EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Adili: Brdariç tipik gjerman, Vllaznia realisht për titull (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2024 | 21:30

EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Adili: Brdariç tipik gjerman, Vllaznia realisht për titull (E PLOTË)

Mes lojtarëve që kanë lënë gjurmë me fanellën e Vllaznisë vitet e fundit është edhe Mevlan Adili.ADILI-1Mbrojtësi, aktualisht te Shkëndija e Tetovës, në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, ka folur për skuadrën e tij, Vllazninë dhe Superioren. Adili pohon se i mungon Shkodra dhe se shpreson që në fund të sezonit t’i shohë kuqeblutë kampionë të Shqipërisë. Ai beson realisht se janë “pjekur kushtet” për trofeun e munguar prej shumë vitesh, ndërkohë që tregon ato çka e bëjnë trajnerin Tomas Brdariç të veçantë.

Adili, Shkëndija juaj kryeson kampionatin. Si është atmosfera në Tetovë me ekipin?

Normalisht ka një atmosferë shumë pozitive në ekip dhe në qytet. Jemi në krye të tabelës dhe duam që një ritëm të tillë ta mbajmë deri në fund. Por kjo vjen hap pas hapi. Çdo sezon që kalon kampionati në Maqedoninë e Veriut bëhet më i vështirë, pasi çdo skuadër po investon me projekte për t’u zhvilluar.

 

Objektivi juaj mbetet titulli. Sa shanse ka ta fitoni?

Objektivat e Shkëndijës gjithmonë janë madhorë. Skuadra hyn gjithmonë në garë për të dy trofetë. Asgjë nuk ndryshon as këtë sezon, ku i duam si titullin kampion, ashtu edhe kupën.

Kalojmë te futbolli shqiptar, te Superiorja. Sa e keni ndjekur deri tani?

Padyshim që e ndjek kampionatin shqiptar, zhvillimet më të fundit aty dhe ndeshjet më të forta. Veçanërisht në zemër kam Vllazninë, e ndjek me vëmendje ecurinë e saj.

Si është dukur Vllaznia në syrin tuaj?

Vllaznia ka bërë një start të mirë të sezonit, e tregojnë edhe rezultatet. Mendoj se kanë ekipin e duhur për të marrë maksimumin, kanë role të dubluara në çdo cep të fushës dhe mund të luftojnë pa problem si në kampionat, edhe kupë.

Ju mungon Shkodra?

Kam vërtet mall për Shkodrën dhe shkodranët, më mungojnë shumë. Është një qytet i mrekullueshëm, me njerëz të ndershëm e bujarë. Një gjë e mirë është se thuajse çdo ditë flas me miqtë atje dhe më duket sikur çmallem pak.

A mund të jetë ky sezoni që kuqeblutë të jenë kampionë?

Çdo vit e më shumë Vllaznia po afrohet me titullin kampion. Besoj se ky do jetë realisht viti i Vllaznisë, ka një ekip shumë të mirë, staf pozitiv dhe punëtor, po ashtu tifozë të jashtëzakonshëm që e ndjekin kudo. Dhe normalisht, kur gjithë këta faktorë të grumbullohen, nuk ka si të mos vijë suksesi, që e besoj shumë këtë edicion. Brdariç është një trajner shumë punëtor dhe me një stil tipik gjerman, me ide të qarta dhe i lindur për të pasur sukses.

Është rikthyer trajneri Brdariç, me të cilin ju keni kujtime të bukura, apo jo?

Me trajnerin Brdariç unë dhe disa shokë që janë ende pjesë e ekipit kemi kujtime të shkëlqyera. Fituam kupën me të dhe ishim shumë afër edhe titullit. Po ashtu, patëm sukses në Europë. Brdariç është një trajner shumë punëtor dhe me një stil tipik gjerman, me ide të qarta dhe i lindur për të pasur sukses. Ka një ego të madhe dhe kurrë nuk i lë gjë rastësisë. Ka komunikim me të gjithë dhe për ne ka qenë edhe një shok jashtë fushe. Kjo është diçka shumë e rëndësishme në një skuadër futbolli.

Një mesazh për tifozët tetovarë dhe ata shkodranë?

Jam i lumtur dhe krenar që gëzoj respekt e tifozëve, si në Shkodër, ashtu edhe në Tetovë. Gjithashtu, respekti im ndaj tyre është edhe më i madh, sepse është privilegj që kam luajtur me këto dy ekipe të mëdha. Kudo ku kam luajtur, i jam përmbajtur asaj shprehjes: “luaj për stemën dhe emrin e përparmë të fanellës dhe ata gjithmonë do të mbajnë mend emrin në anën e pasme të saj”.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"