EKSKLUZIVE/ “I qëndroj premtimit për të shënuar 20 gola”, Mandela: Sulmi blu, më i miri! Objektivi ynë është të fitojmë trofe (E PLOTË)
Një nga protagonistët e Dinamos në fushë për këtë sezon është pa dyshim Peter Itodo Mandela. Nigeriani 21-vjeçar ka shënuar 7 gola deri tani, duke i dhënë pikë të rëndësishme skuadrës.
Mban vendin e dytë në listën e golashënuesve më të mirë, 1 gol pas Bekim Balajt, por ndryshe nga shkodrani, sulmuesi i bluve nuk ka gjuajtur asnjë penallti. Mandela është shprehur në një intervistë për “Panorama Sport” se Dinamo ka treshen sulmuese më të mirë të kampionatit. Ai pranon se e mendon vazhdimisht trofeun e “Këpucës së Artë”, por më shumë kërkon suksesin e skuadrës. Nigeriani shpreh bindjen se objektiv nuk është thjesht pjesëmarrja në “Final 4”, por diçka më shumë, fitimi i një trofeu, sepse Dinamo e meriton me skuadrën që ka. Për sfidën me Teutën pret rikthimin te fitorja.
Mandela, fillimisht një mendim për ndeshjet e fundit me Partizanin dhe Skënderbeun. Keni ndonjë “peng”, a mund të merrnit më shumë se një pikë?
Kundër Partizanit nuk ishte një ndeshje e lehtë për mua. U përpoqa të lirohesha nga mbrojtësit, por ata vazhdimisht më rrethonin dhe në çdo moment që kisha topin, ishin 3 lojtarë kundërshtarë që donin të më ndalonin. Nuk ishte e lehtë kundër tyre. Për ndeshjen tjetër me Skënderbeun besoj se duhej të kishim fituar, sepse u pa që Dinamo luajti më mirë se ata. Por futbolli kështu është, i ka të tre rezultatet për një ndeshje dhe nuk mund ta parashikosh asnjëherë.
Mungesat kanë qenë të shumta këtë periudhë për Dinamon. Sa ju kanë penalizuar?
Po, është e vërtetë që disa prej lojtarëve tanë më të mirë janë të lënduar aktualisht. Por nuk e kemi marrë këtë si dobësi për ekipin tonë, sepse kemi një mori lojtarësh të mirë, që mund të zëvendësojnë këdo që është i lënduar. Sigurisht që nuk është e lehtë, por do të përshtatemi me kushtet që krijohen.
Si ndiheni në sulmin e Dinamos me Bregun dhe Zabërgjën, ku jeni treshja që ka shënuar më shumë deri tani?
Mendoj se ne jemi treshja më e mirë ne kampionatit tani për tani. Por unë do të thosha se kemi luajtur mirë si ekip përpara. Kemi punuar për njëri-tjetrin për të parë ekipin të rritet, jo vetëm që të shënojmë gola për veten tonë. Kam shumë besim se do të bëjmë akoma më shumë në javët në vazhdim të kampionatit.
Çfarë parashikimi keni për ndeshjen e radhës me Teutën, e pret një tjetër gol?
Besoj shumë se do ta fitojmë sfidën me Teutën. Do të hyjmë në fushë vetëm për fitore dhe besoj se do ta arrijmë. Sa për mua, besoj se do të shënoj me ndihmën e Zotit. Megjithatë, siç e thashë, e rëndësishme është që ta fitojmë ndeshjen.
Çfarë mund të bëjë Dinamo këtë sezon, me aq sa keni parë deri tani. A ka mundësi reale për titullin kampion?
Mundësitë janë. Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar te maksimalja. Qëllimi ynë për këtë sezon nuk është vetëm të shkojmë në “Final 4”, por edhe të fitojmë trofe. Kemi vërtet një skuadër me kualitet, që mund të arrijë diçka këtë sezon.
I qëndron asaj që ke thënë për të shënuar 20 gola këtë sezon? E mendon “Këpucën e artë”?
“Këpuca e artë” më vjen gjithmonë në mendje, kurdo që jam në fushë, prandaj dhe jap gjithçka për ta arritur këtë trofe. Po, u qëndroj fjalëve të mia se do të shënoj 20 gola në kampionat me fanellën e Dinamos. Me ndihmën e Zotit, gjithmonë.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"