EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni i dy skuadrave, Lika: Tirana e rrezikshme, por Vllaznia nuk zhgënjen (E PLOTË)
Gilman Lika, i cili prej disa vitesh është transferuar në Dubai, ku trajnon në një nga akademitë vendase ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Shkodrani është ndalur te ndeshja Vllaznia-Partizani, ku shprehet se kuqeblutë duhet të ishin më të kujdesshëm për të marrë pikët e plota.
Po ashtu, ish-kapiteni i Vllaznisë dhe Tiranës ndan një mendim edhe për klasiken e mesjavës. Ku pret një ndeshje spektakolare mes dy skuadrave më të vjetra në vend.
Lika, barazim 2-2 në ndeshjen e fundit VllazniaPartizani. Rezultat i drejtë?
Më vjen keq që ndeshja përfundoi në barazim, sepse Vllaznia po kryesonte deri në momentet e fundit. Skuadra në mendimin tim duhet të ishte më e përqendruar dhe me një mentalitet tjetër në minutat e fundit. Në mendimin tim, Vllaznia humbi 2 pikë kundër Partizanit, por gjëra të tilla ndodhin në futboll. E patjetër nuk duhet hequr as merita e kundërshtarëve që arritën të merrnin rezultat pozitiv në Shkodër.
Shkodranët ishin të “pafat” kur pësuan një gol në minutat shtesë?
Mund të thuash që ndoshta ishin edhe disi të pafate, por unë këmbëngul te përqendrimi i skuadrës. Të gjithë e dinë se ndeshja mbaron kur gjyqtari i bie bilbilit. Nuk duhet të mendosh që ndeshja mbaroi pa dëgjuar vërshëllimën e arbitrit të takimit dhe të jesh në 100% deri në sekondën e fundit.
Mund ta zgjidhte ndryshe Brdariç sfidën me Partizanin?
Është e lehtë të flasësh pas ndeshjes, sepse tani e kemi parë si shkoi loja dhe rezultati. Unë them se disa situata duhet t’i marrin përsipër edhe lojtarët në fushë e jo vetëm trajneri në pankinë me zgjedhjet e tij.
Çfarë nuk po shkon te kjo Vllazni?
Ekipi ka 4 ndeshje pa fitore… Nuk besoj se ka vend për panik, por e rëndësishme është që skuadra të gjejë fitoren. Për këtë duhet punuar që nga ndeshja e radhës dhe me stërvitje e punë çdo ditë.
Kampionati kthehet shpejt në mesjavë me klasiken Tirana-Vllaznia. Ke qenë kapiten i të dy skuadrave, si e sheh Lika këtë duel?
Klasikja është ndeshja që ka dhuruar gjithmonë emocione dhe spektakël. Nuk besoj se do të zhgënjejë as kësaj radhe. Sepse janë dy skuadra që janë të etura për fitore dhe besoj se kjo do e shtojë luftën sportive e po ashtu dëshirën për të triumfuar.
Ndonjë parashikim apo golashënues?
Vllazninë e shoh disi më të favorizuar, sepse në syrin tim është më në formë. Tirana mbetet gjithmonë një kundërshtar i fortë për këdo. Prandaj duhet pasur kujdes nga bardheblutë.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"