EKSKLUZIVE/ “Katërshja është blinduar”, Bërsheni: Vllaznia në rrugën e duhur, Balaj më i miri i Superiores (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2025 | 20:39

EKSKLUZIVE/ “Katërshja është blinduar”, Bërsheni: Vllaznia në rrugën e duhur, Balaj më i miri i Superiores (E PLOTË)

Vllaznia dhe ecuria e saj këtë sezon kënaq këdo në Shkodër momentalisht, por edhe ata që jetojnë jashtë vendit.bersheniNjë prej tyre është edhe Lulzim Bërsheni, ish-mesfushori i famshëm i kuqebluve në vitet 1980- 1990. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai shprehet i gëzuar për momentin që po kalojnë kuqeblutë. Shkodrani analizon fitoren e fundit në klasike kundër Tiranës, ku po ashtu thekson se skuadra duhet të përmirësojë disa detaje pavarësisht se i shikon në rrugën e duhur.

Bërsheni, patët mundësi ta ndiqni ndeshjen e fundit Vllaznia-Tirana. Si ju duk në syrin tuaj?

Këto ndeshje janë të veçanta gjithmonë pavarësisht se Tirana momentalisht mund të jetë në gjendje jo të mirë. Këto sfida ngjallin gjithmonë interes dhe kjo u pa edhe në stadium, ku ishin më shumë tifozë se zakonisht. Mendoj se u zhvillua një ndeshje mbi mesataren dhe e kënaqshme për të gjithë ata që e ndoqën. Them se kualitetet individuale të Vllaznisë bënë diferencën.

E merituan kuqeblutë fitoren?

Një ekip që përmbys rezultatin, për mendimin tim e meriton gjithmonë fitoren. Vllaznia tregoi forcë reagimi në pjesën e dytë dhe me përkrahjen edhe të tifozëve arriti të merrte tri pikët, që them se në shtëpi duhet të jenë “detyrim” për vetë objektivat që ka skuadra.

Pse po shohim një Vllazni me “dy fytyra”, e tërhequr në pjesën e parë dhe dominuese në të dytën?

Ndoshta këto janë zgjedhje të trajnerit që në pjesën e parë ta presë dhe studiojë kundërshtarin. Kësaj radhe ndoshta qëlloi e gjetur, por mendoj se ekipi nuk duhet të lëshojë asnjëherë terren, pasi kishte momente ku Tirana mund të dyfishonte. E kjo do ta bënte shumë më të vështirë marrjen e pikëve pastaj.

Pra, ky është një aspekt që skuadra duhet ta përmirësojë?

Patjetër që po, ekipi duhet të futet që në fillim me idenë për të marrë kontrollin e lojës dhe jo të lejojë kundërshtarin të ketë hapësira dhe mundësi shënimi. Megjithatë, siç e thashë, këto janë zgjedhje taktike, çdokush mund ta mendojë dhe interpretojë ndryshe. Në fund të fundit s’ke çfarë kritikon shumë, sepse pikët janë marrë.

Është një vlerë e padiskutueshme Bekim Balaj. Me figura të tilla arrihet tek titulli, apo jo?

Bekimi (Balaj) është jo vetëm lojtari më me peshë te Vllaznia, por ai më me peshë në kampionat. Vetë karriera e tij flet dhe po ashtu çfarë ai tregon çdo javë në fushë. Jo vetëm për golat, por edhe shpirti dhe grinta që jep për fanellën e Vllaznisë. Një shembull për të gjithë dhe unë e vlerësoj edhe për sjelljen e tij, sepse e shoh që përkrah shumë edhe të rinjtë. Kjo tregon se ai është një kapiten i vërtetë që vë para objektivat e klubit dhe jo ato personale.

E ka siguruar Vllaznia, sipas jush, “Final 4”?

Me këtë ritëm them se katër skuadrat e para e kanë siguruar të gjitha. Por patjetër, s’ka asnjëherë vend për nënvlerësim, sepse nga sa kam parë, ekipet janë thuajse të barabarta. Gjithsesi, besoj se katërshja e parë e kampionatit ka kualitet dhe lojtarë me më eksperiencë sesa pjesa tjetër e ekipeve.

Vllaznia në mesjavë pret Besën për Kupë e më pas udhëton në Korçë për tu përballur me Skënderbeun në kampionat. Si i parashikoni?

Me sa di unë, tashmë shumë lojtarë janë kthyer nga dëmtimet dhe ekipi i Vllaznisë është më i plotë. Kështu që skuadra i ka mundësitë për të përballuar të dy kompeticionet. Them se Vllaznia do t’i kalojë me sukses të dyja ndeshjet dhe do të vijojë në rrugën e duhur si në kampionat, ashtu edhe në Kupë.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"