EKSKLUZIVE/ “Golat ndaj Sportingut nuk i harroj”, rrëfimi special i Sabjen Lilajt: Te Tirana prej rojës së shkollës, Skënderbeu si ëndërr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2023 | 21:18

EKSKLUZIVE/ “Golat ndaj Sportingut nuk i harroj”, rrëfimi special i Sabjen Lilajt: Te Tirana prej rojës së shkollës, Skënderbeu si ëndërr

Ka futbollistë që bazohen te fiziku, të tjerë te shpejtësia dhe ata që bazohen tek inteligjenca sportive. Sabien Lilaj, i cili sapo ka varur “këpucët në gozhdë” bën pjesë në kategorinë e fundit.

Sabjen Lilaj

I ka dhënë shumë futbollit shqiptar dhe i ka marrë po shumë me fanellat e Tiranës dhe Skënderbeut, ka pasur disa përvoja jashtë vendit, ka veshur po ashtu fanellën kuqezi të Kombëtares dhe së fundi atë të Dinamos. Në palmaresin e tij janë 6 tituj kampion Shqipërie, 5 me Skënderbeun dhe 1 me Tiranën, si dhe 1 titull në Kosovë me Prishtinën.

Po ashtu, janë edhe 3 kupa të fituara, 1 nga të cilat në Azerbajxhan, dhe 4 Superkupa. Jo pak për një futbollist shqiptar, ndërsa “pengu” i tij i vetëm është që nuk iku më shpejt nga kampionati shqiptar. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, korçari tregon momentet që kanë lënë shenjë në karrierën e tij, që nga debutimi në futbollin profesionist, lidhja e fortë me të atin, shkëlqimi te Skënderbeu, golat ndaj Sportingut të Lisbonës dhe miqtë më të mirë në sport.

Sabien, kur keni debutuar në futbollin shqiptar dhe si e kujtoni atë moment?

Kam debutuar me Tiranën, në moshën 18-vjeçare. Nuk është se kujtoj shumë gjëra nga ai moment, kanë kaluar shumë vite. Trajneri i Tiranës në atë kohë ishte Slishkoviç dhe kishim një superekip. I morëm të gjitha në atë kohë, luajti “all in” presidenti. Ishte e vështirë të hyje te Tirana, por fati im ishte që ishte trajner i huaj.

Çfarë situate ishte, si e kujtoni momentin që fituat të drejtën për të qenë lojtar i Tiranës?

Kujtoj që u bë seleksionimi dhe 3-4 veta na mbajtën. Më kishte qejf trajneri. Unë isha operuar nga apendiciti pak kohë më parë. Ishte fundi i vitit të 4-t të shkollës dhe isha pa stërvitje fare. Roja i shkollës së Shkëndijës më ka shkruar emrin. “Hajde – më tha, – se do konkurrosh”. Tirana në atë kohë kishte shumë emra të mëdhenj në skuadër, por ai (trajneri) nuk pyeste shumë për këtë pjesë. Që në ndeshjen e parë të kampionatit kam luajtur në formacion. Ndeshjet në Superiore ishin tjetër gjë me stërvitjen që bëja unë, por nga ndeshja në ndeshje u përmirësova.

Nga Tirana në Kroaci, si u krijua mundësia për atë transferim?

Pas 3 vjetësh te Tirana, shkova në Kroaci. Ishte Besnik Prenga, që erdhi si përkthyes i Lonçareviçit, më pa dhe i folën mirë për mua. Më tha që do të më çonte në Kroaci. Shkova te Lokomotiva, por ideja ishte për të vajtur te Dinamo.

Ky ishte zhgënjimi që u ktheva në Shqipëri, sepse mund të rrija akoma në Kroaci. Te Lokomotiva isha më i madhi në moshë, 22 apo 23 vjeç, të tjerët ishin shumë të rinj, ishte ekip për biznes. Në momentin që nuk e kap atë hipjen lart, nuk ia vlen të rrish atje. Isha lojtari i dytë shqiptar atje, pas Vilës. Më pas u hap rruga për gjithë të tjerët.

Rikthimi në Shqipëri, por te Skënderbeu dhe jo te Tirana…

U ktheva për te Tirana faktikisht, mendjen e kisha aty. Shkollën e kishim ngjitur dhe 4 vite duke parë stërvitjen e Tiranës na bënë që të ishim të çmendur pas saj. Ishin yje të gjithë ata që luanin për të, Devi Muka, Duro, Dede, Bulku.

Muka është një nga ata që ka folur me bindje se ju do të bëheshit futbollist i mirë. Si është kjo histori?

