeshje. Shpresojmë që në çdo ndeshje në vazhdim të marrim rezultate pozitive.
Përballeni sërish me Teutën në mesjavë, por kësaj here në Kupe. Si e prisni këtë ndeshje?
Mendoj që çdo ndeshje është e ndryshme dhe ka historinë e saj, edhe pse bëhet fjalë për dy përballje shumë afër njëra-tjetrës me të njëjtin kundërshtar. Nga ana tjetër, besoj se edhe kundërshtari do të jetë më i përgatitur, por në fund shpresoj se do t’ia dalim. Kemi një skuadër, së cilës nuk i mungon kualiteti.
A e ka Elbasani objektiv edhe këtë kompeticion?
Patjetër që po. I kemi kualitetet për ta tentuar kupën. Çdo futbollist dëshiron ta fitojë një trofe dhe të luajë në Europë. Megjithatë, mendojmë për të kaluar këtë ndeshje së pari.
Një përshtypje për futbollin shqiptar, si ju duket në krahasim me ligat e tjera ku keni luajtur?
Të them të drejtën, më pëlqen futbolli shqiptar. Edhe sa i përket nivelit, nuk ka shumë diferenca. Ndoshta me kushtet mund të jetë pak më mbrapa, por po shoh që po bëhet goxha përparim edhe në këtë aspekt.
Në fundjavë luani me Dinamon, që ju ka mundur dy herë në kampionat. A ka ardhur momenti për fitore ndaj saj?
Po të kthehemi pas në kohë mund të them se asnjë nga djemtë nuk e priste atë humbje në fazën e dytë, por ja që ndodh ndonjëherë në futboll. Mendoj se ndeshja e radhës do të jetë ndryshe, edhe për faktin se ne kemi nisur një seri rezultatesh pozitive dhe kemi më shumë besim. Normalisht, do të jetë ndeshje e fortë dhe e bukur, por të shpresojmë për fitore.
Klubi synon që Elbasani të shkojë “Final 4”. Sa besim keni se do t’ia arrini qëllimit?
Nuk shoh shumë diferenca mes ekipeve. Kemi pasur mundësinë të fitojmë disa ndeshje, ku nuk kemi pasur fat. Ne po shohim që ekipet e kreut ndalen edhe nga ato që luajnë për mbijetesë, kështu që gjithçka mund të ndodhë. Ne synojmë të shkojmë në “Final 4”, janë edhe shumë pikë në lojë dhe kemi mundësi për të rikuperuar. Aq sa mundemi, synojnë gjithmonë më të mirën.
Sa e ka ndryshuar ekipin trajneri i ri, sepse tashmë Elbasani po merr rezultate?
Çdo ndryshim sjell një tjetër moral, diçka të re. Na ka dhënë shumë besim dhe fakti që e njeh mirë kampionatin është diçka pozitive. Edhe në stërvitje ka sjellë diçka ndryshe, duke iu përshtatur edhe vetë futbollistëve, duke e bërë më tërheqëse atë.
Si një ish-lojtar i Kombëtares, shpresoni të riktheheni me fanellën kuqezi?
Nuk ka lojtar që nuk dëshiron të luajë për Kombëtaren dhe për aq kohë sa do luajë futboll, e ka si synim. Megjithatë, në këtë moment unë shoh punën që po bëj me klubin e Elbasanit, ku dua të jap maksimumin. Nëse bëj paraqitje të mira dhe ekipi ecën përpara dhe nëse do të vinte ftesa, do ta mirëprisja.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"