EKSKLUZIVE/ Federata e Sportit Shkollor akuzon: Zv.ministri është i korruptuar, ushtar i KOKSH në Ministri (E PLOTË)
Mënjanimi nga projekti “Ekipet Sportive në Shkolla” ka sjellë një tjetër reagim të fortë nga Federata Shqiptare e Sportit Shkollor.E drejtuar nga Rauf Dimraj dhe me sekretar të përgjithshëm, Viktor Gjonin, kjo federatë vijon betejën për të drejtën e saj për organizimin e sportit në shkolla. Me anë të një deklaratë për “Panorama Sport”, FShSSh, shënjestron zv.ministrin e Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxhën, duke e akuzuar këtë të fundit për një sërë shkeljesh, që nga krimi sportiv, deri te korrupsioni.
“Endrit Hoxha, shkaktar krimi i shëndetit, kulturës sportive të nxënësve dhe ekonomisë në Shqipëri”, kështu nis deklarata e Sportit Shkollor, ndërsa më tej vijon: “Vendimet e qeverisë shqiptare në vitet e fundit kanë synuar zhvillimin e sportit dhe shëndetit të nxënësve, përfshirë një financim të jashtëzakonshëm prej 12.5 milionë dollarësh për projektin ‘Ekipet Sportive në Shkolla’. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme, duke e vendosur Shqipërinë në një pozitë të avancuar në raport me shumë vende të Ballkanit dhe Evropës. Megjithatë, mënyra e zbatimit të këtij projekti ngreh shqetësime serioze për zbatimin e këtij projekti nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), në shkelje të drejtpërdrejt të Ligjit 79/2017, ‘Për Sportin’, i ndryshuar, vetë statutin e KOKSH dhe Kartën Olimpike, të gjitha këto shkelje të favorizuara dhe sponsorizuara nga shkatërrimtari i sistemit sportiv shqiptar, zv. Ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha”.
KORRUPSIONI DHE PËRJASHTIMI
FShSSh më tej i përshkallëzon akuzat për korrupsion, duke i lidhur ato edhe me përjashtimin e kësaj federate: “Korrupsioni i Endrit Hoxhës dhe përjashtimi i Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor. FShSSh, e njohur për ekspertizën e saj shkencore dhe praktike, u përjashtua nga ky projekt madhor. Kjo ndodhi pavarësisht rolit historik të FShSSh në zhvillimin e shëndetit të nxënësve dhe kontributit të saj në përmbysjen e obezitetit tek nxënësit, ngritjen e standardeve sportive dhe kualifikimin e mësuesve të edukimit fizik. Përkundër kësaj dhe kuadrit ligjor në fuqi, KOKSH, një institucion pa përvojën dhe kapacitetin e nevojshëm për këtë fushë, mori drejtimin e projektit nëpërmjet ushtarit të saj, zv. ministrit Hoxha, i cili e mbështeti këtë farsë, duke shkelur ligje, marrëveshje dhe standarde të miratuara më parë. Ky veprim, përveçse një konflikt interesi, është një shpërdorim i pastër i fondeve publike, që nuk janë parë më parë në sport”.
SHËNDETI DHE TRANSPARENCA
Dy probleme të tjera, të ngritura nga FShSSh janë shqetësimi për shëndetin e nxënësve për shkak të njerëzve të pakualifikuar që po zhvillojnë projektin “Ekipet Sportive”, si dhe mungesa e transparencës: “Mungesa e një platforme shkencore dhe metodologjie të mirë-përcaktuar, mungesa e ekspertizës dhe strukturës, si dhe analfabetizmi human nga zv.ministri Hoxha dhe KOKSH ka prodhuar rezultate të dala boje, që shoqërohen me slogane të një kohe të perënduar. Pretendimi se 10,000 nxënës janë përfshirë në aktivitete sportive, ndërkohë që nuk ka asnjë raport, asnjë provë për realizimin dhe zbatimin, apo ndikimin e projektit ‘Ekipet Sportive në Shkolla’, si dhe as raporte për administrimin e fondeve, ka prodhuar arritje me përmasa kozmologjike që dielli dhe jupiteri i kanë zili”.
