EKSKLUZIVE/ Federata e Sportit Shkollor akuzon: Zv.ministri është i korruptuar, ushtar i KOKSH në Ministri
Mënjanimi nga projekti “Ekipet Sportive në Shkolla” ka sjellë një tjetër reagim të fortë nga Federata Shqiptare e Sportit Shkollor.E drejtuar nga Rauf Dimraj dhe me sekretar të përgjithshëm, Viktor Gjonin, kjo federatë vijon betejën për të drejtën e saj për organizimin e sportit në shkolla. Me anë të një deklaratë për “Panorama Sport”, FShSSh, shënjestron zv.ministrin e Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxhën, duke e akuzuar këtë të fundit për një sërë shkeljesh, që nga krimi sportiv, deri te korrupsioni.
“Endrit Hoxha, shkaktar krimi i shëndetit, kulturës sportive të nxënësve dhe ekonomisë në Shqipëri”, kështu nis deklarata e Sportit Shkollor, ndërsa më tej vijon: “Vendimet e qeverisë shqiptare në vitet e fundit kanë synuar zhvillimin e sportit dhe shëndetit të nxënësve, përfshirë një financim të jashtëzakonshëm prej 12.5 milionë dollarësh për projektin ‘Ekipet Sportive në Shkolla’. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme, duke e vendosur Shqipërinë në një pozitë të avancuar në raport me shumë vende të Ballkanit dhe Evropës. Megjithatë, mënyra e zbatimit të këtij projekti ngreh shqetësime serioze për zbatimin e këtij projekti nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), në shkelje të drejtpërdrejt të Ligjit 79/2017, ‘Për Sportin’, i ndryshuar, vetë statutin e KOKSH dhe Kartën Olimpike, të gjitha këto shkelje të favorizuara dhe sponsorizuara nga shkatërrimtari i sistemit sportiv shqiptar, zv. Ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha”.
KORRUPSIONI DHE PËRJASHTIMI
FShSSh më tej i përshkallëzon akuzat për korrupsion, duke i lidhur ato edhe me përjashtimin e kësaj federate: “Korrupsioni i Endrit Hoxhës dhe përjashtimi i Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor. FShSSh, e njohur për ekspertizën e saj shkencore dhe praktike, u përjashtua nga ky projekt madhor. Kjo ndodhi pavarësisht rolit historik të FShSSh në zhvillimin e shëndetit të nxënësve dhe kontributit të saj në përmbysjen e obezitetit tek nxënësit, ngritjen e standardeve sportive dhe kualifikimin e mësuesve të edukimit fizik. Përkundër kësaj dhe kuadrit ligjor në fuqi, KOKSH, një institucion pa përvojën dhe kapacitetin e nevojshëm për këtë fushë, mori drejtimin e projektit nëpërmjet ushtarit të saj, zv. ministrit Hoxha, i cili e mbështeti këtë farsë, duke shkelur ligje, marrëveshje dhe standarde të miratuara më parë. Ky veprim, përveçse një konflikt interesi, është një shpërdorim i pastër i fondeve publike, që nuk janë parë më parë në sport”.
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"