EKSKLUZIVE/ Golashënuesi më i mirë i shijakasve bashkë me Nonaton, mesfushori i Erzenit: Bëjmë futboll të bukur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2022 | 12:51

EKSKLUZIVE/ Golashënuesi më i mirë i shijakasve bashkë me Nonaton, mesfushori i Erzenit: Bëjmë futboll të bukur

Nga mesfushor qendror në kryegolashënuesin e skuadrës. Amir Kahrimanoviç është zbulimi i Erzenit këtë sezon, teksa deri më tani ka arritur të shënojë katër gola, po aq sa edhe sulmuesi brazilian, Patrik Nonato. 23- vjeçari i lindur në Zagreb të Kroacisë dallohet për ekzekutimin e goditjeve standarde, ndërsa në fitoren e fundit ndaj Teutës, shënoi një gol shumë të bukur me gjuajtje nga jashtë zone, që i hapi rrugën edhe përmbysjes. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Kahrimanoviç komenton momentin fantastik që po kalon bashkë me ekipin dhe pritshmëritë që ka për vazhdimësinë. Amir, një tjetër gol, por këtë herë jo me penallti.

AMIR KAHRIMANOVIC

Çfarë kishte ndryshe ajo goditje nga jashtë zone ndaj Teutës?

Në karrierën time kam shënuar disa gola nga distanca. Kam tentuar shpesh herë dhe deri më tani fati nuk ka qenë aleat me mua. Megjithatë, pas golit të fundit shpresoj të jem më efikas në goditjet standarde, duke vijuar të shënoj.

Është ky momenti juaj më i mirë tek Erzeni apo mendoni se mund të jepni më tepër?

Si ekip po luajmë futboll të bukur tek Erzeni dhe po kaloj një formë të mirë. Unë ndihem shkëlqyeshëm në Shqipëri dhe jam i lumtur, si unë dhe familja ime.

Fituat me përmbysje së fundmi, sa besonit se do të ndodhte kështu?

E kishim përgatitur gjatë këtë ndeshje dhe kishim besim se do të fitonim. Jam shumë i kënaqur që ia dolëm, sepse rezultatit 1-0 për Teutën, ne dolëm më shumë në lojën tonë. Kishim vetëm një objektiv, fitoren, prandaj dhe pas barazimit insistuam për të shënuar sërish.

A ishin brohoritjet e tifozëve për ju, pjesë e përmbysjes së rezultatit?

Po natyrisht, marrim një motiv shumë të madh nga tifozët. Janë lojtari ynë i 12-të dhe vijnë në çdo transfertë për të na mbështetur. Ata na japin dashuri si në stërvitje, pas ndeshjes dhe në rrjetet sociale.

Me pozicionin e ri në fushë, ku keni detyra disi më ofensive, ndiheni më komod?

Po, më pëlqen roli i mesfushorit të avancuar, pasi ndihmoj ekipin dhe repartin e sulmit të jemi më të rrezikshëm në portën kundërshtare. E vërteta është se ndihem mjaft mirë në këtë pozicion.

Si do të ndikojë kjo periudhë pushimi në kampionat, mos ndoshta nuk ishte mirë për Erzenin?

Gjatë kësaj periudhe do të çlodhemi disi dhe do të mundohemi të analizojmë gabimet, duke u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e dhjetorit. Në Botëror për cilën skuadër do të bëni tifo? Unë mbështes Kroacinë. Mendoj që mund të kemi një tjetër finale Francë-Kroaci.

R. FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"