EKSKLUZIVE/ “Formula e Superiores është për futboll inferior”, Milori “skanon” derbin e së shtunës: Dinamo favorite, ekip më modern se Partizani (E PLOTË)
Derbi me Partizanin po pritet më shumë interes në kampin dinamovit dhe në gjithë opinionin futbolldashës. Jo vetëm se ndeshen dy skuadrat kryesuese, por edhe për faktin se shihet si një sprovë për Dinamon, që tashmë vlerësohet si një kandidate e fortë për titullin kampion.Këtë vlerësim ka edhe ish-sulmuesi i bluve, Arben Milori, me një të kaluar edhe te Partizani. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai rendit disa arsye pse blutë nisen favoritë në sfidën e së shtunës. Për Milorin, Dinamo luan një futboll më modern se Partizani.
Milori, luhet këtë javë derbi Partizani-Dinamo, dy skuadrat që kryesojnë renditjen e Superiores. Si e parashikon këtë ndeshje?
Unë mendoj se Dinamo vjen më mirë në këtë derbi, më solide në nivelin e lojës. E shoh favorite për këtë ndeshje, edhe pse thuhet se derbit janë gjithmonë 50 me 50, pavarësisht momentit dhe gjendjes që kanë dy skuadrat. Kjo është ajo që mund të shihet nga jashtë, pastaj janë edhe llogaritë që bën secila skuadër për këtë ndeshje, për të mos e humbur atë.
E bën favorite Dinamon edhe fakti se nga Partizani janë larguar disa titullarë?
Po, ndikon edhe ky fakt, sepse me sa di, bëhet fjalë për katër lojtarë dhe nuk janë pak. Ata që kanë ikur ndoshta nuk kanë qenë të një niveli të jashtëzakonshëm, por kanë qenë lojtarë të rëndësishëm për Partizanin, luanin aty prej kohësh. Megjithatë, Dinamon nuk e shoh favorite thjesht për faktin se nga Partizani ka pasur largime. Më ka pëlqyer edhe fakti që ka përballuar me sukses disa ndeshje, ku ka pasur mungesa.
Duke i parë në nivelin teknik dy skuadrat, ku kanë diferenca mes tyre?
Kur thashë që Dinamon e shoh favorite, i referohem nivelit të lojës që ajo ka pasur në vazhdimësi të kampionatit dhe që i kanë dhënë rezultatet që kemi parë. Për mendimin tim, Dinamo është një skuadër futbolli më moderne se Partizani, falë punës së mirë që ka bërë stafi teknik. Është një skuadër me një manovër të konsoliduar tashmë, që preson lart dhe ka një qarkullim të mirë të topit. Po flas për një qarkullim me një ide të qartë loje, jo një qarkullim shterpë gjatë ndeshjes.
Dinamo ka disa rrugëdalje për të shkuar në sulm dhe ka kreativitet si skuadër, çka sjell golat dhe pikët. Në këtë drejtim mendoj se Dinamo është përpara Partizanit, por në futboll asnjëherë nuk i dihet, sidomos në ndeshjet derbi, ku çdo ekip jep gjithçka nga vetja dhe ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si dëmtime, mungesa episode.
Cili mund të jetë ndonjë lojtar i dy skuadrave që mund të bëjë diferencën?
Të jem i sinqertës, nuk është se i kam ndjekur me aq vëmendje të gjithë lojtarët, por do të thosha se Zabërgja i Dinamos është nga ata që bëjnë diferencën. Një lojtar mjaft interesant, që gjatë këtij kampionati ka pasur vazhdimësi, e ka ndihmuar shumë skuadrën me lojën dhe golat që ka shënuar. Është edhe Dejvi Bregu, një lojtar teknik.
A mund të jetë ky sezoni që do të sillte titullin e 19-të në histori për Dinamon?
Uroj që po! Do të pëlqente shumë, nëse do të ndodhte kështu. Sepse, duke gjykuar nga ajo çfarë kanë dhënë të gjitha skuadrat deri në këtë pikë, Dinamo e meriton për të gjitha arsyet që fola më lart. Luan futbollin më të mirë.
Por me formulën aktuale të Superiores asgjë nuk është e sigurt në fund. Ju si e gjykoni këtë format?
Nuk më duket e përshtatshme kjo formulë, ku titulli përcaktohet me “Play off”. Këto formula aplikohen në futbollin inferior në Gjermani, Austri apo Holandë e ndonjë vend tjetër. Në Shqipëri nuk shkon, sepse mund të të hedhë dëm gjithë mundin e sezonit.
Dy ndeshje janë ato në fund, ku një skuadër që mund të ketë bërë një kampionat goxha më të dobët se vendi i parë që ka dominuar gjithë kohën, vjen dhe të merr titullin. Ndodh gjithçka në një ndeshje teke. Pretendimet për zgjedhjen e kësaj skeme kanë rënë poshtë, e kemi parë që nuk ka ndikuar aspak për rritjen e numrit të tifozëve. Përkundrazi, mund të ketë pasur më pak. Nuk shtohen tifozët, nëse Dinamo luan në Elbasan dhe Tirana në Lushnjë, Vlorë apo Durrës. Jam kundër kësaj formule
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"