EKSKLUZIVE/ “Fitorja në derbi shijon, kreun nuk e lëshojmë”, Tedi Cara: Me Laçin do të jetë më e vështirë se këto që kaluam
Tedi Cara është zhbllokuar më në fund me golat, ku pas Teutës një javë më parë, e bëri një gjë të tillë edhe në derbin me Dinamon.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, kapiteni i të kuqve i gëzohet formës së mirë që po kalon së fundmi. 24-vjeçari nuk është i fiksuar me golat, pasi preferon që të jetë produktiv për skuadrën gjatë gjithë lojës dhe në të gjitha mënyrat, ndaj nuk e shqetësojnë mungesat e rrjetave të shumta këtë edicion. Për Carën, është më e vështirë ta mbash kryesimin, por Partizani është mësuar me këtë gjë, ndaj ka besim se do t’ia dalin në fund, për më tepër që me Veselinoviç në krye nuk njohin humbje.
Cara, si ndiheni pas golit që i hapi rrugën fitores në derbi?
Ndihem shumë i lumtur që me golin tim dhe të Rrapajt Partizani mori tri pikët, pasi fitorja në këtë ndeshje ishte e rëndësishme. Edhe në aspektin personal jam i lumtur që jam zhbllokuar, ashtu si edhe Rrapaj, që vinte pas disa ndeshjesh pa arritur të shënonte. Jemi të lumtur që ndihmuam ekipin, por edhe personalisht jemi me moralin e duhur. Mbi të gjitha jemi në vend të parë.
Sa të rëndësishëm janë golat për ju?
Për mua edhe janë, edhe nuk janë të rëndësishëm. E them këtë, sepse mua më pëlqen më shumë të luaj duke bërë performancë të mirë, në krahasim me shënimin e një goli dhe më pas të jem gjatë gjithë kohës në heshtje. Më pëlqen më shumë të jem dinamik gjithë ndeshjen dhe të bëj paraqitje të mirë. Më pas nëse ndodh që shënoj, jam dyfish më i lumtur.
Sa ju shijon një fitore në derbi që ju jep edhe kryesimin?
Normalisht që na shijon shumë, sepse në fazën e parë na iku nga duart për një minutë, siç ndodhi edhe me Teutën. Vinim pas një “shoku” psikologjik, sepse jemi barazuar në minutën e fundit, por këtë herë ishim të lumtur, sepse e mbajtëm rezultatin, ndonëse u barazuam përkohësisht. Reaguam duke shënuar golin e dytë dhe tani shkojmë të bëjmë dy javë pushime të qeta dhe në vend të parë.
Sa e vështirë do të jetë për ta mbajtur vendin e parë?
Mendoj që më e vështira është ta mbash vendin e parë, sesa ta arrish atë. Por ne kemi gati dy muaj që qëndrojnë në krye dhe me ardhjen e trajnerit nuk kemi ende asnjë humbje dhe kjo është diçka pozitive. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu!
Ndeshja e radhës luhet me Laçin, edhe pse është larg në kohë. Çfarë synoni?
Kjo është një ndeshje më e vështirë sesa këto që kemi kaluar. Normalisht, në fushë do të hyjmë për të marrë maksimumin tonë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"