EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Beqiri: Vllaznia të ketë kujdes, nuk bind plotësisht. Ju tregoj problemin kryesor (E PLOTË)
Ish-kampioni i vendit me Vllazninë, Elvin Beqiri ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”.Nga Kanadaja ku ndodhet i transferuar prej disa vitesh, ish-mbrojtësi edhe i kombëtares shqiptare ka analizuar fitoren e fundit kundër Tiranës. Sipas tij, skuadra shfaqi dy fytyra dhe ende nuk bind 100%, e ndërsa thekson se reparti i prapavijës po shfaq sërish pasiguri. Në fjalët e tij po ashtu 44-vjeçari është optimist për kuqeblutë, pavarësisht disa gjërave që duhen rregulluar.
Një Vllazni që bindi apo jo me Tiranën?
Nuk mund ta cilësoj se bindi plotësisht për mendimin tim. E them këtë se skuadra u paraqit me dy fytyra gjatë 90 minutave. Pa asnjë rrezikshmëri në pjesën e parë e shumë ndryshe në të dytën ku edhe përmbysi me meritë sipas meje. Por ende mungon ajo bindja totale tek ky ekip.
Ishte kjo më tepër një fitore karakteri, duke qenë se skuadra përmbysi ndaj bardhebluve?
Fitoret janë gjithmonë të bukura sidomos kur arrihen me përmbysje dhe ndaj kundërshtarit historik si Tirana. Nuk është hera e parë që Vllaznia përmbys këtë sezon. Dhe kjo tregon se skuadra ka cilësi e po ashtu forcë karakteri për të reaguar në situata të vështira.
Ekipi vijon të pësojë, është ky një fakt që shqetëson sipas jush?
Ç’është e vërteta, Vllaznia ka pësuar shumë gola deri më tani në këtë edicion. Ku tregohet qartë që faza mbrojtëse e ekipit nuk ka qenë në nivelin e duhur. Ky është një shqetësim jo i vogël për një ekip pretendent për kampion.
Si u duk skuadra në krahasim me pjesën e parë të sezonit?
Nuk është se kishte ndonjë ndryshim të madh nga ajo çfarë kemi parë deri më tani në kampionat. Fizionomia e lojës dhe interpretimi i saj është po e njëjta. Skuadra ka disa pika referimi, por ajo më kryesorja është sulmi me Balajn. Që sjell gjithmonë rrezikshmëri te kundërshtari me eksperiencën dhe potencën e tij.
Mund të përmirësojë akoma më tepër ekipi dhe nëse po, çfarë do të ishte?
Menaxhimi dhe ruajtja e balancave gjatë 90 minutave besoj se është problemi kryesor te Vllaznia. Ekipi ka lojtarë me cilësi dhe eksperiencë që jam i bindur që mund ta rregullojnë këtë fakt. Po ashtu lojtarët e rinj po bëjnë mirë e po përshtaten menjëherë me ekipin. Ku këtu ka meritë pa diskutim stafi ku nëpërmjet strategjisë së klubit po aktivizojnë dhe japin besimin elementit të ri dhe dalë nga akademia. Uroj që Vllaznia të ketë sa më pak luhatje për pjesën tjetër të sezonit e të jetë bindëse në lojë.
Duket se “Final 4” është “blinduar”, mund ta relaksojë ky fakt skuadrën?
Do të ishte “vetëvrasje” për Vllazninë nëse do e mendonin një gjë të tillë. Për vetë faktin se diferencat mes 10 ekipeve të Superiores janë shumë të vogla dhe këtë e shohim çdo javë. Prandaj ekipi duhet të jetë i përqendruar në çdo ndeshje dhe duel, derisa të sigurohet matematikisht “Final 4”.
Do të jetë një javë e ngjeshur për Vllazninë, me Besën në kupë dhe Skënderbeun në kampionat. Si i mendon këto dy sfida?
Mendoj se Vllaznia do t’ia dalë me sukses në të dy ndeshjet. I ka mundësitë dhe forcat për të luftuar si në kampionat e ashtu në kupë. Të dyja këto ndeshje janë të rëndësishme për vazhdimësinë dhe për vetë specifikën e tyre. Megjithatë Vllaznia në mendimin tim do të marrë rezultate pozitive në këtë javë që vjen.
Mund të jetë kjo një javë ku mund të kenë më shumë shansin për të luajtur djemtë e rinj apo lojtarët e stolit?
Ajo pjesë i takon stafit teknik se si mund t’i menaxhojë këto dy ndeshje, në mënyrë që të merret maksimumi për çdo futbollist që është në dispozicion. Ekipi e ka organikën më të plotë tani që janë rikthyer disa lojtarë nga dëmtimet dhe ka më shumë opsione. Unë them se trajneri në të dy ndeshjet duhet të aktivizojë futbollistët që janë më në formë.
ENDRI ÇINANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"