EKSKLUZIVE/ I pamposhtur pas 12 javësh në krye të Partizanit, Veselinoviç: Preka-Sembene dyshja më e fortë, Keko është i shkëlqyer (E PLOTË)
Aleksandar Veselinoviç vijon të mbetet i pamposhtur pas 12 javësh në krye të Partizanit. Në ndeshjen e fundit mposhti Laçin me një gol të Kekos në një ndeshje që mund të kishte shkuar më mirë, por edhe më keq sa i përket rezultatit.Pas sfidës trajneri u prononcua për “Panorama Sport”, ku tregoi për korrigjimet në pushim dhe rëndësinë e lojtarëve të stolit. Ai ia la “barrën” Abilaliajt për lënien në tribunë të Hadrojt, teksa iu duk si të fliste për Egjiptin e Lashtë kur u pyet nëse Zguro do të largohet. Ai ka elozhe për Qirkon dhe dyshen e mbrojtjes, Preka-Sembene, teksa thekson edhe rritjen e Kotes nën drejtimin e tij.
Çfarë ndryshuat në pushim për pjesën e dytë?
Si çdo ndeshje tjetër, kjo ndaj Laçit ishte e paparashikueshme, këto i kemi parë dhe i kemi rregulluar pastaj në pushim. Kemi bërë disa korrigjime taktike për sa i përket këtyre befasive apo problemeve. Nëse flasim në përgjithësi në pjesën e parë mbase kishim vështirësi në organizim. Por nuk është theksi aty sesa te fakti se nuk kemi zgjidhur si duhet situatat në 20 metrat e fundit. Nuk kemi pasur qetësinë e duhur në pasimet finale. Nëse e mbani mend, në një moment kemi pasur situatë 3 kundër 1. U vërtetua që çdo lojtar është shumë i rëndësishëm për ekipin. Jemi dy muaj pa Hadrojn, që është lojtar i Kombëtares. Ismaili ka qenë tri javë i dëmtuar, kapiteni Cara është i lënduar. Mehmeti ka dy javë që është i dëmtuar. Bintsuka është stërvitur vetëm dy ditë, pas një udhëtimi shumë të gjatë.
Të ndalemi pak edhe te një tjetër lojtar që ishte në tribunë. Cila është situata e Zguros? E keni më në plane?
Nuk mund të flas, i bie si të flas për Luftën e Dytë Botërore. Nuk mund të flasim për Mbretërinë e Egjiptit, për Mesopotaminë, Jul Çezarin. Ne kemi luajtur kundër Laçit dhe kjo duhej të ishte tema.
Në rregull, të kthehemi te ndeshja. Sa e rëndësishme është të kesh një si Qirko në portë, që shpëton ekipin kur vuan?
Kemi luajtur 14 ndeshje dhe në të gjitha Qirko ka qenë në nivel. Dhe pas tij kemi Albanin (Hoxhën) dhe Skander Tahrin. Të tre janë portierë të shkëlqyer dhe jam shumë i kënaqur me ta. Me këtë rast shfrytëzoj të uroj edhe Albanin për ditëlindjen.
Keko aktivizohet dhe tregohet vendimtar. A po fiton ai kredite për të zënë një vend në formacion?
Keko është një djalë i shkëlqyer dhe punon në mënyrë të shkëlqyer. Që nga ardhja ime jemi munduar që ta zgjerojmë pjesën e seleksionimit dhe të mbështetemi te të gjithë. Në kështu situatash më dëmtime dhe kartonë, duhet të mbështetemi te të gjithë. Kote para tri muajsh ka qenë në plan huazimi dhe tani është një lloj shtylle e ekipit, plus ka marrë edhe festë nga Kombëtarja U-21. Sembene dhe Preka mund të jenë çifti më i mirë i qendërmbrojtësve në kampionatin shqiptar. Nga ana tjetër ke Domgjonin, që ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer. Mateo Shanaj po ashtu po mundohet të kapë ritmin, sepse nuk është e njëjtë Kategoria e Parë me Superioren.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"