EKSKLUZIVE/ Jonuzi pret një çek me 20 mijë euro nga Tirana, Hila më pranë bardhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2024 | 18:56

EKSKLUZIVE/ Jonuzi pret një çek me 20 mijë euro nga Tirana, Hila më pranë bardhebluve

Fate të ndryshme për Fjoart Jonuzin dhe Ardit Hilën. I pari është i bllokuar te Tirana, ndërsa i dyti mund të rikthehet te bardheblutë brenda 365 ditëve. Këto janë lëvizjet e fundit në kampin bardheblu.

jonuzi

Kështu, pas largimit të Aran Isuf, pritej edhe largimi i Fjoart Jonuzit. Palët dukej që nuk dëshironin të vazhdonin marrëveshjen dhe prej javësh janë duke diskutuar për një prishje konsensuale të marrëveshjes këtë janar, paçka se kontrata përfundon në 30 maj. Palët kanë rënë dakord që bardheblutë të paguajnë 20 mijë euro ose një e treta e kontratës dhe Jonuzi të ishte i lirë në 2025-ën.

Në fillim gjërat shkuan në rrugën e duhur, por më pas situata ka ndryshuar, me palët që i janë larguar marrëveshjes. Në këto kushte, mesfushori, duke parë gjendjen është kthyer në stërvitje duke u përgatitur në palestër. Nëse nuk ka ndonjë ndryshim të orës së fundit, Jonuzi mund të qëndrojë te Tirana deri në 30 maj 2025.

HILA – Tirana dhe Hila mund të kenë një të ardhme. Futbollisti është shumë pranë bardhebluve mund të bashkohet me skuadrën në janar. Dhe të thuash që 9 janarin e këtij vit ishte Tirana që zyrtarizoi largimin. Asokohe klubi shkruante: “KF Tirana njofton ndërprerjen me konsensus të bashkëpunimit me mesfushorin Ardit Hila. Klubi dhe lojtari kanë shtrënguar duart në fundin e këtij rrugëtimi. Falënderojmë Hilen për kontributin e tij dhe i urojmë suksese në të ardhmen e tij”.

Kujtojmë se Hilës, kontrata me bardheblutë i përfundonte në qershor 2024-ës. Në atë sezon elbasanasi luajti në 16 ndeshje, ku shënoi vetëm 2 gola dhe asistoi në 2 raste, ndërsa u pezullua nga klubi dy herë për shkak të disa mosmarrëveshjeve që lojtari pati me trajnerin Ahmataj. Madje ai u detyrua që të stërvitej veçmas skuadrës dhe më pas firmosi me Elbasanin.

MERKATO – Bardheblutë kanë disa lojtarë për të njëjtin rol në mesfushë dhe duhet patjetër një “gjashtësh”. Tirana kërkon edhe bomberin klasik që të shënojë gola. Për t’u parë mbetet nëse skuadra do të afrojë mbrojtës, ndonëse reparti është i kompletuar. Tirana po bën rezistencë që të mos shesë Mahamadu Dembelenë në kampionatin austriak. Prej javësh në tavolinën e Refik Halilit qëndron një ofertë nga klubi Rheindorf Altach. Këta të fundit kanë ofruar rreth 250 mijë euro për të blerë kartonin e mbrojtësit francez, i cili ka luajtur këto muaj me bardheblutë. Austriakët po bëjnë presion, por drejtuesit bardheblu nuk pranojnë që të lëshojnë francezin, paçka paraqitjes së tij të fundit në kampionat.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"