EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Kolela para derbit me Tiranën: Partizani ka një avantazh, e mbajta fjalën… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2024 | 19:32

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Kolela para derbit me Tiranën: Partizani ka një avantazh, e mbajta fjalën… (E PLOTË)

Partizani ka vetëm tre trajnerë kampionë në 34 vitet e fundit dhe një prej tyre, saktësisht i fundit në radhë, është Xhovani Kolela.kolelaItaliani udhëhoqi ekipin e kuq në sezonin 2022- 2023 drejt titullit të 17-të në historinë e klubit. Pas një viti pushim, Kolela u rikthye në stol, këtë herë si trajner i dytë në kombëtaren e Komoros, krah Stefano Kuzin. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Kolela flet për eksperiencën e re, por edhe për derbin e nesërm. Në lidhje me Partizanin 58- vjeçari shprehet se fakti që kanë ndërruar shumë trajnerë, do të thotë se gjërat nuk kanë shkuar mirë pas largimit të tij. Italiani nuk e kursen ironinë në një pjesë të përgjigjeve të tij.

Si po shkon aventura juaj në kombëtaren e Komoros? Pse kjo zgjedhje kaq e largët?

Unë jam mik i ngushtë me trajnerin e kombëtares së Komoros dhe ai më kërkoi të ndihmoj në arritjen e objektivave të skuadrës. Synohet kalimi në Kupën e Botës dhe në Kupën e Afrikës. Më pëlqeu si ide dhe si eksperiencë dhe vendosa të shkoj.

Me Partizanin u shpallët kampion, por nuk vazhduat të drejtonit në pankinat shqiptare. Nuk patët oferta, apo nuk preferuat?

Të them të drejtën, do të kisha drejtuar me kënaqësi një ekip shqiptar, por ndoshta në Shqipëri ka trajnerë më të mirë.

Si ju duket Partizani? Ata kanë ndërruar tre trajnerë që kur ju jeni larguar…

Për shkak të angazhimeve dhe largësisë, prej kohësh nuk kam mundur ta ndjek Partizanin me aq vëmendje, por vetë fakti që kanë ndërruar shpesh trajnerët e tregon qartë se nuk kanë bërë mirë.

A mendoni se duhet të kenë pak më shumë durim në atë klub? Trajnerëve u nevojitet pak kohë, apo jo?

Durimi i klubit është thelbësor, elementi kryesor i një bashkëpunimi me një trajner. Puna e një tekniku nuk mund të shihet për dy javë. Ndryshe ndodhi me mua, ku pata në dispozicion kohën e duhur.

Si ju duket përbërja e ekipit? Nga largimet dhe afrimet duket sikur janë dobësuar disi…

Në futboll duhet të dish si të shesësh, ashtu siç të duhet të dish edhe të blesh lojtarët e duhur. Ka çështje aftësie edhe në futboll.

Partizani do të luajë kundër Tiranës të shtunën. Kush është favorit në këtë ndeshje?

Ndeshjet mes këtyre dy ekipeve janë gjithnjë të bukura. Nuk ka asnjëherë favoritë, sepse tensioni dhe ambienti është shumë i veçantë dhe specifik. Gjithsesi, uroj të fitojë Partizani!

Cili prej lojtarëve mendoni se ka aftësitë të vendosë këtë ndeshje? Nga kush prisni shumë?

Fitimi i derbit është gjithnjë kënaqësi e madhe, por është e vështirë të përcaktosh se cili mund ta vendosë. Ajo që mund të them është se aktualisht Partizani ka pak më shumë përvojë.

Keni humbur vetëm një derbi kundër Tiranës. Çfarë kujtoni nga ato takime?

Kujtoj atmosferën fantastike, tifozët, tensionin, gjithçka ishte e bukur. E humba derbin e parë në mënyrë të pamerituar dhe pas ndeshjes u betova se nuk do ta humbas më atë ndeshje. Dhe ashtu ndodhi.

GHFJDENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"