PASOJAT PËR SPORTIN DHE EKONOMINË
“Vendimet e zv. ministrit Hoxha kanë ndikuar negativisht jo vetëm në shëndetin e nxënësve, por edhe në ekonominë dhe imazhin e Shqipërisë. Potenciali për të zhvilluar kampionë olimpikë dhe për të rritur mirëqenien kombëtare është penguar nga vendime të pabazuara në shkencë dhe ekspertizë. Modeli i FShSSh-së, që garantonte një kthim social prej 124-euro për çdo 1 euro të investuar, është injoruar në favor të një qasjeje korruptive dhe nepotike. Asnjë tjetër Shtet nuk do mund ta imagjinojë që do ekzistojë ndonjëherë tjetër Komitet Olimpik në Botë, që të ketë guximin e zv.ministrit Hoxha e të KOKSH, se me 12,5000,000 dollarë paskan aktivizuar 10,000 nxënës në Korrik, dhe menjëherë pas kthimit të delegacionit shqiptar nga Paris 2024, shifra e nxënësve të aktivizuar shkoi 12,000. Po këto 2000 shtesë nga Parisi i sollën? Fakti është që projekti nuk ekziston as në letër, zv. ministri Hoxha apo MAS nuk kanë asnjë raport, rezultat apo indikatorë se çfarë bëhet sot me nxënësit”, vijon deklarata e Sportit Shkollor.KORRUPSIONI NË SPORT
“I pafund korrupsioni i zv.ministrit Hoxha Për të ‘favorizuar’ KOKSH-in për interesa personale. Ky politikan, që e filloi drejtimin e Sportit në Shqipëri pa pasur kualifikimin e domosdoshëm të arsimit të lartë, rast unik në shtete europiane, tashmë po këmbëngul të miratojë projektligjin që i heq të drejta FShSSh për t’ia dhuruar KOKSH-it, pa pyetur aspak se vepron kundër interesit të Qeverisë Shqiptare dhe kundër kërkesave të Europës. Nuk mund të themi kush ishte ‘personi’ e mbi ç’baza u bazua kur propozoi emërimin e z. Hoxha në postin më të lartë për zhvillimin e sportit shkollor në Shqipëri, por mund të themi që: ‘Dikur KOKSH ishte simboli për sportin shqiptar, por gradualisht u dallua që arriti majat e dopingut në Botë, dhe marrëdhënia z. Hoxha dhe KOKSH-it aktual, falë analfabetizmit human, ligjor, profesional, shkencor e mos bashkëpunimit, dëmtuan rëndë shëndetin, kulturën fiziko-lëvizore të nxënësve, Parimet e Kartës Olimpike, Statutin e KOKSH dhe kryen abuzime me financat dhe besimin e Qeverisë”, përshkallëzon akuzat e saj federata.
APEL PËR NDRYSHIM
FShSSh e mbyll deklaratën me një thirrje ndaj shtetit: “Qeveria shqiptare ka një mundësi të artë për të rikthyer drejtësinë dhe për të garantuar që projektet e sportit shkollor të drejtohen nga institucione me ekspertizë dhe integritet. Federata Shqiptare e Sportit Shkollor duhet të jetë në qendër të këtij zhvillimi, në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Këshillit të Ministrave dhe FSHSSH ‘Për Krijimin e Kushteve dhe Garantimin e Sportit Cilësor në Shkollë’, duke ofruar transparencë dhe rezultate të prekshme dhe reale për shëndetin, kulturën sportive dhe ekonominë kombëtare. Nëse kjo situatë nuk korrigjohet, jo vetëm nxënësit shqiptarë, por edhe e ardhmja sportive e vendit do të jenë në rrezik”, mbyllet kështu deklarata e Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"