EKSKLUZIVE/ Heroi i Dinamos, Mandela fikson objektivin: Dua të shënoj mbi 20 gola!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2024 | 8:38

EKSKLUZIVE/ Heroi i Dinamos, Mandela fikson objektivin: Dua të shënoj mbi 20 gola!

Peter Itodo Mandela ishte “heroi” i Dinamos mbrëmjen e djeshme në “Elbasan Arena”, teksa me golin e shënuar në fund i dhuroi tri pikët skuadrës së tij. Afrikani është ngjitur në kuotën e tri golave në këto pesë javë kampionat, duke treguar se nuk e ka harruar instinktin e golit, pasi në elitë vjen si golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë.

dinamo mandela

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes, 21-vjeçari shprehet se të shënojë mbi 20 gola këtë edicion për Dinamon, duke hedhur kështu kandidaturën për të fituar “Këpucën e Artë” edhe në Superiore. Ai ka besim se Dinamo në fund të kampionatit do të jetë një nga skuadrat që do të marrë pjesë në “Final 4” dhe të luftojë për titullin kampion.

Mandela, sa i lumtur jeni për këtë fitore që arritët sot (dje) kundër Skënderbeut?
Normalisht, jam i lumtur, pasi ishte një fitore shumë e rëndësishme. Dhamë maksimumin deri në fund të ndeshjes dhe u shpërblyem duke dalë me tri pikë.

Kujt ia dedikoni këtë gol?
Në radhë të parë, vetes time (qesh). Më pas babait tim, i cili është një ndër mbështetësit më të mëdhenj për mua. U besoj fjalëve të tij dhe sa herë hyj në fushë më kujtohen ato, i besoj ndjenjës së tij pozitive ndaj meje.

Keni shënuar tre gola deri më tani, cili është objektivi juaj këtë sezon?
Mbi 20 gola (qesh). Synoj të shënoj sa më shumë, të shpresojmë tani, por objektivin personal e kam që të arrij mbi 20 gola dhe të ndihmoj sa më shumë skuadrën.

Po objektivi i Dinamos, cili është?
Kam besim se nuk do të jemi poshtë katërshes dhe i kemi të gjitha mundësitë për këtë gjë. Në fund normalisht kënaqësia më e madhe do të ishte të fitonim edhe kampionatin. Por do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të shohim në fund.

Shpresoni të shënoni edhe kundër Teutës në ndeshjen e radhës?
Unë përpiqem gjithnjë të jap më të mirën në fushë dhe të shënoj gol. Kam besim se do t’ia dal edhe ndaj Teutës. Por, më e rëndësishme është që të fitojë skuadra dhe ne të marrim tri pikët.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"