EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Beqiri: Niveli i Superiores ka rënë, ja sa del Vllaznia-Tirana (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2024 | 12:15

EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Beqiri: Niveli i Superiores ka rënë, ja sa del Vllaznia-Tirana (E PLOTË)

Elvin Beqiri është nga të paktët ish-futbollistë të shquar shkodranë që nuk e braktisi kurrë Vllazninë për një klub brenda vendit.

Elvin Beqiri kur luante me Vllazninë dhe mbante shiritin e kapitenit

Elvin Beqiri kur luante me Vllazninë dhe mbante shiritin e kapitenit

Ish-mbrojtësi i Kombëtares e nisi dhe e mbylli karrierën si kuqeblu, ndërsa pati edhe aventura jashtë vendit, në Ukrainë, Azerbajxhan, Izrael dhe Rusi. Sot 43-vjeçari ndodhet shumë larg Shkodrës, pikërisht në Kanada. Në prag të “Klasikes” së futbollit shqiptar, Beqiri gjeti kohën për të folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” lidhur me skuadrën e zemrës, por jo vetëm. Ai beson se Vllaznia-Tirana do të mbyllet 1-0 dhe golin do ta shënojë kapiteni Bekim Balaj.

Për të gjithë tifozët, ku është sot Elvini dhe sa afër futbollit jeni?

Prej disa vitesh jam transferuar në Kanada. Jetoj në Toronto, bashkë me familjen. Patjetër që futbollit nuk i ndahem kurrë, pasi jam gjithmonë pjesë e tij dhe aktualisht punoj që prej ardhjes sime në Kanada, me një prej akademive këtu në Toronto.

Tashmë i ndiqni nga larg zhvillimet e futbollit shqiptar. Mendoni se është ulur niveli i kampionatit?

Nëse do të shohim statistikat, kampionati shqiptar është në rënie për nga cilësia, nga vetë fakti që ekipet nuk janë të suksesshme në arenën europiane. Po ashtu, mendoj se edhe niveli i kampionatit nuk është aty ku duhet. Të vjen keq të shikosh kaq pak tifozë nëpër stadiume dhe kjo është e trishtueshme. Sporti bëhet për tifozët, që ata të marrin emocione dhe argëtim. Mendoj se shteti dhe federata duhet ta marrin seriozisht këtë çështje, në mënyrë që të ndërmerren sa më parë masat e duhura që tifozët të kthehen në stadiume.

 

Ndalemi te Vllaznia, e nisi me fitore kundër Partizanit. E prisnit?

Ajo që është e nevojshme në një fillim kampionati janë pikët dhe Vllaznia e kreu detyrën mësë miri. Megjithëse nuk bindi me lojë, por duhet të theksoj se kishte mungesa të rëndësishme në këtë takim. Partizani mund ta meritonte edhe një barazim, për shkak se bëri volum loje dhe krijoi raste.

Pse Brdariç nuk po shfaq atë Vllazninë e bukur, siç e bëri në periudhën e tij të parë nën drejtimin e shkodranëve?

Janë shumë faktorë që ndoshta për trajnerin Brdariç po ndikojnë. Duke filluar tek lojtarët që ka në skuadër, që nuk janë të njëjtët me ata që kishte më përpara. E po ashtu koha që i duhet për të përçuar idetë dhe stilin e tij tek futbollistët aktualë. Unë besoj se në javët e ardhshme do të shohim një Vllazni në rritje. Ishte merkatoja e Vllaznisë e duhur deri më tani? Duhet pak kohë për të dhënë një vlerësim për lojtarët e afruar këtë merkato. Shpresoj që lojtarë të afirmuar në kampionatin tonë si Deliu, Kahrimanoviç dhe Qato, të bëjnë diferencën. Niveli i tyre të jetë i duhuri për të ndihmuar skuadrën.

Të dielën luhet “Klasikja” mes Vllaznisë dhe Tiranës, si e shikoni këtë duel?

Gjithmonë është një emocion i veçantë kur përballen këto dy skuadra, që kanë bërë historinë e futbollit tonë. Patjetër do të doja një lojë të luftuar nga të dy skuadrat, ashtu siç u ka hije. Nuk shoh ndonjë favorit, thjesht dëshiroj që Vllaznia të fitojë dhe të vijojë sa më gjatë në rrugën e sukseseve në kampionat.

Një parashikim, si del dhe kush mund të shënojë në “Klasike”?

Mendoj një rezultat minimal 1-0 në favor të Vllaznisë dhe golashënues do të jetë Bekim Balaj.

E mendoni që në një të ardhme mund të jeni ju trajner i Vllaznisë?

Ëndrrën e parë e kam realizuar për të luajtur me Vllazninë. Shpresoj të realizoj edhe të dytën, që një ditë të jem trajner i saj

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"