EKSKLUZIVE/ Elbasani-Tirana ndez Superioren, Hila: I mundim për tifozët, nuk është sfidë personale… (E PLOTË)
Elbasani sfidon sot Tiranën në “El basan Arena” në një duel që verdheblutë duan ta fitojnë me patjetër. Së pari, për veten e tyre dhe pikët që i nevojiten në këto momente. Së dyti, për tifozët, duke ditur rëndësinë që ka për ta një fitore ndaj bardhebluve.Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, flet ish-i i Tiranës, Ardit Hila, i cili ka besim se ka ardhur koha e kthesës për Elbasanin pas gjashtë javësh pa fitore. Diplomat në përgjigje, elbasanasi nuk ka aspak një sfidë personale me ish-skuadrën e tij, por thjesht kërkon maksimumin me verdheblutë. 31-vjeçari i sheh normale luhatjet në kampionat, pasi të gjitha kanë pasur, por kërkon edhe pak fatin me episodet në favor për të dalë me fitore.
Hila, si e prisni ndeshjen me Tiranën?
Është një ndeshje e rëndësishme për ne në këtë moment ku ndodhemi, ku kemi nevojë për pikët. Kemi pasur pak më shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur dhe kam besim se gjithçka do të shkojë mirë dhe në fund të dalim nga fusha me tri pikët.
Personalisht luani ndaj ish-skuadrës tuaj, me të cilën nuk u ndatë mirë vitin e kaluar, e shihni edhe si një sfidë personale?
Jo, jo. Nuk kam parë ndonjëherë sfida personale, për më tepër në futboll që është lojë kolektive. Nëse do të bëhej fjalë për tenis edhe mund të flitej për sfidë personale. Përballë luan Elbasani me Tiranën dhe jo Hila me Tiranën. Me skuadrën time ku bëj pjesë do jap maksimumin për të fituar.
Elbasani nuk fiton prej gjashtë ndeshjesh, jeni nën presion për të marrë fitoren?
Presioni është në çdo ndeshje në futboll. Edhe nëse do të vinim pas gjashtë fitoresh do të kishim presion për të vazhduar me ecurinë pozitive. Ne duam të fitojmë për të arritur objektivat tona. Kemi bërë disa gabime rrugës, por që normalisht duam t’i lëmë pas ato.
Për tifozët është e veçantë sfida me Tiranën, e keni detyrim për t’i kënaqur?
Ne duam t’i kënaqim tifozët në çdo ndeshje, sepse në fund të fundit futbolli për ta luhet. Unë i falënderoj që nuk na kanë braktisur edhe kur nuk kemi luajtur mirë dhe marrë rezultatin. Me Tiranën luajmë sigurisht për të fituar edhe për ta, sepse ashtu si ne, edhe ata kanë kohë që e presin një fitore. Do të përpiqemi dhe do të japim maksimumin t’ua shpërblejmë ashtu si duhet.
Një kampionat me shumë luhatje në rezultate, pse i ka ndodhur kjo gjë Elbasanit?
Me një ekip të sapo ngjitur dhe me shumë ndryshime priteshin luhatjet. Por, nuk është vetëm Elbasani në këto pozita, sepse po t’i hedhësh një sy skuadrave, të gjitha kanë pasur luhatje. E rëndësishme është që të reagosh pas çdo situate dhe ne i kemi mundësitë dhe kapacitetet për ta bërë këtë.
Çfarë duhet të bëjë më shumë skuadra për të mos hedhur më hapa falsë?
Nuk është se ka ndonjë formulë magjike në futboll për të evituar gabimet. Ne thjesht duhet të japim maksimumin tonë në çdo ndeshje dhe të shfrytëzojmë mirë çdo mundësi që të vjen gjatë lojës. Duhet edhe fati, sepse deri më tani shumë situata i kemi pasur kundër dhe dihet që futbolli shpesh herë vendoset nga episodet.
Personalisht jeni i kënaqur me atë që keni dhënë apo prisni ende më shumë nga vetja?
Unë asnjëherë nuk kënaqem nga vetja dhe pres gjithnjë më shumë. Përpiqem të bëj më të mirën time sa herë hyj në fushë dhe ta vë atë në shërbim të skuadrës.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"