EKSKLUZIVE/ I dhuroi fitoren Dinamos kundër Vllaznisë, Dejvi Bregu: Golat në fund, çështje besimi! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2024 | 22:40

EKSKLUZIVE/ I dhuroi fitoren Dinamos kundër Vllaznisë, Dejvi Bregu: Golat në fund, çështje besimi! (E PLOTË)

Dejvi Bregu i jep tri pikë të arta Dinamos me atë gol në sekondat e fundit të sfidës, duke i ngjitur blutë në vendin e katërt.

BREGU

Në intervistën ekskluzive pas ndeshjes për “Panorama Sport”, sulmuesi i bluve e konsideron një fitore mjaft të rëndësishme për vazhdimësinë. Ai zbulon edhe “sekretin” e golave në fund, që lidhet me besimin e skuadrës, ndërsa ka bindjen se Dinamos nuk i mungon mentaliteti i kampionit. Vlonjati kërkon kujdes nga ndeshja e radhës me Laçin, pasi e sheh një ndër skuadrat më të vështira për t’u mundur, përtej vendit që mban aktualisht në renditje.

Bregu, një tjetër fitore në fund për Dinamon. Si ndiheni?
Normalisht, pas një barazimi javën e kaluar, pavarësisht se paraqitja ka qenë e mirë në përballjen e fundit, ishte një ndeshje shumë e rëndësishme. Vllaznia është në vend të parë dhe një nga rivalët tanë direkt për titull. Ishte një trepikësh shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë.

Cili është sekreti i Dinamos, që shënon gjithnjë në fund?
Besimi deri në fund, besimi te njëri-tjetri, besimi në total si klub me gjithë stafin. Pavarësisht se në pjesën e parë nuk kemi zhvilluar një lojë siç do të donim ne, kjo edhe për meritë të kundërshtarit, pasi dihen edhe vlerat e tyre. Pjesën e dytë ishim në kontroll të lojës edhe arritëm te rezultati, që ishte më i rëndësishmi.

Mund të themi që Dinamo e ka krijuar tanimë vazhdimësinë në rezultate?
Mentaliteti i kampionit është vazhdimësia dhe ne atë duhet të synojmë nga ndeshja në ndeshje të kapim maksimumin. Por kjo do shumë punë dhe kohë dhe besoj se i kemi të gjitha mundësitë, duke përfshirë edhe stafin, edhe lojtarët që kemi në përbërje, që të arrijmë maksimumin.

Ndeshja e radhës është me Laçin, si e prisni?
Do të thosha se është një nga kundërshtarët më të vështirë të këtij kampionati. Dihet grinta që ka Laçi si ekip. Edhe pozitat e tyre e bëjnë që të kërkojnë pikët, por duhet të shikojmë punën tonë. Kërkojmë trepikëshin e radhës, por duhet ta kërkojmë duke djersitur në fushë dhe duke qenë të gjithë kompaktë si grup, sepse ndryshe nuk mund të arrish te fitorja.

Duket se Elbasani ju sjell fat, prisni gol edhe ndaj Laçit?
Sulmuesi matet me gola dhe me asiste. Por më e rëndësishmja është trepikëshi, sepse fitorja të jep vazhdimësinë. Nëse arrij të bëj gola dhe të jap asiste, është akoma më mirë, por siç e thashë më e rëndësishme është të fitojë Dinamo.

Ka një ngjeshje në kreun e renditjes, cilat sheh si skuadrat favorite të këtij edicioni?
Nuk mund ta them dot se kush mund të jetë favoritja, do të duket në fushë kush do të arrijë deri në fund sa i përket “Final 4” dhe ekipet pretendente. Ne duhet të shohim punën tonë, të shohim dita– ditës në stërvitje që të japim maksimumin dhe kur të vijë momenti i ndeshjes të jemi akoma më mirë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"