EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Dimo apel drejtuesve: Mos e përdhosni emrin e Apolonisë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2024 | 9:34

EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Dimo apel drejtuesve: Mos e përdhosni emrin e Apolonisë!

Ish-kapiteni i Apolonisë, Amarildo Dimo, “skanon” bardhëjeshilët. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai pohoi se ecuria e deritanishme është një kambanë e fortë alarmi, që duhet të bjerë menjëherë në veshët e shurdhët të drejtuesve për të mos e përdhosur emrin e Apolonisë.

amarildo dimo

Dimo thekson se është mesi i dhjetorit dhe që në këtë moment janë jashtë çdo lloj objektivi pozitiv, por mbetet dhe duhet të luftojnë fort për të qëndruar në Kategorinë e Parë.

Pas 15 javëve të luajtura, Apolonia ka marrë vetëm 15 pikë. Si e vlerësoni këtë ecuri të skuadrës fierake?

Do isha hipokrit nëse do të them se ecuria aktuale është e mirë. Këto pikë të marra, vetëm 15 të tilla nga 45 të mundshme, dhe rrjedhimisht pozicioni aktual në zonën e ftohtë në renditje janë një kambanë e fortë alarmi, që duhet të bjerë menjëherë në veshët e shurdhët të drejtuesve për të mos e përdhosur këtë emër të madh, Apolonia.

Çfarë nuk shkon me Apoloninë, që ndryshe nga sezonet e fundit, kësaj radhe rrezikon seriozisht qëndrimin në të Parën?

Kam qenë i pari që kam menduar dhe mendoj ende sot, se këtë sezon Apolonia rrezikon seriozisht qëndrimin në të Parën. Futboll luhet dhe në të Dytën kur nuk ke objektiva, ambicie, dëshirë dhe interes për ta parë skuadrën që të luajë në nivele të larta. Pra, do luash dhe do kënaqesh një kategori më poshtë, sepse nuk shikoj asnjë lloj interesi për të bërë sukses me ekipin e Apolonisë. Kështu që, edhe po zbriti në të Dytën, sërish do jetë e njëjta situatë. Ne do të vazhdojmë të flasim, ndërsa aktorët do vazhdojnë të luajnë.

Në intervistën tuaj, më 10 tetor, keni përmendur rënien në të Dytën. I qëndroni sërish atij mendimi duke parë krizën e rezultateve?

Përtej dhimbjes dhe keqardhjes që kam për Apoloninë apo për rënien e mundshme të saj në Kategorinë e Dytë, mendoj se nuk do të bjerë një kategori më poshtë. E shikoj të rrezikuar, por i ka kapacitetet dhe cilësitë që të mos rrezikojë së paku qëndrimin në të Parën. Kampionati ka hyrë në një fazë interesante, ku ekipet që janë në emergjencë për pikë, nuk lëshojnë kollaj. Duhet të luftojnë fort, të shtrëngohen mirë dhe të marrin përgjegjësi për të mos e përdhosur Apoloninë.

As trajneri i ri, Sedat Pajaziti, nuk e nxori dot nga kriza Apoloninë. I bie që problemi qenka më i thellë…

Të flasim hapur dhe drejt, trajneri nuk ka çfarë të bëjë nëse klubi nuk ka objektiva dhe ambicie. Mund të marrësh trajnerin më të mirë në Shqipëri apo kudo tjetër, t’i japësh këtë ekip, prapë nuk do të ketë vazhdimësi loje dhe rezultatesh. Nuk fillon në nëntor apo në janar kampionati, por në qershor, sapo mbyllet i kaluari. Nxirren gabimet dhe pastaj objektivat, përderisa tek Apolonia nuk funksionon kështu, atëherë nuk ke çfarë i kërkon trajnerit, qoftë ai i vjetër apo i ri.

Nga ekipi u largua në mënyrë të papritur mbrojtësi Serjan Repaj, një nga titullarët stabël. A u dobësua ekipi pa filluar mirë merkato?

Qendërmbrojtësi Serjan Repaj ka qenë një lojtar kyç i prapavijës fierake dhe si i tillë ka lënë një boshllëk shumë të madh. Sigurisht, me largimin e tij në mënyrë të papritur, ekipi është dobësuar shumë në mbrojtje, aty ku dhe ka çaluar këtë sezon. Sikur të mos mjaftonte kriza e rezultateve, u duhet të hyjnë fuqishëm në merkaton e janarit për të gjetur një mbrojtës.

Ndeshja e radhës është me Flamurtarin pretendent në Fier. Si e shikoni këtë përballje?

Flamurtari është një ekip i ndërtuar për t’u ngjitur në elitë, ka shumë cilësi dhe kualitete në përbërjen e tij. Pastaj nuk është i pari sezon, që provon të arrijë elitën. Ka strategji të mirëfilltë, ndërsa Apolonia nuk ka asnjërën prej tyre. Pavarësisht dëshirës së madhe për të triumfuar, Apolonia mendoj se do ta ketë shumë të vështirë. Edhe pse me ekipet e mëdha apo ndryshe pretendente, fierakët kanë treguar se kanë një lloj vetmotivimi apo vetëbesimi. Flamurtari është Flamurtari dhe cilësitë e tij janë të padiskutueshme.

Duke qenë sfidë e vështirë, ka ndonjë mundësi Apolonia që autokritikën apo kthesën e rezultateve ta bëjë pikërisht me Flamurtarin?

Nuk flitet për të bërë autokritikë, pasi këtë apo kthesë rezultatesh Apolonia mund ta bëjë një dhe dy ndeshje, por këtu flitet për vazhdimësi. Pikërisht, autokritikën e bëri në ndeshjen me Vorën dhe pastaj humbi me Kukësin, po në “Loni Papuçiu”. Për mendimin tim, fitorja me Vorën ka qenë një rastësi ose më mirë një vetëkarikim dhe impenjim maksimal në fushë. E ritheksoj, problemi është vazhdimësia, nuk do të thotë fitova një ndeshje dhe mbaroi kampionati. Këtu është pikërisht problemi i vazhdimësisë për të marrë rezultate pozitive, për të fituar besim dhe për të dalë një herë e mirë nga kjo situatë. Pozicioni aktual në renditje nuk i ka hije Apolonisë.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"