Ekskluzive/ “Jo e moralshme për klubin, 700 mijë euro për mbijetesë”. Bano: Lushnja të reflektojë, i duhet staf profesional

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2024 | 10:44

Ekskluzive/ “Jo e moralshme për klubin, 700 mijë euro për mbijetesë”. Bano: Lushnja të reflektojë, i duhet staf profesional

Artan Bano, ish-trajneri i Lushnjës dhe disa klubeve të tjera, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” skanon Kategorinë e Parë. Në mënyrë të veçantë Lushnjën, që luan aty prej 7 sezonesh radhazi.

BANO 1

Kur ka mbaruar faza e parë e kampionatit, lushnjarët duken sërish larg pretendimeve për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.

Cili është opinion i Artan Banos për këtë sezon të Kategorisë së Parë, ku është mbyllur faza e parë?

E para janë rritur financat. E dyta është rritur cilësia. Ka trajnerë të mirë dhe financa të shëndosha. Kampionati po bëhet shumë i fortë. Ka shumë konkurrencë.

Cili nga ekipet ka veçori dhe i bën mirë Superiores për vitin që vjen?

Ne tani e dimë që ka tre ekipe shumë të mira, që do të rivalizojnë për dy vende në Superiore. Flamurtari, Besa dhe Vora do të rivalizojnë deri në javën e fundit.

Po ekipet që nuk kanë bërë mirë mund të na i zbuloni?

Besoj se pritshmëritë e fazës së parë janë po ato. Ekipet që u grumbulluan me vonesë, si Erzeni nuk patën pritshmëri. Ekipe cilësore, por që u mungojnë pikët, sipas mendimit tim janë Korabi, Apolonia dhe Lushnja. Dua ta specifikoj, sepse nuk kanë pikët e duhura, nuk kanë marrë maksimumin e pikëve. Të shohim sesi do të jetë faza e dytë.

Si e mendoni fazën e dytë?

Mendoj se do të jetë një kampionat shumë i fortë. Nuk i ngjan ndeshja-ndeshjes. Shikojmë që Lushnja mundet 0-2 nga Valbona në shtëpi dhe të gjithë ekipet kanë 3-4 pikë diferencë nga njëra-tjetra, nga vendi i pestë tek i parafundit. Mendoj se do të jetë një garë shumë e fortë.

Të flasim pak për Lushnjën…

Për sa i përket Lushnjës, duke përjashtuar 3 klubet e para, ka financa shumë më të shëndosha se të tjerët. Mendoj që duhet përkushtim maksimal. Duhet një staf profesional. Kjo nuk do të thotë të heqësh një trajner dhe të vësh një tjetër.

Përse?

Nuk është zgjidhje. Gjithmonë punohet në grup. Duhen njerëzit e duhur për ta çuar Lushnjën aty ku e meriton. Duhet të jesh pjesë e klubit që ta kuptosh se çfarë nuk shkon.

Cili është mendimi juaj në lidhje me Lushnjën?

Për mendimin tim, Lushnja po gabon vit pas viti. U bënë shtatë sezone që Lushnja gabon. Gjëja e parë, gabon në merkato. Nuk ka një projekt afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë. Duhet të ketë një projekt, që futbollistët të mos luajnë 6 apo 9 muaj. Nuk mund ta ribësh ekipin çdo 4 apo 6 muaj. Lushnja duhet të bëjë kontrata afatgjata dhe të lidh boshtin e ekipit. Të krijojë një bosht të mrekullueshëm. Pastaj çdo ekip e ka të nevojshëm të forcohet me 3-4 lojtarë në çdo merkato.

A shikoni ndonjë gjë tjetër të rëndësishme?

Lushnja ka qenë një klub shumë prodhues sa i takon talenteve. Ndoshta jo çdo vit, por në 2-3 vjet ka nxjerrë lojtarë cilësorë, si për ekipin e parë, por edhe për kombëtaret U-19 dhe U-21. Për ta rikthyer ekipin duhet profesionalizëm brenda klubit. Duhen njerëzit e duhur që të shkojë mbarë. Kjo nuk bëhet me një trajner. Duhet menduar shumë seriozisht, duke ditur financat që harxhon Lushnja për futbollin.

Cila është thirrja e Artan Banos për klubin lushnjar?

Gjëja më e trishtueshme është që publiku i Lushnjës po zhgënjehet nga java në javë. Lushnja e mbylli fazën e parë në kuotën e 12 pikëve, nga 33 të mundshme. Barazimi me Erzenin dhe humbja me Valbonën tregojnë se Lushnja pësoi disfata fatale me rivalët direkt. E ka vënë veten shumë në rrezik, sepse mund të ikë për poshtë.

E mendoni edhe të keqen kur thoni mund të ikë për poshtë?

Duhet ta marrin të gjithë me shumë seriozitet. Institucioni, bashkia, presidentja, njerëzit që janë e që paguhen. Janë 600 apo 700 mijë euro që harxhohen në vit nëse Lushnja del nga kategoria. Unë nuk e di se çfarë mendojnë ata që punojnë në klub. Do të jenë të aftë, të ndershëm apo normal, që t’i dalin përpara publikut lushnjar. Me 700 mijë euro të diskutohet një ekip për të dalë nga kategoria. Edhe në “play-out” nuk është e moralshme. U bëj thirrje të gjithëve të reflektojnë, ta fusin Lushnjën në shina profesionale. Është ekipi ynë i zemrës, ku kemi kontribuar shumë dhe më vjen keq për atë qytet. Futbollin e kanë “fe”. Pa futboll ata nuk jetojnë dot, edhe pse në ndonjë moment të caktuar janë shumë nervozë, në të drejtën e tyre. Kanë 7 vjet që presin dhe duhet t’i mirëkuptojmë. Është stafi drejtues, trajnerët, futbollistët ata që i bien tifozët në stadium. Nuk mbushet stadiumi i  Lushnjës plot po nuk pati rezultate pozitive. Kjo është thirrja ime për Lushnjën.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"