EKSKLUZIVE/ “Ekipi ka diferencë me rivalët, spikasin individët. Kreshnik Çipi: Flamurtari i fortë, u bë merkato nga… ustallarë
Kreshnik Çipi mendon se Flamurtari i këtij sezoni është më i forti se çdo sezon tjetër, të paktën në Kategorinë e Parë. Për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i shquar vlonjat vlerëson maksimalisht merkaton që ka bërë klubi, duke u dhënë meritë drejtuesve. “Flamurtari i këtij sezoni është krejt ndryshe nga ai i një viti në parë.
Edhe vjet kemi patur një nisje të tillë shumë të mirë, deri në periudhën që u bën ndeshjet ndërkombëtare dhe pastaj çuditërisht pati një rënie që nuk u riparua kurrë deri në fund. Këtë vit, e rëndësishme është se kanë bërë një merkato nga ustallarë. Ardhja e Pollozhanit që ndërtoi ekipin së bashku me drejtuesit e Flamurtarit, ku në lojë u fut edhe djali i presidentit. Ensari është shumë i lidhur me futbollin, e njeh mirë dhe ka qenë një futbollist i talentuar. Nuk e kuptoj pse u largua nga futbolli, por ai e ka me pasion. Bashkëpunimi i tyre ka sjellë vërtetë lojtarë kualitativë në skuadër. Flamurtari ka diferencë nga skuadrat e tjera nga individët që ka.
Trashi ka qenë mbrojtës i majtë i Kombëtares, apo Alla e Murataj. Pra janë shumë… Sigurisht, trajneri Andrea Agostineli është personazh i njohur në tregun shqiptar të futbollit. Na trembi pak ndeshja e parë me Burrelin. Kur shikoj ndeshjet në vijim, nuk e di çfarë ngërçi e kapi atë ditë skuadrën. Lojtarët që kanë ardhur nga ekipi i Ballkanit janë shumë të mirë si elementë. Pjesa tjetër janë shqiptarë dhe janë shumë të mirë. Shkurtaj, Oshafi, portieri Frashëri janë gjithashtu shumë të mirë”, u shpreh fillimisht Çipi për “Panorama Sport”.
SUPERIORJA- Kreshnik Çipi ka bindjen se Flamurtari ngjitet në Superiore, nëse do të ketë këtë ecuri. “Duhet të bëjmë gjithmonë hesapin që të futemi në lojë vetëm për të fituar. Flamurtari ka qenë i grumbulluar në Pogradec. Ndryshimi, nga ndeshja e parë ku humbën me Burrelin me takimet e tjera, është 100% i mënyrës se si ata interpretojnë lojën në fushë. E rëndësishme është që vazhdimi është shumë i mirë. Nëse vazhdojmë kështu jemi pretendentët kryesor për tu ngjitur në Superiore”, vijoi ish-kapiteni vlonjat.
AKADEMIA- Çipi e ka edhe një këshillë. Ai thotë se duhet të hidhen sytë nga akademia, që është e ardhmja. “Ne duhet të mendojmë për të ardhmen që është akademia. Në Vlorë kemi patur sportistë të njohur. Duhet të diferencojmë se kush është fëmija që ka të ardhme në sport. Sa i përket ekipit të parë, duhet të mendojnë në janar për skuadrën shtatorit”, përfundoi Çipi.
Vlonjatët
Trashi, mungesë e sigurt në Burrel
Të dielën, Flamurtari do të luajë sërish në transfertë, ku fazën e dytë e nisin me Burrelin. Matjanët mbeten ekipi i vetëm që i kanë mundur kuqezinjtë përgjatë fazës së parë. Për këtë ndeshje Trajneri Andrea Agostineli do të ketë një mungesë të sigurt, pa llogaritur të mbarturit nga dëmtimet. Lorenc Trashi nuk do të udhëtojë me skuadrën për shkak të kartonit të kuq që mori në ndeshjen e fundit me Besën. Shpresohet te rikuperimi i Bathës, pasi ka pasur kontraktim në pulpë dhe nuk është aktivizuar në dy sfidat e fundit. Ndërkohë që Beqja këtë javë pritet t’i bashkohet grupit, pasi është stërvitur i diferencuar nga dëmtimi i muskulit të kuadriceps.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"