EKSKLUZIVE/ Goleadori Zabërgja: Jo duel me Mandelën, na duhej fitorja kundër Teutës (E PLOTË)
Baton Zabërgja i hapi rrugën e fitores skuadrës së tij me golin e shënuar në pjesën e parë, duke shkuar në kuotën e shtatë golave, po aq sa edhe shoku i skuadrës, Mandela.Në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport”, sulmuesi kosovar tregon për “duelin” me Mandelën dhe faktin që po arrin formën e tij më të mirë. Lojtari 23-vjeçar pret ende nga vetja e tij, ndërsa shpreson që Dinamo të marrë rezultat pozitiv edhe nga Shkodra, aty ku luan përballë një rivali direkt si Vllaznia.
Baton, fiton Dinamo dhe ju shënoni. Si ndiheni?
Të jem i sinqertë, së pari jam më i lumtur për fitoren dhe pastaj për golin që shënova. Jemi të kënaqur që dolëm me tri pikë nga kjo ndeshje, sepse na duheshin shumë në këto momente.
A po konsolidohet Dinamo me kalimin e javëve?
Ne përpiqemi që ndeshje pas ndeshjeje të bëjmë gjithnjë më mirë dhe të kuptojmë më shumë njëri-tjetrin dhe filozofinë e profesorit. Mendoj që javë pas jave po përmirësohemi.
Shtatë gola për ju këtë sezon. Jeni në formën optimale, apo ende prisni më shumë nga vetja?
Aktualisht gëzoj një formë të mirë, por besoj se do të jem edhe më mirë në vazhdim. Mund të them se pritet ende më shumë nga unë.
Tani 7 gola sa Mandela, ka një “duel” mes jush?
(qesh) Shaka edhe mund të bëjmë me njëri-tjetrin, por nuk kam asnjë lloj dueli me të. Unë jam i kënaqur kur ai shënon, sepse kështu ndihmon ekipin, ashtu si edhe ai kur shënoj unë.
Ndeshja e radhës është me Vllazninë në transfertë. Si e prisni?
Duhet të bëjmë maksimumin, siç bëjmë gjithnjë në çdo ndeshje. Të shpresojmë për një rezultat pozitiv edhe në Shkodër.
Vitin e kaluar e mbyllët me 5 gola sezonin, ndërsa tani keni realizuar 7. Çfarë numri i keni vënë vetes si synim?
Besoj dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Deri në fund ka ende shumë ndeshje dhe të shpresoj që të arrij sa më shumë. Nuk ka ndonjë numër të caktuar që mendoj.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"