EKSKLUZIVE/ “Kam shumë për të dhënë, karrierën dua ta mbyll në Vlorë”. Telushi: Kthim në shtëpi, Flamurtari e arrin elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2024 | 10:37

EKSKLUZIVE/ “Kam shumë për të dhënë, karrierën dua ta mbyll në Vlorë”. Telushi: Kthim në shtëpi, Flamurtari e arrin elitën

Bruno Telushi u rikthye në Vlorë pas 7 vitesh. Nuk vonoi shumë, as 24 orë, dhe u konfirmua lajmi i “Panorama Sport” për ish-kapitenin kuqezi. Mesfushori dje u prezantua zyrtarisht nga klubi dhe menjëherë iu bashkua ekipit. Nuk ka se si të mos jetë i lumtur për rikthimin në shtëpi.

telushi

Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”, Bruno Telushi thekson se veç dëshirës së tij, kishte edhe njerëz që këmbëngulën për rikthimin. Ish-kapiteni vlonjat nuk e fsheh dëshirën e tij që ta mbyllë karrierën në Vlorë, ndërsa beson se ngjitja e Flamurtarit në Superiore do të jetë e afërt.

Telushi, si ndiheni pas rikthimit në Vlorë te Flamurtari?

Jam shumë i lumtur që rikthehem në shtëpinë time, në familjen time që është Flamurtari. Dua të falënderoj presidentin Sinan Idrizi dhe të gjithë ata që ma mundësuan këtë rikthim.

Kush ju bindi për këtë rikthim?

Të gjithë nga pak kanë dhënë kontributin e tyre për këtë rikthimin tim te Flamurtari. Të gjithë nga pak bën atë punën tonë. Nga pak unë, presidenti Idrizi, djali i tij Ensari, pak tifozët. Kështu erdhi dhe rikthimi im.

Çfarë premtoni për të dhënë në skuadër?

Do të japë më të mirën time, që ekipi të shkojë aty ku e meriton dhe stadiumi “Flamurtari” të mbushet sa më shumë nga tifozët vlonjatë.

Keni pasur oferta nga skuadra të tjera gjatë këtyre ditëve?

Po, po. Është e vërtetë kjo. Kam pasur edhe disa oferta të tjera edhe nga vendet afër Shqipërisë, por zgjodha Flamurtarin dhe kjo nuk diskutohej. Edhe dëshira ime ishte të vija në Vlorë, aty ku kam filluar karrierën dhe që dua ta mbyll.

Kjo mund të quhet edhe një mbyllje e karrierës me Flamurtarin?

Unë kam shumë për të dhënë ende në futboll. Jam në formë dhe nuk më shkon mendja që të tërhiqem, por kuptohet, kam dëshirë që ta mbyll karrierën te Flamurtari.

Me këtë grup, a ngjitet Flamurtari në Superiore?

Grupi është shumë i mirë dhe mua më pëlqen shumë. Ka shumë cilësi dhe emra të njohur të futbollit. Klubi ka pjesën e vetë dhe çdo gjë është korrekt. Besoj se rikthimi në Superiore do të jetë shumë afër, shumë pranë. Është një objektiv i arritshëm.

Si e mbyllët aventurën me Elbasanin?

Të them të drejtën e mbylla vetë me dëshirë. E kam kërkuar unë largimin nga Elbasani për disa arsye të miat personale. Dua t’i falënderoj për çdo gjë që ata kanë bërë për mua. Edhe unë për ata kam dhënë maksimumin.

 

 

Skuadra

Vlonjatët rikthehen në stërvitje, u bashkohet edhe ish-kapiteni 

stervitje flamurtari

Pas një pushimi të shkurtër në prag të festës së Krishtlindjes, kuqezinjtë janë rikthyer sërish në fushën stërvitore. Flamurtari nisi dje me një grup të limituar përgatitjet pas tri ditëve pushim. Seanca është drejtuar nga zv.trajnerët, Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj, pasi trajneri Anderea Agostineli ndodhet në Itali pranë familjes për të kaluar festat e fundvitit. Edhe disa nga lojtarët “jabanxhinj” kanë që qenë pushim dje. Në stërvitjen e zhvilluar në fushën sportive në Pyllin e Sodës doli edhe afrimi më i ri i Flamurtarit, ish-kapiteni Bruno Telushi. Në vijim priten të tjera zhvillime në kampin vlonjat, pasi drejtuesit e kanë bërë të qartë që ekipi do të përforcohet në merkton e dimrit. Trajneri Agostineli, përmes një video-mesazhi nga shtëpia e tij në Itali ka uruar vlonjatët për festat e fundvitit dhe ka premtuar se skuadra do ta realizojë objektivin madhor, ngjitjen në Superiore.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"