Po, është e vërtetë, më ka pasur qejf shumë. “Nëse bëhet njëri nga këta të rinjtë, – thoshte Devi, – vetëm ky bëhet”. I shikonte, unë isha i vetmi që luaja me një takim dhe kush merr vesh nga futbolli e di mirë sa e vështirë është kjo gjë. Të gjithë bëjnë shumë takime. Varet nga orientimi që ti ke në fushë. Po pse luaja me një takim? Kjo është më e bukura…

Lilaj

Pse?

Luaja me moshat dhe Erlis Frashëri i Skënderbeut ka qenë sulmues, shumë i shpejtë. Unë isha trupvogël dhe në një ndeshje në baltë ia marr topin dhe nisem në aksion, por në baltë xhiroja. Vjen ai me shpejtësi dhe ma merr topin, i ngec edhe atij dhe unë ia marr, por ngec sërish dhe ai ma merr përsëri. Shkova në shtëpi shumë i mërzitur nga ai moment, më thotë babai: “Çfarë ke”?

I tregova çfarë më ndodhi dhe ai më tha ta vrisja mendjen për të gjetur një zgjidhje. “Luaj me një takim, – më tha, – nuk të kap dot ai, sado i shpejtë të jetë, topi është më i shpejtë”. E mendoja shpesh këtë pjesë dhe kur vajta te Tirana isha i përgatitur për këtë gjë.

Pse nuk vazhduat me Tiranën?

Në atë kohë ishte trajner Rubio, me të cilin isha stërvitur disa javë para se të ikja. Edhe ai më kishte qejf, por Tirana nuk kishte mundësi për të më marrë në atë moment, kur më kishte marrë edhe Kombëtarja.

Dhe shkuat te Skënderbeu. Kush ju kontaktoi?

Po, më takoi Ilirjan Përmeti dhe më tha se donte që më takonte shefi (Takaj). Shkova në Durrës, folëm dhe ramë dakord që të luaja me Skënderbeun.

Aty ishit pjesë e atij cikli fitues, si e kujtoni atë periudhë të artë?

Gjashtë vite në Korçë ishin pjesa më e bukur e futbollit të luajtur për mua. Titujt radhazi, Europa, dy herë lojtari më i mirë. Golat në Ligën e Europës pastaj ishin një arritje e rëndësishme për mua. Çfarë të them, nuk ka shumë komente për atë pjesë.

Në atë periudhë keni pasur shumë trajnerë dhe lojtarë në skuadër. Kush ju ka lënë më shumë mbresa?

Mirel Josa ka qenë i veçantë, si njeri dhe trajner. Marrëdhënia që kemi pasur të dy ka qenë e veçantë. Ishte vërtet kështu, nga ai kam mësuar shumë gjëra. Mbaj mend që një herë më ka kapur dhe më ka thënë: “Do të bëhesh mesfushori më i mirë në Shqipëri?

Do ta luash topin vetëm përpara, mos ma kthe asnjëherë prapa. Gjeje mënyrën si të duash, por vetëm përpara”. Janë detaje të vogla, që ti si futbollist nuk e vret mendjen ndoshta, por kur ta thotë ai, ndryshon puna. Sepse duhet ta vrisje mendjen përpara, ku ta çoje topin përpara për të shmangur kundërshtarët.

Në Superiore është ai nivel që e kemi parë. Po ndeshjet europiane, çfarë shije kishin?

Ndryshimi është shumë i madh, aty e kupton çfarë është futbolli profesionist. Ne mendonim se “jemi Skënderbeu, kemi fituar kampionatin”, por kur shkuam atje e pamë sa të vegjël ishim.

U munduam t’i japim më fort vetë për të ecur përpara në Europë. Sepse në Shqipëri fiton titullin, por ngelesh në vend, nëse nuk ecën në Europë. Qëllimi i presidentit Takaj ishte që kur u futëm në grupet e Ligës së Europës, të rriteshim dhe të synonim grupet e Champions-it.

Ndonjë moment i veçantë i atyre ndeshjeve, përballjet me lojtarët me emër?

Golat ndaj Sportingut të Lisbonës ishin më të veçantit për mua. Jemi rritur me këto legjendat se “x” lojtar i ka shënuar “x” ekipi të madh. Kur i shënon vetë është diçka speciale. Nuk e dija, nëse kishte shënuar ndonjë lojtar nga Shqipëria 2 gola në Ligën e Europës. Nuk e dija që kisha rekord, para pak kohësh lexova që Gjimshiti më kishte barazuar me 2 golat ndaj Olimpiakosit.

Lilaj-470x313

Pastaj erdhi ai dënim i rëndë i Skënderbeut. Si u përjetua nga lojtarët?

Na mërziti shumë ne dhe gjithë qytetin. Sikur na preu krahët, sepse ishim duke ëndërruar, po ecnim mirë. Viti i fundit në Ligën e Europës ishte fantastik, kaluam 4 ture, eliminuam ekipe me buxhete shumë herë më të mëdha se ne. Sikur nuk na bënin më këmbët për të luajtur.

