EKSKLUZIVE/ Festoi ndeshjen e 100-të me Vllazninë si kryesues, Balaj: U surprizova, i dyfishoj
Takimi kundër Bylisit do të mbahet mend gjatë nga kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj.Kjo jo për fitoren e arritur dhe golin e shënuar, por pasi takimi i së dielës ishte i 100-ti i tij me fanellën kuqeblu. Në një intervistë për “Panorama Sport” ka shprehur emocionet e kësaj surprize të bërë nga golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me fanellën kuqeblu, zëvendëstrajneri i tij, Vioresin Sinani, por edhe për objektivat personale dhe lidhjen që ka me klubin kuqeblu.
Ndeshja me Bylisin qe e veçantë për ju, e 100-ta me ngjyrat kuqeblu. Çfarë ndjesie përjetuat?
Ishte një surprizë për mua kur trajneri im, Vioresin Sinani, më solli atë fanellë të personalizuar. Të them të drejtën nuk e kisha llogaritur me hollësi sesa ndeshje kisha bërë me Vllazninë, pasi eksperiencat i kam pasur të shkëputura në kohë të ndryshme. Ishte diçka shumë e bukur ajo që më ngjau për vetë faktin se arrita të bëj një gjë të tillë me ekipin ku u rrita dhe më dha gjithçka. Tani mbetet t’ia shpërblej me lojëra të mira dhe me sa më shumë gola, të shpresojmë edhe me trofe. Sa i përket golit, është gjithnjë kënaqësi për një sulmues që të shënojë edhe për me tepër në ndeshje të tilla.
Deri ku do të mbërrijë kjo shifër e ndeshjeve të luajtura me fanellën kuqeblu?
Të kap 200-shen njëherë e më pas i marrim gjërat me radhë.
Ishte e merituar nga ana juaj fitorja kundër Bylisit?
Mendoj se e merituam plotësisht. Bëmë një pjesë të parë me volum, Bylisi s’na rrezikoi asnjë herë. Kishim raste dhe duhej t’i shfrytëzonim në maksimum. Vetë rezultati 2-0 tregon se e merituam. Ata mund të qajnë penalltinë, por edhe ajo është pjesë e lojës. Na kënaqi trepikëshi, për më tepër me një ekip ndaj të cilit nuk kishim asnjë alternativë tjetër.
Do të ishte sezoni perfekt nëse në përfundim Vllaznia do të shpallej kampion dhe ju do të fitonit “Këpucën e Artë”?
Është ende shumë herët për të folur për këto objektiva. Dëshira është e madhe, por aktualisht ka më shumë rëndësi fitorja e tretë rresht. Të vazhdojmë me këto rezultate dhe për të tjerat ka kohë.
I kënaqur me kroset që po vijnë drejt jush në këtë sezon, po shërbeheni sa duhet?
Sa ma shumë raste të krijojmë, është më mirë për Balajn dhe ekipin. Rastet e golat na japin pikët në fund.
Kujt ia dedikon numrin jubilar të 100 ndeshjeve me Vllazninë?
Si gjithmonë për “babën tem”. Për familjen time e padyshim edhe për shokët e ekipit dhe tifozërinë e zjarrtë.
ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"