EKSKLUZIVE/ “Katërshja nuk do të ketë surpriza”, Patushi: Tirana u përdhos! Balaj një xhevahir, Vllaznia vuan në mbrojtje (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2025 | 22:05

EKSKLUZIVE/ “Katërshja nuk do të ketë surpriza”, Patushi: Tirana u përdhos! Balaj një xhevahir, Vllaznia vuan në mbrojtje (E PLOTË)

Saimir Patushi, një nga mesfushorët më të spikatur në Superiore në fund vitet 90 dhe fillim vitet 2000, ka analizuar së fundmi ecurinë e Superiores.PatushiNë një intervistë për “Panorama Sport” ai ka theksuar se për momentin nuk shikon surpriza në kampionat. E ndërsa thekson se shikon Tiranën në një situatë të komplikuar. Në fjalët e tij, ai ndalet në veçanti edhe te Vllaznia, ku me shkodranët ka fituar edhe një titull kampion në karrierën e tij. Patushi tregon se kuqeblutë janë në rrugën duhur e ndërsa duhet të përmirësojnë aspektin mbrojtës.

U mbyll java e 21-të e Superiores. Ndonjë surprizë për ty?

Nuk mendoj se kishte surpriza askund. Ekipet që priteshin për të fituar, fituan dhe besoj bindshëm. Duke mos lënë asnjë dyshim për performancën e tyre gjatë këtij raundi. Tashmë mendoj se katërshja e parë është përcaktuar dhe nuk besoj se do të ketë surpriza. Mbetet për tu parë si do të shkojë pjesa tjetër e kampionatit.

Ka ndonjë ekip që ju ka zhgënjyer?

Kë mund të them për zhgënjim përveç Tiranës. Më vjen keq gjendjen ku ka përfunduar skuadra dhe momenti që po kalon. Historia dhe gjithçka tjetër e klubit më të madh në vend po përdhoset. E këtë po e shohim nga java në javë dhe në çdo stadium ku po luajnë.

Sa e rrezikon Tirana rënien nga kategoria?

Me këto rezultate është shumë e rrezikuar për mbijetesën. Nuk e them vetëm për shifrat, por edhe për performancën që po zhvillojnë. Nuk të ngrohin dhe nuk të japin shpresë. Prandaj e shoh të rrezikuar dhe uroj të dalin nga kjo situatë sa më shpejt.

Kalojmë pak te Vllaznia, bindën shkodranët në këtë fillim viti 2025 apo jo?

Vllaznia vijon disi me ato uljet e ngritjet që ka shfaqur këtë sezon. Kjo pasi në pjesën e parë fillon gjithmonë me ritëm të ulët e lë shumë hapësira për kundërshtarin. Ndërsa në pjesën e dytë dominojnë dhe fitojnë ndeshjet. Por, e rëndësishme është fitorja dhe pikët. Ato patjetër kënaqin, por duhet më përqendrim dhe sakrificë për të arritur aty ku pretendohet.

Mund të përmirësojnë diçka në javët e ardhshme?

E kam thënë edhe më përpara që një problematikë te Vllaznia është mbrojtja. Duhet ta rregullojë këtë aspekt dhe të mos krijojnë hapësira. Pëson gola të lehtë që patjetër mund të ishin evituar me pak përqendrim e saktësi.

Sa luks është të kesh dikë si Bekim Balaj në ekip?

Është xhevahiri i skuadrës te kuqeblutë dhe një klas më vete. Askush në Superiore nuk e ka një lojtar të tillë dhe te Vllaznia janë me fat që kanë një futbollist të tillë. Po e bën më së miri detyrën e tij si lider dhe kapiten, që e shoh se mungon në ekipet e tjera.

Në fundjavë një përballje direkte Vllaznia-Egnatia. Si e mendoni dhe parashikoni këtë duel?

Është një ndeshje për tu shijuar në mendimin tim dhe besoj se do shfaqë nivel. Uroj që po ashtu të afrohen tifozët në stadium sa më shumë sepse po shohim që po i humbim nga java në javë. Pastaj kush fiton apo si do jetë rezultati do ia lëmë fushës sepse për parashikime nuk është se shquhem (qesh).

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"