EKSKLUZIVE/ Ish-kampioni me kuqeblutë, Basha: Vllaznia e ka stofin e titullit, fitojnë kundër Tiranës (E PLOTË)
Çlirim Basha, një nga lojtarët e spikatur të Vllaznisë në fillim të viteve 90 ka dhënë një intervistë së fundmi për “Panorama Sport”. Mbrojtësi kampion me kuqeblutë ka analizuar ecurinë e kuqebluve deri tani në kampionat.
Sipas tij, Vllaznia është në rrugën e duhur, pavarësisht se ka ende vend për përmirësim. E ndërsa shkodrani ndalet edhe te “klasikja” kundër Tiranës, ku është optimist për një sukses të 9 herë kampionëve të vendit.
Sa keni pasur mundësi ta ndiqni Superioren? Si janë dukur ekipet në syrin tuaj gjatë kësaj periudhe?
Kam ndjekur shumicën e ndeshjeve të kampionatit. Madje edhe disa direkt nëpër stadiume këtë edicion. Do të veçoja një rivalitet të fortë dhe futboll të fortë me skuadrave. Prandaj gara është e hapur në çdo front të Superiores pavarësisht se “Final 4” duket tashmë disi e “blinduar”.
Shikoni ndonjë skuadër që bën diferencën?
Nuk shoh diferenca në cilësi thuajse në asnjë skuadër. Forcat më duken të barabarta nga vendi i parë tek i fundit, me diferenca krejtësisht të vogla. Ndoshta katërshja e parë ka zhvilluar lojëra më të mira, prandaj janë edhe në krye. Ku them se këto skuadra kanë elementë që bëjnë diferencën në momente të caktuara. E ndërsa ekipet në kompleks janë aty-aty me njëra-tjetrën.
Vllaznia në veçanti, si e analizoni gjysmën e parë të sezonit për shkodranët?
Ndeshjet e Vllaznisë i kam ndjekur të gjitha. Pavarësisht luhatjeve që mendoj se kanë ardhur si pasojë e mungesave dhe ndryshimit të shpeshtë të formacionit. Skuadra më duket e konsoliduar dhe në rrugën e duhur. Pavarësisht se ndoshta pres ende më shumë nga ky ekip.
Janë afruar në ekip, një qendërmbrojtës si Rrepaj dhe një sulmues si Mensah. Mendoni se ekipi ka nevojë për të tjera përforcime?
Serjanin (Repajn) e njoh mirë, sepse e kam pasur këtu në Gjermani për 3 vite. Ku ka luajtur me një nga akademitë më të mira gjermane. Kishte shumë talent dhe ishte shumë punëtor. Specialistët gjermanë flisnin me superlativa për të dhe i uroj shumë suksese. Po ashtu Mensah mendoj se i duhet ekipit dhe është një futbollist që e njeh mirë Superioren.
Çfarë duhet të bëjë ndryshe ekipi në vitin 2025?
Thjesht ekipi duhet të jetë më grintoz në sulm. Vllaznia forcën e saj gjithmonë e ka pasur në fazën ofensive. Dhe këtë gjë duhet ta shprehë më tepër në vitin 2025. Kjo është këshilla e vetme që mund të jap.
Ju e njihni mirë mentalitetin gjerman. Ka ndryshuar diçka te Brdariç në këtë periudhë të dytë te skuadra?
Brdariç e njoh që nga koha kur luante futboll me Bayer Leverkusen. Kam luajtur kundër tij në periudhën kur aktivizohesha si futbollist në Gjermani. Ka stilin dhe mentalitetin gjerman të futbollit dhe unë mendoj se ai është trajneri i duhur për Vllazninë. Ndoshta ky mund të jetë sezoni i duhur për të arritur atë çfarë nuk mundi në periudhën e tij të parë tek ekipi.
Viti rinis me një Klasike kundër Tiranës në Shkodër. Si e parashikon Basha?
Gjithmonë ndeshje të veçanta ato me Tiranën e sidomos në hapjen e vitit. Nuk parashikoj një ndeshje të lehtë për Vllazninë, sepse bardheblutë besoj do të duan të tentojnë t’i largohen vendeve të fundit. Megjithatë kam besimin se Vllaznia në fund do të dijë të triumfojë dhe të marrë 3 pikët.
A është kjo Vllazni e aftë të rikthejë titullin në Shkodër pas 24 vitesh “thatësirë”?
Rruga për te titulli është ende e gjatë, por skuadra më duket në ritmin e duhur. Fillimisht duhet siguruar “Final 4”, pastaj në dy ndeshjet e “play off”-it për titullin gjithçka mund të ndodhë. Vllaznia i ka lojtarët dhe eksperiencën e duhur në mendimin tim që ta mbyllë këtë sezon me fitimin e titullit në fund.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"