Ju shkuat sërish jashtë, këtë herë në Azerbajxhan…

Në atë kohë luaja rregullisht me Kombëtaren, ishte koha e Panuçit, me të cilin kam luajtur më shumë se me të tjerët. Më kishte parë ekipi i Gabalës në një ndeshje miqësore me Ukrainën, më kërkuan dhe mendova se ishte momenti.

Titujt në Shqipëri i kisha fituar dhe duhej të shikoja për diçka tjetër. Filloi aventura atje, kisha 2 vjet kontratë. Klubi pati probleme më pas dhe na kërkuan ne që ishim si më të paguarit që të ndërprisnim kontratën, ose të ulnim rrogën. Mendova të ikja, sepse po iknin të gjithë. Në atë kohë erdhi oferta nga Izraeli.

Po aventura izraelite si shkoi?

Aty më kërkoi trajneri që kishte qenë ndihmëstrajner në Kombëtaren e Izraelit dhe ne luajtëm disa ndeshje me Izraelin në atë kohë. Më njihte shumë mirë dhe më mori në ekip. Një vit aty, por nuk patëm rezultate, ramë nga kategoria, pasi ishte ekip me buxhet të vogël. Erdhi edhe Hyka në ekip dhe kaluam mirë, por rezultatet na bënë që ta ndërprisnim kontratën.

Çfarë ndodhi më pas?

Erdha në Shqipëri, kisha gjetur një akord me Partizanin, por këtij ekipi iu bllokua merkatoja atëherë. Erdhi oferta nga Kosova, që ishte si surprizë. Të them të drejtën, nuk e kisha me qejf, sepse ishin vitet e fundit dhe doja të rrija pranë shtëpisë.

lilaj5

Më takuan presidenti me drejtorin e klubit në Durrës, flisnim me shumë pasion, dukej që më donin dhe thashë: pse jo? Firmosa për 3 vjet, viti i parë i mirë, fituam titullin, Superkupën, por në ndeshjet europiane vrava gjurin. Ishte mëdyshja “ta operoj, të mos e operoj”. Rikuperimi zgjaste 6 muaj dhe duhej ta bëja në Athinë. Donte shumë durim. Ishte opsioni tjetër me ushtrime dhe atë bëra.

U larguat nga Prishtina dhe erdhët në Shqipëri, ku veshët fanellën e Dinamos…

Dinamo ishte në krizë në atë kohë, donte përforcime. Erdha për ta ndihmuar, por shkoi keq. Pas rënies së kësaj skuadre mendova se ishte fundi, duhej të tërhiqesha. Drejtuesit më kërkuan që të jepja edhe një dorë në Kategorinë e Parë. Ndieja përgjegjësi, edhe pse 4-5 muajt e fundit isha te Dinamo. E provova edhe të Parën, e ngjitëm skuadrën në Superiore dhe tani ishte vërtet fund.

A keni ndonjë peng nga karriera juaj?

Pengu i vetëm është që duhej të kisha ikur më shpejt nga Shqipëria. Kisha një ofertë në 2015-ën nga Zvicra, nga Lozana, por Skënderbeu më ofroi një kontratë shumë të mirë në atë kohë dhe qëndrova. Po ashtu, e shikoja që ishim duke u ngritur, duke ecur përpara. Nëse do të kisha ikur në atë moment, ndoshta do të kisha më shumë ndeshje me Kombëtaren.

Është folur edhe për një kalim tuajin në Poloni?

Po, kam qenë duke ikur në Poloni, por ma prishi presidenti… (qesh). Por nuk shkoi keq. Unë firmosa vetëm për Europën, ai më donte në ekip, sepse mendonte që isha i rëndësishëm për Skënderbeun. E mbyllëm në paqe, si profesionistë.

Të ardhmen ku e shikoni, drejtues te Dinamo?

Dëshira është të rri në futboll, ndihem më mirë. Do të marr licencat dhe nëse jam i denjë si trajner, do të vazhdoj si trajner. Nëse jo, mbase drejtor teknik, por gjithsesi do të jem në futboll.

Ndonjë episod që ju ka ngelur në mendje gjatë karrierës?

Kujtoj një moment me Kombëtaren. Kam debutuar në Francë, me trajnerin Kuzhe. U mundën 3-0, por kam hyrë 15 minutat e fundit. Franca e kishte ulur ritmin dhe unë luajta mirë. Në ndeshjen e dytë me Rumaninë, Kuzhe me futi në formacion, kisha shumë emocione në stadiumin “Qemal Stafa”, që ishte plot. Kam vrapuar pa fund 90 minuta, sepse trajneri nuk më ndërroi. Kam prekur ndoshta vetëm 7 topa, 6 nga të cilët i humba. Ishte e çuditshme. Tani në fund karriere nuk kisha asnjë emocion me stadiumin plot.

