EKSKLUZIVE/ “Futbollistët vendas nuk pranonin Tiranën”, Shkëmbi largohet me pengje: S’pata kohën e premtuar, me presidentin kishim një pakt që… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2024 | 22:31

EKSKLUZIVE/ “Futbollistët vendas nuk pranonin Tiranën”, Shkëmbi largohet me pengje: S’pata kohën e premtuar, me presidentin kishim një pakt që… (E PLOTË)

Bledi Shkëmbi largohet nga Tirana me kokën pas. Me pengje për atë që nuk bëri dot, por edhe me një prerje në besë nëse e quajmë kështu, të marrëveshjes së thyer nga drejtuesit e Tiranës. Ish-kapiteni legjendar i Skënderbeut, por edhe një nga lojtarët e kombëtares, prej vitesh trajner, dje u shkarkua nga drejtuesit e Tiranës.

bledi shkembi

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, trajneri i sapo larguar analizoi ngjarjet e fundit dhe zbuloi se me presidentin Refik Halili kishte bërë një pakt.

Korçari do ta mbante ekipin deri në dhjetor dhe më pas do të diskutohej e ardhmja. Shkëmbi deklaroi se kjo skuadër do të bindë më vonë, por atij nuk iu dha koha e mjaftueshme për ta bërë të suksesshme. Trajneri pranoi se ai dhe Ibrahimi e dinë mirë sesi ekipi u ndërtua gjatë verës ku asnjë nuk donte të firmoste me bardheblutë.

Shkëmbi mund të themi se përfundimisht ju e keni mbyllur bashkëpunimin me Tiranën. Përse erdhi ky vendim?

Bashkëpunimi im me Tiranën u mbyll. Ishte vendimi i presidentit për shkarkimin. Me të drejtë apo pa të drejtë unë nuk dua ta komentoj. Patjetër që te pjesa e pikëve, presidenti ka të drejtë, por duke analizuar të gjitha gjërat dhe vështirësitë, them se kemi bërë super, super maksimumin e mundshëm, mbi ato mundësi apo kushte që kishim.

Duke lënë mënjanë arsyet e shkarkimit, në fund të kësaj aventure cilat janë pengjet e Bledi Shkëmbit?

Pengu im janë disa ndeshje, ku ne kemi bërë shumë mirë dhe nuk kemi pasur fatin me vete. Apo edhe në ndonjë gabim të arbitrave, prej të cilit nuk kemi marrë pikët maksimale. Vetëm ky është pengu që kam për këtë aventurë

Në drejtimin e Tiranës do të kishte dashur disa lojtarë cilësorë dhe ndoshta gjërat tani do të ishin më ndryshe?

Patjetër, që unë si trajner do të doja edhe ndonjë lojtar më shumë. Ju duhet të dini edhe kohën që kishim në dispozicion për ndërtimin e ekipit. Bërja e kësaj skuadre nga zero, madje me mundësitë që kishim ishte e vështirë. Dhe them se kemi bërë maksimumin. Ne donim lojtarë shqiptarë, por shumë futbollistë vendës nuk kanë pranuar të vinë te Tirana. Dhe kjo për shumë arsye, disa të cilat edhe ju i dini. Disa lojtarë nuk pranonin të vinin dhe ky ishte problemi më i madh.

Problemet besoj se do t’i mbash për vete dhe nuk do t’i thuash publikisht?

Do t’i them, pasi klubi kërkon të justifikojë punën e tij, duke më hequr mua. Unë nuk të flas që t’i dal kundër klubit, por të them ato vështirësi që ne kishim dhe faji nuk mund të jetë vetëm i trajnerit dhe i lojtarëve, por duhet të bëhet një analizë e plotë.

Cilat janë vështirësitë që ke hasur?

T’i më pyete nëse do të kisha dashur më shumë lojtarë, nga ana tjetër kur nisëm ndërtimin e ekipit, ne menduam lojtarë dhe emra të tjerë, të cilët nuk pranuan të vinin. Edhe nga klubi u bë një buxhet i caktuar që do të ishte “x” dhe ne nuk duhet ta kalonim, duke iu përshtatur të gjithë, si unë dhe drejtori. Vazhdoj të mendoj se kjo skuadër është goxha e mirë, me lojtarë shumë të mirë. Me futbollistë me të ardhme dhe në treg do të vlejnë shumë më shumë në të ardhmen sesa tani. Kjo është kryesorja.

Siç e shtroni ju situatën, kuptoj se Bledi Shkëmbi do të kishte dashur më shumë kohë në dispozicion?

Realisht doja më shumë kohë të punoja. Kishim bërë një marrëveshje me presidentin Halili që në dhjetor do të uleshim për të parë si po shkonte situata. Çfarë duhej dhe duke marrë gjithashtu edhe unë përgjegjësitë e mia. Marrëveshja ishte që kësaj skuadre të re, i duhej dhënë kohë deri në dhjetor. Pastaj ishin edhe dëmtimet siç thashë. Ne na u dëmtua Përgjoni, i cili është kapiteni dhe një nga lojtarët kryesorë. Javët e fundit Prengaj apo të tjerë. Dhe kur ke një skuadër të cunguar, patjetër që ndikon çdo problem i vogël. Doja kohë dhe isha i bindur që situata do të ndryshonte. Gjithsesi, presidenti është pronari dhe ka gjithmonë të drejtë në vendimet që merr.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"