EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti shkodran, Uliks Kotrri: Ja çfarë i duhet Vllaznisë për titullin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2024 | 23:23

EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti shkodran, Uliks Kotrri: Ja çfarë i duhet Vllaznisë për titullin (E PLOTË)

Uliks Kotrri, ish-futbollisti dhe tashmë menaxheri shkodran, ka analizuar situatën e Vllaznisë. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai shprehet se skuadra duhet të gjejë reagimin në vitin 2025.

uliks kotrri

Ndërsa thekson se ky pushim i kampionatit vjen në momentin e duhur për kuqeblutë. Po ashtu ish-mbrojtësi tregon edhe për pozicionet ku sipas tij kuqeblutë duhet të përforcohen në merkato.

Humbje që “djeg” disi më pak kjo me Partizanin?

Besoj se nga situata ku ndodhej ekipi edhe një barazim ndaj Partizanit do të ishte shumë pozitiv. Nuk mund ta justifikoj me mungesat, sepse lojtarët janë të barabartë, por edhe ata që zbritën në fushën e lojës nuk kanë minuta, nuk kanë ritëm dhe prandaj ekipi “çalon” momentalisht.

Mund të ishte zgjidhur ndryshe ndaj të kuqve?

Këto gjëra i di më mirë trajneri, sepse ne nga jashtë mund të japim opinione thjesht të përgjithshme. Ndoshta një mentalitet më mbrojtës dhe i kujdesshëm mund t’i jepte ndonjë rezultat pozitiv ekipit. Megjithatë goli i shpejtë i shënuar nga Partizani besoj se prishi ekuilibrat dhe atë çfarë mund të kishte menduar Brdariç.

Në syrin tuaj, e ka ndryshuar Brdariç stilin e tij të lojës?

Nuk mund të them se ka ndryshuar, por është përshtatur me lojtarët që ka në dispozicion. Besoj se me rikthimin e gjithë grupit, skuadra do jetë më e konsoliduar dhe do shfaqë një futboll më bindës. Pavarësisht se janë brenda çdo objektivi dhe momentalisht janë komodë. Pasi edhe vetë skema ndoshta ta lejon ndonjë hap fals.

Ishte ky momenti më i mirë i mundshëm që kampionati të pushonte për Vllazninë?

Po, ky ishte realisht momenti i duhur. Duhet analizuar kjo situatë e dëmtimeve sepse është shumë e çuditshme. Gjithçka fillon nga infrastruktura ku stërvitet ekipi dhe suplementet e duhura që duhet të marrin futbollistët për të shmangur këto dëmtime. Kushte që futbolli europian i konsideron minimale dhe i ka prej 30 vitesh. Skuadra duhet rikuperuar jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht për të arritur deri në fund të kampionatit.

Sa pozitiv ishte aktivizimi i të rinjve në këtë gjysmë të parë të kampionatit?

Shumë pozitiv sepse Vllaznia po fiton elementë të së ardhmes. Të cilët mund t’i shfrytëzojë si për planet sportive të klubit, por edhe ato ekonomike. Një futbollist i ri dhe me cilësi mund të jetë një futbollist që mund të sjellë të ardhura ekonomike të konsiderueshme në klub.

Ku e shikoni si të nevojshme ndërhyrjen në merkato te kuqeblutë?

Merkato e janarit nuk sjell shumë opsione dhe prandaj do të jetë e vështirë. Në opinionin tim ekipi ka nevojë për qendërmbrojtës. E po ashtu një sulmues që mund të jetë një ndihmë për Balajn. Gjithashtu do theksoja mungesën e një futbollisti fantazist në mesfushë. Megjithatë siç e thashë është e vështirë të gjesh futbollistë cilësorë në merkaton dimërore

Është ky një ekip që pretendon për titull deri në fund?

Kjo skuadër në momentin që do jetë e plotë do të bëhet e frikshme. Kam besimin absolut që Vllaznia mund të luftojë për titullin deri në fund. Pasi futbollistët e saj kanë cilësi e po ashtu e tregojnë edhe përballjet direkte me kundërshtarët dhe ecuria që ka pasur këtë kampionat. Ku pavarësisht vështirësive ia ka dalë mbanë të jetë në mesin e ekipeve kryesuese.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"