EKSKLUZIVE/ I dhuroi barazimin Dinamos në frymën e fundit, Lorenco Vila: Më lumturon goli, por e kam një “peng” në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2024 | 18:15

EKSKLUZIVE/ I dhuroi barazimin Dinamos në frymën e fundit, Lorenco Vila: Më lumturon goli, por e kam një “peng” në fund

Lorenco Vila nuk bëri ndeshjen e tij më të mirë, por realizoi një gol që do ta mbajë mend gjatë në karrierën e tij për momentin kur u realizua dhe rezultatin që ishte sfida. Sulmuesi i bluve realizoi me kokë në fund dhe barazoi golin e shënuar nga Rrapaj pak çaste më parë në anën tjetër.

VILA

Pas ndeshjes së barazuar 2-2 kundër Partizanit, sulmuesi foli për “Panorama Sport”, ku shprehu kënaqësinë për golin dhe lojën, por ndjen keqardhje për një rast të humbur në çastet e fundit, që mund të përmbyllte një mrekulli brenda një minute.

Barazim 2-2 me Partizanin. Ishte i drejtë rezultati apo meritonit më shumë në këtë ndeshje?

Të them të drejtën ishte një ndeshje shumë e fortë, duke ditur edhe kundërshtarin që kishim përballë. Partizani zhvilloi një ndeshje të mirë dhe kurrsesi nuk e meritonte humbjen në këtë ndeshje.

Sa i kënaqur jeni për golin, që erdhi në një moment shumë të rëndësishëm?

Jam shumë i lumtur për golin, por pasi shënova kisha edhe një mundësi tjetër për të fituar ndeshjen. Aty u mërzita shumë, sepse mund të bëja diçka të madhe, dy gola në një minutë. Më mërzit pak ai moment, në fund edhe goli më lumturon.

E nisni me trajnerin Ilir Daja me një barazim dhe me lojë cilësorë. Sa i rëndësishëm ishte ky fillim i tillë?

Barazimet nuk janë në “guston” time, por është më mirë se ta nisësh me humbje me trajnerin e ri. Ky rezultat dhe më së shumti loja e zhvilluar na shërbejnë për moralin. Shpresoj që të vazhdojmë ndeshjet e radhës me këtë ritëm dhe të vijmë në kolaudim e sipër me shokët e rinj, por edhe me trajnerin.

Keni rreth një javë që punoni me trajneri Daja. Çfarë ka ndryshuar me të në krye të stolit?

Profesor Iliri kërkon të fusë idetë e veta. E dimë të gjithë suksesin dhe karrierën që ai ka mbi supe. Është trajner shumë i mirë, na orienton shumë mirë në fushë dhe shpresoj të fusë sa më shpejt filozofinë e tij të lojës, të arrijmë të bëjmë si duhet detyrat që na cakton ai.

Kanë ardhur disa lojtarë të nivelit të lartë. Jua bëjnë gjërat më të thjeshta lojtarë të tillë?

Kanë ardhur lojtarë si Dita, Bregu, Aliji dhe Toli. Të gjithë e njohin Superioren, kanë bërë shumë mirë. Shpresoj të futen sa më shpejt në ritëm dhe të na ndihmojnë me eksperiencën e tyre.

D. LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"