EKSKLUZIVE/ “Jam kthyer në formë maksimale”, Jago: Vllaznia luan për të dyja, vijojmë kokulur (E PLOTË)
Një nga protagonistët e Vllaznisë në këtë sezon ka qenë edhe Andrei Jago.
Mbrojtësi i majtë brazilian e nisi sezonin në mënyrë shumë pozitive, e më pas një dëmtim u duk se ndikoi te forma që po kalonte. Por tashmë ai është rikthyer në gjendjen e tij optimale dhe në një intervistë për “Panorama Sport” flet për fitoren e fundit të Vllaznisë ndaj Teutës. Ndër të tjera 27-vjeçari tregon edhe për synimet e skuadrës e ndërsa ndalet edhe te përditshmëria në Shkodër.
Fitore bindëse ndaj Teutës. Sa i rëndësishëm ishte ky triumf?
Ishte shumë e rëndësishme për ne të merrnim tri pikët në transfertë, kjo edhe për të rikuperuar ato pikë që lamë në shtëpi me Egnatian. Kundër Teutës është gjithmonë e fortë, por ne e dominuam nga fillimi në fund ndeshjen dhe besoj se e merituam totalisht fitoren.
Vllaznia e nisi me ritëm të lartë ndeshjen kundër durrsakëve, ishte një strategji e trajnerit? Po, ai na paralajmëroi që në fillim se çfarë duhej të bënim. Dhe ne e kishim të qartë në mendjen tonë sesi do të vepronim që në fillim. Duhej t’i jepnim drejtim ndeshjes që në start dhe ia arritëm. Ndeshja ishte përgatitur seriozisht dhe në çdo detaj, e po ashtu ne dhamë më të mirën tonë nga vetja.
Kur mund ta shohim Vllazninë në krye të tabelës? Ne po luftojmë për ta arritur këtë gjë. Kampionati është shumë i fortë dhe konkurrues. Unë shpresoj të jemi në krye në fund të edicionit të rregullt, sepse atëherë vlen dhe është e rëndësishme për ndeshjet e “play-off”.
Për të kaluar te forma juaj personale, jeni kthyer në 100%?
Unë kalova një dëmtim në dhjetor, që më la disi pas duke më ulur ritmin. Duhej të prisja janarin që të kthehesha në fushë dhe të rigjeja sërish formën time. Tani ndihem mirë si fizikisht, ashtu dhe psikologjikisht dhe jam gati të jap kontributin tim për arritjen e objektivave të Vllaznisë.
Viti i dytë në Shkodër. Si ndiheni me qytetin dhe jetën? Këtu më pëlqen gjithçka. Unë jetoj së bashku me gruan time në Shkodër dhe ndihemi jashtëzakonisht mirë. Kam qenë i mirëpritur që në ditën e parë dhe e dalloj ngrohtësinë e njerëzve në qytet.
Keni ndonjë mesazh për tifozët? Ne mbështetemi tek ata, janë një forcë e madhe. Për këtë sprint të fundit të sezonit ata janë lojtari ynë i 12-të. Ne do të punojmë fort që të sjellim fitore dhe gëzim në mbarë Shkodrën.
Sa larg mund të shkojë skuadra këtë edicion? Sezonin e shkuar ne arritëm dy gjysmëfinale dhe fatkeqësisht nuk kaluam në asnjë finale. Këtë sezon kam besimin se mund të arrijmë në finalet e kompeticioneve dhe të fitojmë, pasi mundësitë janë. Por kemi një rrugë të gjatë përpara. Kokulur dhe me shumë punë, ndeshje pas ndeshje duhet të fitojmë pozicione në tabelë.
Javë e ngjeshur për ekipin, fillimisht Elbasani në Kupë dhe Bylis në kampionat. Do të shkojë Vllaznia fuqishëm për të dyja kompeticionet? Ne duam të bëjmë sa më mirë në të dyja kompeticionet. Objektivat tanë janë që të avancojmë sa më shumë e të shkojmë sa më larg, me qëllimin për suksesin final.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)