EKSKLUZIVE/ Ka firmosur me “Demat”, Partizani i Beogradit tenton t’i “vjedhë” mbrojtësin… Partizanit
Partizanit i duhet të përballet me një situatë të pazakontë sa i përket një prej afrimeve të kësaj merkatoje të janarit. Ismaila Sodiq, mbrojtësi i djathtë i afruar në janar, mund të largohet nga të kuqtë pa ardhur akoma mirë. Situata duket tejet e komplikuar.PRAPASKENAT – Gazeta mëson se para afro dy muajsh Partizani ka arritur një marrëveshje me lojtarin, por ashtu me klubin nigerian Remo Stars për shifrën e 100 mijë eurove. Në fund të dhjetorit marrëveshja u zbatua edhe në praktikë, me lojtarin, që mbërriti në Tiranë, madje nisi edhe stërvitjen. Ai u vlerësua shumë nga stafi teknik, madje trajneri Veselinoviç e vuri mes titullarëve në “provat” që skuadra bën si zakonisht në stërvitje.
“PËRMBYSJE” – Në ditët e para të janarit, në mënyrë të befasishme 21- vjeçari refuzon të stërvitet dhe kërkon largimin nga klubi i Partizanit. Këta të fundit po bëjnë çdo përpjekje për ta ndaluar, pasi i besojnë aftësive të tij dhe kanë bindjen se mund të ndihmojë shumë skuadrën në vazhdim. Është jo e qartë situata sa i përket kontratës, nëse është firmosur një e tillë, apo jo. Fakti është se klubi nuk e ka prezantuar mbrojtësin siç bëri me Podstrelov, teksa në korridore flitet se ai e ka firmosur një kontratë, por ka dyshime nëse procedurat e transferimit janë mbyllur 100%, apo jo.
PRONONCIMI – “Panorama Sport” arriti të krijojë kontakt me lojtarin dhe t’i marrë atij një deklaratë të shkurtër, ku pohon dëshirën e tij për tu larguar nga klubi i kuq. Ai e arsyeton këtë kërkesë të tij me faktin se nuk ndihet rehat. “Ju falënderoj që mbërritët për të më kontaktuar. E vlerësoj shumë, vetëm se është klubi ai që duhet të tregojë në lidhje me këtë çështje. Sa më përket mua, mund të them se nuk ndihem rehat këtu dhe dua të kthehem në shtëpi. Faleminderit!”, ishte deklarata e Sodiq për gazetën.
OFERTË – “Panorama Sport” mëson se në mes të Partizanit dhe Sodiq kanë hyrë gjigantët serbë të Partizanit të Beogradit. Burime pranë klubit të kuq bëjnë me dije se drejt lojtarit ka mbërritur një ofertë më prestigjiozë dhe e pasur nga serbët dhe kjo flitet të jetë edhe arsyeja përse ai po këmbëngul për tu larguar nga klubi i kuq. Mbetet të shihet se si do të procedohet në vijim, me lojtarin, që kërkon largimin dhe refuzon të zbresë në stërvitjen e “demave”. Ai nuk mori pjesë as në miqësoren e së shtunës kundër Kastriotit.
MEDIAT NIGERIANE – Edhe mediat nigeriane kanë hedhur dritë mbi dështimin e mundshëm të transferimit të Sodiq te Partizani. Ata kanë raportuar për një ngërç sa i përket kontratës mes palëve. Gazetari “Mike the Pundit” shkruan: “Vizitat mjekësore dhe zyrtarizimi i Ismail Sodiq, planifikuar për të shtunën, nuk do të kryhen. Disa të detaje të reja mbi kontratën duhet të arrihen me klubin e Partizanit. Përndryshe, transferimi nuk do të ndodhë”.
DENIS LALAPANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"