EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Dabulla: Kampionat katastrofë, tani po shkatërrojnë edhe derbin! Me Final 4 dhe të huaj pa limit do të… (E PLOTË)
Rezart Dabulla mendon se tani është radha që në kampionatin shqiptar të shkatërrojë derbin.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i bardhebluve foli për Tiranën, duke analizuar çdo situatë që ka ndodhur nga java e parë deri tek e fundit. “Dabi” ceku çështjen e Shkëmbit, skuadrës dhe situatës te bardheblutë.
Dabulla, pas shumë javësh që kemi folur, si e ke parë Tiranën në këto 23 javë kampionat?
Pozicioni i saj në tabelën e klasifikimit e tregon gjendjen që është. Shpresojmë, që të përmirësohen me kalimin e kohës dhe të dalin nga ajo renditje ku janë. Se çfarë do të ndodhë është pak shpejt për ta parashikuar. Unë flas për ekipet që po luftojnë për mbijetesë, të cilat pak a shumë janë aty-aty. Shpresoj që të mos ndodhë ajo që na qëlloi 7-8 vite më parë. Gjithsesi, e shoh një luftë shumë të fortë. Për skuadrën bardheblu kjo punë nuk do të jetë “fushë me lule”.
Ju flisni për pozicionin e skuadrës, por grupi që ka Tirana është për atë pozicion që ka klubi në tabelën e klasifikimit?
Nëse i merr me kokrra dhe i krahason, ndoshta nuk është për atë pozicion. Fakti është kokëfortë. Tirana është në fund të tabelës së klasifikimit. Unë në këtë pozitë që jam nuk e ndaj dot, nëse e kanë fajin lojtarët apo ka faktorë të tjerë. Tani është në një pozicion dhe jo shumë komod, për të mos thënë i turpshëm siç e shoh unë ekipin e Tiranës.
Gjithsesi, ne shpresojmë për mirë. Unë e uroj me shpirt, që të mos kemi fatin dhe të dalim sërish nga kategoria. Kjo punë nuk bëhet me fjalë, me dëshira, por do, që të jepet maksimumi, të derdhet djersë në fushën e lojës. Do angazhim. Këta lojtarë që janë, së bashku me stafin duhet të shpëtojnë këtë Tiranë. Se çfarë do të ndodhë do ta zbulojë koha. Deri tani nuk kanë bërë mirë. Për të ardhmen, shpresoj se mund të bëjnë më mirë.
Shkëmbi është kthyer në ekip dhe ka marrë katër pikë në dy ndeshje. Mendon se largimi i tij ishte gabim?
Pikët janë të kënaqshme, flas për një fitore dhe një barazim nuk është start i keq, por problemi është se kanë fituar edhe të tjerët. Në atë pozicion, sërish ndodhet Tirana dhe nuk ka dalë nga fundi i tabelës. Rezultatet pozitive nuk duhet të jenë si “pika uji”.
Tirana pas ndeshjes me Elbasanin është ankuar për gjykimin. Mendon se arbitrat e kanë dëmtuar skuadrën bardheblu?
Unë mendoj se në rezultatet që ka grumbulluar Tirana, gjykimi ka ndikuar goxha. A e kanë bërë pa dashje a me dashje, kjo është tjetër histori dhe nuk e ndaj dot. E deklaroj se gjykimet nuk kanë qenë nga më të mirat e mundshme dhe na ka penalizuar jo vetëm në një sfidë, por më shumë takime të tjera.
Në janar janë afruar disa lojtarë, po ju si i vlerësoni këto përforcime?
Për të dhënë një vlerësim është akoma shpejt dhe duhet të kalojë pak kohë për të thënë nëse vlejnë apo nuk vlejnë. Kjo punë nuk shihet me një apo dy takime. Do pak kohë, por problemi ynë është që ne mbase nuk kohë që të presim, sepse na duhen pikët. Ky është problemi ynë. Lojtarët duan kohën e vet, por Tirana nuk ka kohë. Shpresoj, gjithsesi, një test i rëndësishëm për të ardhurit është ndeshja e kësaj jave me Partizanin.
