EKSKLUZIVE/ “Ju tregoj dy rivalët e të kuqve”, Maget: Partizan më i fortë se vjet, favorit me Elbasanin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2024 | 9:06

EKSKLUZIVE/ “Ju tregoj dy rivalët e të kuqve”, Maget: Partizan më i fortë se vjet, favorit me Elbasanin (E PLOTË)

Maget Gueje është një nga lojtarët më brilantë që kanë parë fushat tona në vitet e fundit. Mesfushor i pakalueshëm dhe me shumë fantazi në fazën sulmuese.magetRacing Santander ia vuri re aftësitë dhe pagoi 500 mijë euro për t’ia rrëmbyer Partizanit dhe për ta marrë në La Liga 2, ku është pretendente kryesore për ngjitjen. Nga Spanja, Maget jep një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ku rrëfen eksperiencën e re, ndryshimin e madh në nivel dhe flet për skuadrën e kuqe të këtij sezoni. Ai beson se Partizani nuk është dobësuar, por përkundrazi.

 

Magi, si po ndiheni te Racing Santander? Ishte zgjedhja e duhur të transferoheshit në këtë klub? Po ndihem shumë mirë në klubin tim të ri. Sigurisht që ka qenë zgjedhja e duhur të bashkohem me këtë klub, sepse presidenti, drejtori dhe trajneri kanë besim te mua. Më kanë thënë se i jam bashkuar skuadrës pak vonë, në javën e tretë të kampionatit, por nëse do të kisha zhvilluar fazën përgatitore me pjesën tjetër të ekipit, me siguri do të startoja ndeshjet. Por nuk është vonë dhe e di mirë këtë. Po shoh përpara për tu përmirësuar çdo ditë e më shumë dhe mendoj se jam në vendin e duhur për të bërë këtë progres.

A po përshtateni si duhet me futbollin spanjoll? Si është niveli i La Liga 2 në krahasim me Superioren? Po, jam përshtatur mirë. Unë kam parë futboll spanjoll që në fëmijëri dhe përpara se të mbërrija këtu isha i bindur se nuk do të kisha vështirësi për tu përshtatur me futbollin spanjoll. Niveli këtu në Spanjë është shumë më i lartë se në Shqipëri, sepse mund të them se La Liga 2 është shumë e ngjashme me nivelin e La Ligas.

Sa e vështirë është të transferohesh nga kampionati shqiptar drejt e në La Liga 2? Kemi dëgjuar shumë njerëz të thonë se është e vështirë një lëvizje nga Superiorja e Shqipërisë në Francë, Spanjë apo Itali. Unë mendoj se është diçka e mundur. Për shembull, Skuka la Partizanin dhe u transferua direkt në Ligue 2, unë gjithashtu erdha në Spanjë dhe Sherri i Egnatias kaloi direkt në Serinë A. Kështu që çdo gjë është e mundur, duhet punë e madhe dhe fat.

A besoni se në sezonin e ardhshëm do të ngjiteni në La Liga? Mendoj se po. Është objektiv i klubit për këtë sezon, por ne do të marrim çdo ndeshje njëra pas tjetrës dhe në fund shpresoj që edhe me ndihmën e Zotit, t’ia dalim.

Ju mungon Tirana? Për çfarë ju merr malli më shumë? Po, më mungon qyteti i Tiranës, kalova tri vite atje. Është normale, por ajo çka më mungon më shumë është Partizani, stafi, shokët e ekipit, presidenti Demi, Pano Xhixho dhe Olsi Rama, sepse kam një marrëdhënie shumë të mirë me ta.

Çfarë mendoni për Partizanin e këtij sezoni? Janë më të dobët apo më të fortë se vjet? Mendoj se në këtë sezon Partizani është akoma më i fortë se vjet. Unë jam përpjekur t’i ndjek thuajse në çdo ndeshje dhe mendoj se janë në rrugën e duhur.

Kush është rivali më i madh i Partizanit në këtë sezon? Mendoj se rivalët më të mëdhenj të Partizanit do të jenë Vllaznia dhe Egnatia, por jam i bindur se të kuqtë kanë lojtarë më të fortë se ata.

Mendoni se në skuadrën aktuale është një lojtar që mund t’ju zëvendësojë ju? Po, sigurisht. Mendoj se jam zëvendësuar tashmë. Mehmeti është aty dhe bëhet fjalë për një lojtar fantastik. Mingo dhe Ismaili gjithashtu. Partizani është një klub i madh. Nëse një lojtar largohet, dikush tjetër ia del ta zëvendësojë si duhet. Kur u largua Masanga dëgjoja të thuhej se Partizani ka humbur shumë në mesfushë, por në vitin e shkuar lojtarët e këtij reparti bëmë një super sezon. Po flas për Mehmetin, Rrapaj, Muratajn apo Ismailin. Ne shënuam dhe asistuam shumë, veçanërisht Rrapaj.

Cili prej djemve te Partizani është në gjendje për të bërë një tjetër transferim të madh, pas jush? Sipas meje, aty janë disa lojtarë që mund ta bëjnë këtë kapërcim, nëse Partizani do ta shohë të arsyeshme në bazë të ofertave që do të vijnë. Mund të them Rrapaj, Sembene, Bintsuka, Cara apo Hadroj. Nëse ikin të gjithë këta, kapiten bëhet Mba (qesh).

Të dielën ndeshen me Elbasanin. Kush është favoriti në këtë ndeshje? Partizani është favorit ndaj çdokujt. Gjithnjë do të jetë kështu, sepse është klubi më i mirë në Shqipëri.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"