EKSKLUZIVE/ “Isha pika e dobët e presidentit Demi, ende shkëmbejmë mesazhe”, rrëfehet Labi: Partizani për titull ka dy rivalë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 22:51

EKSKLUZIVE/ “Isha pika e dobët e presidentit Demi, ende shkëmbejmë mesazhe”, rrëfehet Labi: Partizani për titull ka dy rivalë

Ka lojtarë me të cilët tifozeria afeksionohet shumë dhe i admiron për përulësinë, sakrificën dhe kontributin që japin për fanellën.ibrahimiNjë nga këta lojtarë te Partizani ka qenë Labinot Ibrahimi. Mbrojtësi ka luajtur plot gjashtë vite me Partizanin në periudhën 2013- 2019, të cilën e kurorëzoi me titullin kampion, që vinte pas 26 vitesh në shtëpinë e kuqe. Edhe pse 38 vjeç, Labi, siç e thërrisnin te “demat”, vijon të luajë dhe është pjesë e Trepçës në Ligën e Parë të Kosovës. Në një prononcim për “Panorama Sport” Ibrahimi flet për vitet që i ka vetëm numra, për marrëdhënien me Demin dhe potencialin e Partizanit në këtë sezon.

Labi, si po ju shkon aventura te Trepça? Si e keni gjetur ekipin e ri?
Aventura te Trepça ka nisur shumë mirë. Jam shumë i kënaqur edhe me veten për formën që po kaloj gjatë këtyre muajve. Kam gjetur një ekip shumë të mirë, me djem të rinj të talentuar, që janë në gjendje ta ndihmojnë Trepçën që të ngjitet në Superligën e Kosovës.

Vitet kalojnë, por ju nuk keni ndërmend të ndaleni. Cili është sekreti?
(Qesh) Sekreti është disiplina dhe dashuria e madhe që kam për futbollin. Shënojeni: Do të më shihni akoma duke luajtur futboll për sa kohë jam mirë me shëndet, besoj edhe dy vite, deri 40 vjeç.

E ndiqni Partizanin? Mendoni se e ka forcën për të fituar titullin?
Mundohem ta ndjek Partizanin sa herë nuk kam përplasje oraresh me stërvitjet dhe ndeshjet e mia. Pavarësisht së gjithash, Partizani ka gjithnjë kapacitet për të fituar titullin kampion.

Si një mbrojtës me eksperiencë të madhe, si ju duket mbrojtja e Partizanit?
Më kanë pëlqyer, mendoj se janë në rrugën e duhur. Gjithsesi, besoj se nëse do të kishin në organikë një lojtar me eksperiencë të gjatë, do të ishin akoma më në rregull dhe më me stabilitet.

Cili prej lojtarëve të repartit defensiv ju pëlqen më së shumti?
Mbrojtësi që më pëlqen më shumë te Partizani është Hadroj. Mendoj se është një lojtar me të ardhme, që ka cilësinë për të luajtur në nivele akoma më të larta se kampionati shqiptar.

Cili prej ekipeve mendoni se është rivali më i fortë i Partizanit për titullin kampion?
Mendoj se në këtë sezon Partizani si rivalët më të fortë ka Vllazninë dhe Dinamon, që më janë dukur ekipe më solide dhe më stabël. Por mendoj se gara për katërshen do të jetë e fortë dhe nuk anashkaloj edhe dy apo tri ekipe të tjera, që janë pranë në renditje.

ibrahimi

Si i kujtoni vitet me Partizanin? Cila ndeshje ju ka ngelur më së shumti në mendje?
Kam kaluar shumë mirë te Partizani. Kohët atje i kujtoj me shumë dashuri, sepse kam jetuar momente të paharruara. Kam fituar shumë miq, shokë dhe dashamirës në Shqipëri.

Behar Maliqi në një intervistë ka thënë se ju keni qenë pika e dobët e presidentit Demi dhe për këtë ju ngacmonin shokët. E vërtetë?
(Qesh) Po, është e vërtetë. Shokët e ekipit në atë kohë më ngacmonin, sepse presidenti Demi më ka dashur fort dhe kam qenë si pikë e dobët për të nga të gjithë lojtarët e tjerë. Akoma shkëmbejmë mesazhe me presidentin Demi dhe ruajmë raporte shumë të mira.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"