Meqë dolët te derbi i të dielës, mund të më japësh një vlerësim për dy skuadrat…
Në derbi nuk është se ka ndryshime të mëdha kjo punë. Gjithçka varet nga fakti se kush lufton dhe dëshiron më shumë fitoren. Ai që është më i përqendruar. Ka rëndësi edhe cilësia e lojtarëve, por futbollisti që jep zemrën në fushë mund të dalë i fituar ndaj kundërshtarit me cilësi më të madhe. Kjo ndeshje varet nga angazhimi që kanë lojtarët dhe dëshira e madhe që kanë lojtarët për ta fituar derbin. Do të doja që derbi të luhet në “Arena Kombëtare” dhe sfida të jetë më komode për tifozët dhe lojtarët. Fusha sintetike ndikon në lojë, ndryshe nga ajo me bar.
Të shohim, por të paktën të mos na e shpifin edhe këtë ndeshje derbi. E vetmja ndeshje, e vetmja bukuri e këtij kampionati është ky derbi. E pranoj se sfida e fundit mes dy skuadrave ishte me shumë pak tifozë. Këtë histori e shoh si një dashakeqësi që edhe këtë gjë të bukur që kishte kampionati ynë, këta po e shkatërrojnë dhe askush nuk po e çan kokën për të krijuar dhe kjo sfidë të luhet në kushtet optimale.
Një mendim për kampionatin shqiptar. Katër ekipe janë shkëputur nga të tjerat…
Për mua formula dhe kampionati është katastrofë. “Final 4” është e falimentuar. Një budallallëk. Do të vazhdojmë dhe nuk kemi çfarë të bëjmë…
Po shtatë të huajt, një tjetër goditje për akademitë e futbollit në Shqipëri?
Akoma më keq dhe nuk më pëlqen fare. Nëse do të promovosh futbollin vendës. Unë nuk jam kundër të huajve, por duhet të jenë me limit, siç e kanë kampionatet e huaja. Ne e kemi te 7, më pas pa limit. Kjo nuk më duket normale. Unë mbaj mend që më parë skuadrat e Superiores, duhet të kishin në 18-vjeçar në formacion.
Ju folët për lojtarët që nuk janë të këqij, por kjo Tiranë, përse nuk fiton?
Po elementët mund të jenë të mirë, por nuk përshtaten me futbollin tonë. Me njëritjetrin. Janë në pozicionet e duhura apo jo. Janë mirët në anët e tjera. Jetojnë komodë dhe të qetë. E kanë mendjen te futbolli apo edhe diku tjetër. Problematika ka sa të duash, duke filluar nga rrogat a shkojnë me njëri-tjetrin. I ndjekin udhëzimet e drejtuesve apo jo? A vlerësojnë të gjithë njëlloj dhe ky është problem i madh. Më parë ka ndodhur që 7 vetë merrnin rrogat, 7 të tjerë jo. Dhe nëse e bën këtë, shkatërron ekipin dhe “hedh në erë” kampionatin.
I dimë mirë këto histori. Nëse gjërat janë korrekte dhe ka trajtim korrekt atëherë është problemi i futbollistëve. Nëse është e kundërta është problemi i klubit dhe lojtarëve. Nga zero, ekipi nuk ndërtohet kollaj.
Ekipi është, por do kohë që të implementohet dhe të formohet boshti. Dhe nëse ti e ndërton boshtin duhet ta mbash dhe nuk mund ta prishësh vitin e ardhshëm. Ne këtë problem kemi pasur. Skuadra nuk ka një bosht të qartë ndër vite. 6-7 lojtarë duhet të jenë boshti, të tjerët mund t’i marrësh për rifreskim, por këta të shtatë janë ata që mbajnë grupin. Tirana nuk ka pasur bosht këto vitet e fundit. Edhe kur e kishim, e prishëm me urgjencë. Te Tirana do kohë që të marrësh rezultat.
Më jep një parashikim për derbin?
Unë me shpirt dua të fitojë Tirana, por varet nga loja dhe fati. Një handikap ka, sepse nëse takimi zhvillohet te “Arena e Demave”, janë ata më të favorizuar, sepse luajnë në fushën e tyre. Po u zhvillua në “Arena Kombëtare”, shanset janë të barabarta.
Ne kemi uri, sepse na duhen pikët. Partizani, pak a shumë ka pasur shumë largime dhe ndoshta ne kemi pak më shumë shanse për ta fituar këtë ndeshje. Edhe në derbin e kaluar, kishim shansin më të mirë në një ndeshje futbolli. Në minutën e fundit morëm penallti dhe nuk e shënuam. Unë nuk e di se çfarë shansi duhet të kesh më shumë. Kjo ndeshje ka momentet. Duhet të vlerësohet çdo sekondë, hapi i fundit, sepse është ndeshje që nuk duhet të lëshohet në asnjë moment. Fusha do ta tregojë…
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)