Mund të bëni formacionin më të mirë me lojtarët, me të cilët keni luajtur në karrierë?

Këtu duhet të mendohem pak. Portierët e Kombëtares kanë qenë vërtet të mirë, por Shehi për mua ishte i jashtëzakonshëm: portier, qendërmbrojtës, fantastik, një nga pikat më të forta të Skënderbeut. Mbrojtës i djathtë Vangjeli, shumë i fortë, në Kombëtare dhe te Skënderbeu. Mbrojtësi i majtë Ansi Agolli, e kam pasur te Tirana, ndërsa kur shkova në Azerbajxhan kishin shumë respekt për të, një legjendë. Në qendër Radas, një profesor për këtë repart, dhe njërin mes Jashanicës dhe Gvozdenoviçit. “Jasha” ishte në nivelin më të lartë te Skënderbeu, kurse Gvozdenoviçin kishe qejf ta shikoje si luante. Më pëlqejnë shumë këta lojtarë si ai.

lilajjj

Në mesfushë do të fusja Shkëmbin, kam luajtur shumë vite me të, Karabecin po ashtu. Do të zgjidhja edhe Brozoviçin, ishim bashkë te Lokomotiva, por ai ishte 17 vjeç dhe skautët e Dinamos së Zagrebit e kishin evidentuar. Në të djathtë do të zgjidhja Gjergji Muzakën, kemi fituar titullin te Tirana dhe Skënderbeu.

Në të majtë Jahmir Hykën. Bernard Berisha po ashtu më ka pëlqyer shumë. Numër 10 do të vendosja Devi Mukën, është një nga lojtarët më fantastikë që kam luajtur. Në sulm kemi shumë, por do të thosha Hamdi Salihi, tipi i lojtarit që unë dua, sulmuesit të zgjuar. Janë edhe Memelli, Soue, Olainka. Trajner Mirel Josa, por edhe Ilir Daja ka qenë shumë i mirë. Mirel Josa kishte këtë pjesën e babaxhanit, kurse Ilir Daja pjesën e profesionalizmit, shumë kërkues, studionte dhe e përmirësonte ekipin, ambicioz.

 

 

Kush ka qenë personi që ka pasur më shumë ndikim në karrierën tuaj?

Babai, ai më ka folur shumë gjatë gjithë kohës, që kur isha fëmijë. Dhe e kam dëgjuar shumë, sepse e dija që e kishte për të mirën time. Më kërkonte që të punoja shumë gjithë kohën, më thoshte “nuk mund të bëhesh më i miri me një orë stërvitje”.

Dhe unë pastaj mund të rrija tri orë duke xhongluar topin. Më thoshte që të flija gjumë në orën 10, sipas asaj që kishte dëgjuar. Kjo është një histori e bukur, sepse unë isha në konvikt dhe ne ishim 8 veta në një dhomë, vështirë të flije në orën 10. Unë ktheja kokën nga muri dhe rrija, më ngacmonin të tjerët, por nuk reagoja. Pastaj më linin, ndërsa në stërvitje e shikonin që unë isha më mirë dhe pastaj filluan të flinin të gjithë në orën 10.

Lidhja me babain mbeti po kaq e fortë edhe më pas?

Po, patjetër. Edhe sot kam nevojë për mendimin e tij. Pavarësisht se edhe ai mund të ketë nevojë për mendimin tim, gjithmonë e pyes dhe e dëgjoj, kemi një lidhje vërtet shumë të fortë bashkë. Është idhulli im.

Sabien+Lilaj+M0iu_MgH7qNm

Po miqtë më të mirë të futbollit, cilët janë?

Karabeci dhe Sorra te Tirana, ishim e njëjta moshë, shkonim mirë dhe me Shpresat ishim bashkë. Jemi shokë ende dhe takohemi. Te Skënderbeu, Kristi Vangjeli, gjithë kohën rrinim bashkë. Një lojtar shumë i fortë dhe tip i lezetshëm, me flokët përpjetë, i çmendur fare (qesh), as pyeste fare se po dilte jashtë nga shtëpia.

Po nga eksperiencat jashtë, çfarë do të veçonit?

E keqja ishte se unë vija nga një ekip shumë i mirë si Skënderbeu dhe ekipet jashtë, pavarësisht se mund të kishin më shumë lekë, nuk kishte shanse që të gjeje lojtarë si në Korçë. Prandaj nuk mbaj mend gjë, po Kupa në Azerbajxhan ishte një sukses i madh.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"