Ernest Gjoka paralajmëron Bylisin: Ka ardhur momenti të flasim në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2024 | 8:44

Ernest Gjoka paralajmëron Bylisin: Ka ardhur momenti të flasim në fushë

Skënderbeu luan sot një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.gjokaPërballë një kundërshtari direkt siç është Bylisi, korçarët do të kërkojnë që në shtëpinë e tyre të rikthehen tek fitorja duke lënë kështu vendin e fundit në renditje. Edhe pse duket se është “treni i fundit” për të mbajtur gjatë shpresat për mbijetesë, për trajnerin Ernest Gjoka e rëndësishme është që ekipi i tij të luajë futboll me kokë dhe të tregojë cilësitë që ka grupi në fushën e lojës. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës korçare flet për situatën momentale të ekipit dhe për rëndësinë e këtij takimi.

Gjoka, Skënderbeu pret Bylisin në një ndeshje direkte për mbijetesë. Sa i vështirë është ky takim?

Është një ndeshje direkte ndaj një kundërshtari direkt që ndodhet sipër nesh në renditje, ndaj edhe për këtë është takim shumë i rëndësishëm. Jemi të vetëdijshëm që nuk kemi një ecuri të mirë dhe kërkojmë që të dalim nga kjo situatë ku ndodhemi. Ndaj për këtë arsye duhet që nesër të lemë pas çdo ecuri jo pozitive dhe të përqendrohemi tek ndeshja e radhës që kemi për të luajtur.

Tetë ndeshje pa fitore a janë shumë për të ngarkuar ekipin psikologjikisht?

Padiskutim që ecuria e javëve të fundit nuk ka qenë e mirë ndaj edhe për këtë kanë ardhur këto ndryshime. Janë rezultate që nuk i shkojnë përshtat ambicieve të këtij klubi. Normalisht presioni në futboll është gjithmonë i pranishëm në çdo situatë. Ne duhet të dimë ta menaxhojmë atë. Për këtë aspekt kemi punuar gjatë kësaj kohe dhe mendoj se ka ardhur momenti që të flasim në fushë dhe të tregojmë se jemi mirë dhe mund të kalojmë këtë moment negativ.

A është ky treni i fundit për Skënderbeun?

Nuk dua të shkoj te kjo pjesë. Është një situatë e vështirë, pasi ky klub ka ambiciet e veta dhe mbi të gjitha ka lënë gjurmë në futbollin shqiptar ndaj ky pozicion nuk është i mirë për asnjë. Ne do të shohim ndeshje pas ndeshjeje situatën tonë dhe do të mundohemi që të marrim më të mirën nga çdo takim.

Si shkon Skënderbeu në këtë takim të së dielës?

Tashmë dihet që kemi dy mungesa të sigurta veç lojtarëve të tjerë. Bëhet fjalë për Dokën që u ndëshkua me kartonin e kuq në ndeshjen e fundit dhe do të jetë një mungesë e rëndësishme për ne, pasi cilësitë dhe eksperienca e Dokës janë shumë të rëndësishme si dhe mungesa e Prençit. Kapiteni është kthyer nga një dëmtim dhe nuk është ende gati për këtë ndeshje.

Në dy javë në krye të Skënderbeut të ngarkuara me ndeshje, a ke pasur mundësi të ndryshosh diçka në këtë ekip apo gjithçka do të punohet në fazën përgatitore të janarit?

Në fakt kemi punuar për të ndryshuar gjëra të vogla që mua më janë dukur si të realizueshme në këto ditë që jam në krye të ekipit. Më pas do të shohim hap pas hapi se çfarë mund të përmirësojmë apo të ndryshojmë. Sa i përket ndryshimeve jeni ju gazetarët dhe kolegët e mi specialistë që vlerësojnë se si është punuar.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"