EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Zmijani: Start perfekt, por Vllaznisë i duhen më shumë cilësi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2024 | 19:34

EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Zmijani: Start perfekt, por Vllaznisë i duhen më shumë cilësi (E PLOTË)

Vllaznia kaloi me sukses të plotë testin e parë kryeqytetas ndaj Partizanit dhe tani pret plot besim edhe të dytin ndaj Tiranës.

ZMIJANI

Një tjetër fitore për javën e dytë të kampionatit, ndaj dy rivalëve direkt, do të ishte pa dyshim nisja perfekte për shkodranët. Ai gol i Alivodës dhe ato tri pikë në fushën e Partizanit kanë bërë që tifozët kuqeblu të ëndërrojnë, këtë herë ndoshta jo me euforinë tipike shkodrane. Ish-lojtari i shquar i Vllaznisë, Hysen Zmijani, thekson në një intervistë për “Panorama Sport” se skuadrat duan disa javë që të qartësojnë lojën e tyre, megjithatë ajo fitore kundër Partizanit jep besim të madh për një sezon të suksesshëm.

Profesor Zmijani, e ndoqët Vllazninë në ndeshjen e parë të këtij kampionati me Partizanin, si ju duk?

E ndoqa ndeshjen, sigurisht. Ishte ndeshja e parë e kampionatit dhe të dyja skuadrat nuk e kanë qartësuar lojën e tyre. Kanë luajtur ndeshje miqësore së fundi, por kur bëhet fjalë për pikë situata ndryshon. Mendoj se do të duhet të kalojnë disa javë për të parë më mirë se çfarë niveli loje zhvillon Vllaznia dhe Partizani, apo skuadrat e tjera. Mendoj se ishte një ndeshje e hapur, e luftuar nga të dy ekipet. Pati agresivitet në fushë nga lojtarët e dy skuadrave, por duhet të them se kualitet nuk pashë. Por kjo është e justifikuar me faktin se jemi ende në startin e sezonit.

Për Vllazninë ka rëndësi të madhe fitorja në fushën e një rivali direkt, si Partizani?

Patjetër që ka shumë rëndësi, është nisja gati perfekte e kampionatit, edhe pse loja nuk ishte në nivelin më të mirë të mundshëm. Të dyja skuadrat mund ta fitonin atë ndeshje, por në fund ia doli Vllaznia. Ndoshta pak e vunë re, por Vllaznia pati raste të tjera për shënim me Gurishtën. Edhe Partizani pati rastet e veta, disa lojtarë të këtij ekipi janë vërtet cilësorë, por ata nuk patën qartësi në finalizim dhe kjo i penalizoi. Për Vllazninë 3 pikët janë të çmuara, sidomos kur bëhet fjalë për një fitore kundër një rivali të drejtpërdrejtë.

Ka pasur kontestime pas ndeshjes nga drejtuesit e Partizanit për gjykimin. Ju si mendoni, a ndikoi gjykimi në atë ndeshje?

Ndoshta në rastin e kartonit të kuq të lojtarit të Partizanit mund të kishte një interpretim ndryshe. Gjyqtari Enea Jorgji është nga më të mirët, e dimë deri ku ka shkuar, por në rastin konkret nuk mund ta gjykojmë, sepse nuk e dimë me saktësi se çfarë ka ndodhur konkretisht. Nuk kemi dëgjuar gjë, ndoshta lojtari i Partizanit ka sharë gjyqtarin, por nuk mund të gjykojmë nga jashtë.

Fitorja e Vllaznisë merr më shumë vlera edhe nga fakti se kishte disa mungesa të rëndësishme. Ai ishte një sinjal se e ka skuadrën për të pretenduar titullin?

Patjetër që vlerat e asaj fitoreje janë të mëdha, psikologjike dhe në aspektin e pikëve. Për më tepër kur nuk e ke grupin e lojtarëve të plotë. Edhe Vllaznia, siç e thashë që në fillim, kanë nevojë për disa javë që të qartësojë lojën e saj. Do të doja të shikoja një mesfushë më cilësore te Vllaznia, që të qarkullojë më mirë topin, ashtu siç e ka pasur traditë kjo skuadër, me veprime të bukura.

Shpresoj që të vijë me kalimin e kohës. Ky është një problem për gjithë futbollin shqiptar në fakt, jo vetëm për Vllazninë. Futboll me nivel të lartë rrallë kemi parë. Sezonin e kaluar ishte vetëm Egnatian që luante futboll të bukur dhe për këtë duhet t’i heqim kapelën. Sa për garën e titullit mendoj se do të ketë rivalitet mes emrave të zakonshëm: Partizani, Vllaznia, Tirana, Egnatia.

Vllaznia është dalluar më parë profesor edhe për euforinë që e kap pas fitoreve si kjo me Partizanin. Mund ta godasë edhe këtë herë ky fenomen?

Uroj që jo. Në Shqipëri është tipike kjo çështja e euforisë që i kap skuadrat pas një suksesi të caktuar. Vllazninë pak më shumë se të tjerët, por shpresoj që të ketë ndryshuar diçka, sepse është skuadër me eksperiencë tani, ka lojtarë që kanë vite që luajnë në Superiore.

Nga ndeshja me Partizani tek ajo me Tiranën javën e dytë. Çfarë prisni të shikoni në “Loro Boriçi”?

Të them të drejtën, më vjen keq për Tiranën, që ka pasur vështirësi dhe ka ndërtuar një skuadër të re. Do doja që Tirana të ishte pretendente, sepse, me gjithë respektin që kam për skuadrat e tjera, siç përmenda Egnatian, emrat e mëdha e zbukurojnë kampionatin. Pa Tiranën, Partizanin, Vllazninë, apo dhe Flamurtarin që po na mungon në Superiore e ndonjë skuadër tjetër, nuk ka futboll në Shqipëri. Është mirë për futbollin kur këto skuadra janë në nivele të larta dhe rivalizojnë për titull, sepse ngrenë cilësinë. Besoj se do të shikojmë një ndeshje të bukur me Tiranën.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"