EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi vlonjat, Rrapo Taho: Flamurtari në elitë, çdo ekip kërkon vlerësim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2024 | 9:13

EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi vlonjat, Rrapo Taho: Flamurtari në elitë, çdo ekip kërkon vlerësim

Rrapo Taho nuk ka asnjë dyshim se ky është viti i Flamurtarit dhe beson te ngjitja e kuqezinjve në Superiore. Për “Panorama Sport”, Taho thekson se nuk duhet të neglizhohet asnjë ndeshje, si brenda dhe jashtë.

rrapo taho

“Po të shikosh, qytetet e mëdha i ke në Kategorinë e Parë, por Flamurtari mbetet gjithmonë Flamurtar. Ne e shohim ekipin që është në rrugën e duhur. Me përjashtim të hapit fals në start, tani ka ecuri pozitive. Mendoj se me çdo kusht Flamurtari këtë sezon është në elitë. Nuk duhet të neglizhojnë asnjë takim, si brenda dhe jashtë. Mendimi im është se Flamurtari është në rrugën e duhur dhe këtë vit jemi pothuajse në Superiore”, shprehet fillimisht Taho.

KONTIGJENTI- Për Rrapo Tahon, Flamurtari ka luks edhe në stol, pasi kanë goditur me merkaton e lojtarëve. “Pozitiv është fakti se stafi i Flamurtarit këtë sezon bëri goditje të fuqishme me këta lojtarë që ka marrë. Ka afruar lojtarë shumë cilësorë. Po pate stol, padyshim ekipin e ke në rrugën e duhur. Madje, 11-shja e Flamurtarit është e përkryer. Shkurtaj ke qenë i dëmtuar dhe më shumë në stol. Kur është Shkurtaj në stol do të thotë se Flamurtari ka një kontigjent lojtarësh mjaft të mirë.

Edhe këta lojtarë duhet të shikojnë besimin e stafit që ka marrë pranë Flamurtarit. Ata konsiderohen si vlonjatë, pasi atë fanellë që kanë veshur është e rëndë. Detyrimisht e konsiderojnë veten vlonjatë. Flamurtari me këtë kontigjent lojtarësh, shpresojmë që të vazhdojë vazhdimësinë e kampionatit dhe të shkojë aty ku e ka vendin dhe ku e duam të gjithë”, vijon ish-futbollisti i shquar vlonjat.

HAPAT FALS DHE TIFOZËT- Taho tregon se Flamurtari edhe në kohët e tij më të arta, bënte hapa flas, sidomos me ekipet e dobëta. Pozitive shikon faktin që janë afruar tifozët pranë skuadrës. “Flamurtari edhe në kohët tona ‘të arta’ bënte ndonjë hap fals. Historikisht, Flamurtari ekipet e dobëta gjithmonë i ka nënvlerësuar. Kjo na ka dëmtuar shumë ne si ekip. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë kundërshtarët. Flamurtari është në rrugën e duhur.

Kampionati nuk ka përfunduar akoma, ndaj ju bëjmë thirrje këtyre djemve që me këtë renditje dhe ecuri që kanë, po fillojnë të të afrojnë edhe tifozin që ishte larguar. Tani, tifozi do ëndrrën e vetë që ka patur, Flamurtarin ta shikojë në elitë. Stafi bën punën e vetë dhe punë të diferencuar me shumë lojtarë, por nuk duhet të nënvlerësohen kundërshtarët. Për shembull, Luzi vjet na mundi, apo edhe Burreli, që për mua ishte një nënvlerësim. Të vijë dhe të mundë Luzi është një turp i madh. Megjithatë, këta djem kanë marrë masat dhe shikojmë një Flamurtar ndryshe nga vjet, që është në rrugën e duhur”, përfundon Taho.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"