EKSKLUZIVE/ Goditje e befasishme e Laçit, kurbinasit marrin shqiptarin e Bajern Mynihut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2025 | 8:19

EKSKLUZIVE/ Goditje e befasishme e Laçit, kurbinasit marrin shqiptarin e Bajern Mynihut

Meritan Shabani më në fund i bashkohet Superiores, ku do të luajë me fanellën e Laçit në vazhdim të kampionatit.

skysport_de-meritan-shabani_4304565

Një goditje e befasishme e klubit kurbinas, që afron një nga emrat më të diskutuar të merkatos së verës në Shqipëri. Kujtojmë që lojtari në fjalë u lakua si një përforcim i mundshëm i klubeve pretendente në verë, si Partizani, Dinamo dhe Egnatia.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se drejtuesit e Laçit dhe mesfushori kanë rënë dakord për gjithçka, madje lojtari ka kaluar edhe vizitat mjekësore dhe sot pritet të zyrtarizohet te skuadra e drejtuar nga trajneri Françesko Moriero. Edhe pse bëhet fjalë për një emër që ka luajtur në kampionate elitare, shifrat e marrëveshjes mes palëve mësohet se janë deri diku modeste. Nga burime të gazetës mësohet e bëhet fjalë për një pagesë prej 2 mijë eurosh në muaj sezonin e parë dhe pastaj dyfishim të shifrës sezonin tjetër.

KUSH ËSHTË SHABANI – Meritan Shabani, 25 vjeç, ka pasaportë gjermane dhe shqiptare. Ai njihet më shumë për faktin se është rritur te akademia e Bajernit të Mynihut në Gjermani, duke shkuar deri në ekipin e parë. Ai luan në pozicionin e mesfushorit të avancuar, si numër 8, por përshtatet edhe si sulmues i djathtë. Gjatë këtij sezoni lojtari ka qenë pjesë e HNK Goricës në Kroaci, por nuk ka luajtur asnjë minutë. Me ardhjen në futbollin shqiptar Shabani kërkon rilindjen dhe rikthimin në nivele të larta. Përveç futbollit gjerman, ai ka provuar të luajë edhe në Angli me Volvehemptonin, por ia ka dalë të zbresë në fushë vetëm me ekipin U-23 të anglezëve.

Po ashtu, mesfushori ka pasur edhe një aventurë në Holandë me ekipin VVV, si dhe në Zvicër me Grasshpersin. Me këtë të fundit ka pasur një sezon të mirë (2022-2023), ku ka luajtur 26 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola. Tani mbetet të shihet se çfarë do të bëjë në Superiore, nëse do të lërë gjurmë me Laçin dhe do të rikthehet në nivelet e fillimit të karrierës, apo jo. Gjatë merkatos së dimrit kurbinasit kanë afruar në ekip portierin Dobjani (huazim nga Egnatia), dhe mesfushorin Shabani. Në anën tjetër, është larguar portieri Dajsinani dhe mesfushori Papa. Pikërisht këtë të fundit pritet të zëvendësojë Shabani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"