EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Nallbani: Tirana nuk tremb më, tragjedi nëse bie nga Superiorja (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2025 | 23:54

EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Nallbani: Tirana nuk tremb më, tragjedi nëse bie nga Superiorja (E PLOTË)

Blendi Nallbani e konsideron si fatale një rënie të dytë të Tiranës nga Kategoria Superiore. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-portieri dhe drejtuesi i bardhebluve analizoi gjendjen e skuadrës.

BLENDI-NALLBANI-PER-PARTIZANI-TIRANA-M3T1.mpg_snapshot_02.08

Nallbani pranoi se beson te ringjitja e skuadrës dhe nuk e mendon asnjëherë një tragjedi të dytë si ajo që ndodhi tetë vite më parë. Ish-lojtari foli edhe për rokadën, MaganiShkëmbi si dhe faktin që skuadra tani e ka për detyrë që të reagojë dhe të tregojë se nuk është për atë vend në renditje.

Nallbani, bardheblutë janë të nëntit në Superiore. Si e vlerësoni situatën te Tirana?

Situata te Tirana nuk është e mirë. Dhe këtë e shohin të gjithë. Doja ta shihja lart skuadrën, por është në një vend të vështirë në fund të tabelës. Uroj që të ringrihet sa më shpejt. Shpresoj që të mos përsëritet ai vit që ramë nga kategoria. Nëse ndodh do të ishte fatale për skuadrën, klubin, qyteti, tifozërisë dhe futbolli shqiptar.

Ju jeni një njohës shumë i mirë i Tiranës. Si e mendoni, ku është problemi i kësaj skuadre?

Të them të vërtetën nuk e di. Ose më saktë më mirë e dinë ata që janë te Tirana. Ata që janë dhe drejtojnë skuadrën, por edhe lojtarët e dinë më mirë ku janë problemet. Unë nuk dua t’i hyj asnjë situate as të paramendoj apo akuzoj, sepse nuk do të vlente. Jam i kësaj familje dhe nuk do të hyj në detaje. Gjendjen më mirë se kushdo tjetër e dinë ata brenda në ekip.

Ju mendoni se Tirana është një skuadër për fundin e tabelës?

Kjo skuadër nuk është për atë pozicion në renditje. Të them të vërtetën Tiranën në fillim të sezonit e prisja më mirë. Skuadrën që ndërtoi nuk e ka të keqe, por fati nuk e ka dashur dhe në shumë ndeshje ka humbur pikë të kota. Pak edhe nga mos përqendrimi, pak edhe nga të tjerat. Nuk e di. Si komunitet i Tiranës, jemi të mërzitur nga kjo gjende e skuadrës.

Shkëmbi e mori skuadrën në fillim, u shkarkua, u emërua Magani, i cili më pas iku dhe tani sërish Shkëmbi?

Për Gash Maganin kam respekt. Edhe më parë ka marrë ekipin në një situatë të vështirë. E shpëtoi dhe e bëri ekipin konkurrues. E provoi për herë të dytë. E nisi mirë, por nuk pati rezultate dhe tani dha dorëheqjen. Diçka normale për një trajner që e vlerëson situatën ku ndodhet skuadra. Shkëmbi e mori skuadrën në verë. E ndërtoi vet dhe më pas u largua nga drejtuesit se nuk pati rezultate. Tani u kthye. E di ai vendimin që mori. E uroj për detyrën dhe rikthimin. Uroj që skuadra të ndryshojë në rezultate dhe të bëjë më mirë se në takimet e para. Nuk di të them se çfarë të reje do të sjellë në skuadër, duke e krahasuar me herën e parë, por le të shpresojmë që të bëjë mirë.

Ju thatë më lart se do të ishte fatale rënia. Tirana, a e rrezikon kategorinë?

Unë them jo, pasi grupin nuk e ka për atë gjendje. Një herë e dytë do të ishte fatale dhe e papranueshme për Tiranën. Do të ishte një tragjedi. Të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm në këtë situatë. Duke filluar nga drejtuesit dhe lojtarët.

Çfarë duhet të bëjnë lojtarët dhe stafi që kjo histori të mos përsëritet?

Duke lënë mënjanë situatat apo pretendimet, një lojtar që zbret në fushë duhet të harrojë çdo gjë dhe ka detyrë për të fituar takimin. Ata që janë në skuadër mesa shoh s’e kuptojnë se çfarë fanelle kanë veshur. Duhet të hyjnë në fushë dhe të luajnë gjithçka për gjithçka. Mundësitë i kanë dhe të mos mendojnë gjëra të tjera. Është përgjegjësia e tyre për këtë klub dhe fanellë të madhe. Tirana të mund edhe me fanellë, ndonëse këto dy vitet e fundit kundërshtarët nuk tremben më.

Tirana do të luajë një sfidë vendimtare kundër Bylisit këtë të shtunë. Si e parashikoni?

Jam besimplotë se skuadra do të fitojë. Nuk do të gabojë sërish, ndonëse Bylisi është një nga skuadrat më simpatike në Superiore. Ballshiotët ishin duke rënë nga kategoria kur erdhi Nevili dhe tani janë sipër Tiranës. Kjo do të thotë se çdo skuadër mund të ringrihet.

Keni një vlerësim për Kategorinë Superiore?

Po kam parë shumë ndeshje. Ka pasur përballje simpatike brenda nivelit që ka futbolli ynë. Më pëlqejnë disa skuadra dhe lufta është e fortë. Gjithsesi, niveli ynë ky është. Nëse nuk ka ligj sponsorizimi, sporti do të shkojë në nivele simpatike. Ligji i sponsorizimeve do ta ngrejë sportin, siç ka ndodhur në shtete të tjera. Edhe presidentët, duke përfshirë atë të Tiranës, nuk mund të japin pa fund para, pa marrë asgjë pas. Ky ligj do të ishte ndihmë për ta.

Nallbani, a bën sens që Tirana të mos luajë në kryeqytet dhe a i takon një pjesë nga stadiumi “Selman Stërmasi”?

Tani unë jam në bashki. Di që kjo e fundit plotëson çdo kusht në bashkëpronësinë që ka me KF Tiranën. Sa për stadiumin nuk e njoh në detaje kontratën që klubi ka me bashkinë dhe nuk di të them për këtë gjë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"