EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Daiu: Partizan, duhen dy goditje për titullin! Humbja me Bylisin nuk ishte surprizë (E PLOTË)
Kategoria Superiore mbylli një tjetër javë, ku pati jo pak ndryshime. Partizani u mposht nga Bylisi dhe i lëshoi vendin e parë Egnatias, çka ishte edhe surpriza e kësaj jave.Në një prononcim për “Panorama Sport” në lidhje me zhvillimet e këtij kampionati ka folur ish-mbrojtësi Përparim Daiu. Ai shprehet se e priste “frenimin” e Partizanit, teksa shton se të kuqtë duhet të ndërhyjnë me urgjencë në merkato pas largimeve të pritshme.
Si ju duk kjo javë e fundit e Superiores? Surprizën e Bylisit kundër Partizanit të them të drejtën edhe e prisja. Jo vetëm për luhatjet në ndeshjet e fundit të Partizanit, por edhe prej këtyre “borxheve” alla-shqiptarçe, a si mund t’i themi ndryshe. Domethënë nuk ishte çudi kjo humbje e Partizanit. Edhe po ta shohësh, ndeshja në pjesën e parë foli totalisht për ekipin ballshiot. Partizani sikur u zgjua në pjesën e dytë, por ishte një “zgjim” që nuk të linte të shpresoje për rezultat.
Po sa i përket ndeshjeve të tjera? Vllaznia vazhdon me pasiguritë e veta si ekip, nuk ka qëndrueshmëri. Vinte pas asaj ndeshje, ku edhe mund të turpërohej nga Dinamo dhe në pjesën e parë Elbasani ishte më dominues. Pastaj Vllaznia arriti të ndryshojë rezultatin, çka ndikon për mirë në ecurinë e mëtejshme dhe për besimin. Por Vllazninë e shoh me luhatje në këto javë. E vetmja skuadër që ka treguar konsistencë ka qenë Egnatia, me lojë dhe rezultate. Jo vetëm se është në vendin e parë.
Po Tirana e Maganit, si ju duket? Bardheblutë duhej të bënin atë kalimin e ngërçit që i ka “kapluar” që nga fillimi i sezonit. Vazhdon e njëjta situatë. I duhej fitorja kundër Teutës, ku duhej të ishin më këmbëngulëse, më cinikë dhe të kishin pak më shumë fat. Këto janë pjesë e futbollit, por besoj se derbi me Dinamon mund të shënojë një pikë kthese për Tiranën. Pastaj do të presim merkaton e janarit. Tirana mendoj se ka kualitete, por i mungojnë rezultatet.
Nga ana tjetër, Dinamo duket në formë të mirë, apo jo? Dinamo ka pasur vijueshmëri konstante, si ajo nëndetësja e hershme, pa shumë zhurmë, por i ka marrë pikët, është konsoliduar. Katër ekipet e para kanë nisur shkëputjen tashmë dhe mendoj se “Final 4” rreth këtyre ekipeve do të vërtitet. Rreth Partizanit, Egnatias, Dinamos dhe Vllaznisë. Natyrisht, surprizat janë gjithnjë të mirëpritura. Do të shohim se cila do të bëjë merkato më cilësore në janar. Uroj të kemi një kampionat akoma më të forta.
Në fakt merkatoja ka nisur me largime. Te Partizani janë mbyllur shitjet e Rrapajt dhe Hadrojt. Sa do të ndikojnë tek ekipi? Unë do të thosha se janë tri largime, duke përfshirë edhe Zguron, i cili ishte piketuar në krahun e majtë. Ai u zëvendësua me Buxhelajn fillimisht e tashmë me Domgjonin. Ky i fundit nuk është në rolin e tij natyral dhe nuk e shoh si mbrojtës të majtë. I mungon shpejtësia dhe kilometrat që i duhen atij krahu. Partizanit i duhet me patjetër një mbrojtës i majtë. Mungesa e Rrapajt rëndon në mesfushë, sidomos tashmë që janë larguar edhe Matondo e Maget. Në mënyrë imediate Partizani duhet të hyjë në merkato për një mesfushor qendre me aftësi të ngjashme me këta lojtarë, sepse përndryshe do t’i bjerë shumë cilësia dhe do ta ndiejë shumë ikjen e Rrapajt. Vlonjati kishte kreativitetin, metrat, agresivitetin, bënte kontrastin. I bënte të gjitha.
Po në sulm, mendoni se ka nevojë për afrime? E shoh shumë të lexueshme skuadrën në disa momente në fazën ofensive. Mba hera-herës pëson edhe ndonjë përgjumje. Partizani duhet të hyjë fuqishëm në merkato, sepse ndoshta mund ta sigurojë “Final 4”, por të arrish atje dhe të mos kurorëzohesh në majë, nuk merr vlerë. Mos prania në Kupat e Europës do të përbënte një dështim të madh. Unë mendoj se klubi duhet të bëjë merkato cilësore. Të paktën 2-3 lojtarë që mund të vijnë, duhet të bëjnë diferencën.
Si ju duket ecuria e deritanishme e Veselinoviç në krye të skuadrës? Duke gjykuar ftohtë, unë mendoj se ai ka pasur një rrugëtim pozitiv deri më tani. Humbjen e parë e pësoi kundër Bylisit në ndeshjen e 15-të. Partizani ka pasur gjithashtu probleme me dëmtimet dhe mungesat e titullarëve. I është dashur të bëjë shumë sforco. Shoh një trajner mjaft profesionist dhe të matur sa i përket deklaratave. Më duket profesionist, me deklarata pozitive dhe jo agresive me rivalët.
Trajneri pati pretendime kundër gjyqtarit në ndeshjen me Egnatian. Ju duket se ka ndonjë tendencë kundër Partizanit në këtë aspekt? Tendencë nuk mund të them se ka pasur. Unë dua të evidentoj se arbitrat në VAR duhet të jenë më profesionale dhe ta thërrasin kryesorin në rastet e duhur, pa ndalesa dhe verifikime të kota, që vonojnë lojën. Për mua gjykimet në fushë kanë qenë në nivel të kënaqshëm, ndërsa VAR-i nuk ka qenë në nivelin e duhur. Sa i përket Partizanit, teknologjia ka hyrë tashmë, por ende gjithçka i mbetet interpretimit. Unë e shoh të tillë, jo tendencë kundër.
Pas ikjes së Rrapajt, kush mendoni se do të bëjë liderin te Partizani? Shpresoj që Mehmeti të mos ketë dëmtime, sepse e shoh një lojtar shumë cilësor dhe që hyn edhe në preferencat e mia. Por natyrisht, nuk është vetëm qendra, sepse repartin nuk e bën një, por 3- 4.
Po ju bëj edhe pyetjen më të shpeshtë të ditëve të fundit. Përse po i braktisin stadiumet tifozët? E para mendoj se është cilësia, që shoh çdo vit e më shumë në rënie. E dyta është formula e kampionatit dhe e treta, po të shohim ekipe si Vlora, Kavaja, Gjirokastra, i japin tjetër pamje Superiores. Shohim Elbasanin, që sapo u kthye dhe arrin të mbushë stadiumin. Ja edhe këto ekipet e traditës që mungojnë.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"