EKSKLUZIVE/ “Katërshja thuajse e zyrtarizuar”, ish-sulmuesi Luçi: Kampionat “sakat”, Vllazninë e dua bio! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2025 | 20:37

EKSKLUZIVE/ “Katërshja thuajse e zyrtarizuar”, ish-sulmuesi Luçi: Kampionat “sakat”, Vllazninë e dua bio! (E PLOTË)

Roland Luçi, një nga figurat e njohura të futbollit në Shkodër, që prej vitesh jeton në Austri, ka analizuar së fundmi për “Panorama Sport” gjysmën e parë të sezonit të Superiores.LUCI

Ish-sulmuesi ka prekur disa tema të rëndësishme, duke u ndalur te performanca e skuadrave të elitës, në veçanti edhe te Vllaznia. Luçi jep disa këshilla dhe sugjerime për skuadrën kuqeblu, si dhe ndan një mendim për sfidën me Tiranën, që do të luhet të premten, në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Profesor, ka përfunduar gjysma e kampionatit në Superiore. Nga sa keni parë, çfarë ju ka tërhequr vëmendjen?

Nuk mund të them se e kam ndjekur në detaje kampionatin dhe di gjithçka rreth tij. Por në vija të përgjithshme mund të them se me formulën ekzistuese eksperimentale nuk pritej shumë nga ky kampionat. Me sa duket, dikush në FIFA dhe UEFA e ka imponuar këtë formulë, me federatën që gaboi duke e përsëritur atë. Duke u kthyer te pyetja me një përgjigje konkrete, kampionati lindi “sakat” dhe ashtu po zhvillohet.

Katër ekipet jo vetëm që thuajse janë zyrtarizuar për të famshmin “Final 4”, por më e keqja është se një situatë e tillë favorizon marrëveshjet dhe tolerimet mes klubeve. Kjo e dëmton rëndë jo vetëm kampionatin, por edhe moralin e futbollistëve që dashje pa dashje përfshihen në skema të tilla. Uroj që ky të jetë sezoni i fundit me këtë formulë dhe kampionati t’i rikthehet traditës.

Ndonjë ekip, apo lojtar, i cili ju ka lënë një shije pozitive?

Do të veçoja futbollistët këtu me aq sa kam ndjekur, ku për mua vijon simpatia e vjetër për Bekim Balajn. Por në momente të caktuara më ka pëlqyer edhe Rrapaj i Partizanit. Nuk mund të lë pa përmendur trajnerin aktual të Dinamos, Ilir Dajën, të cilin në një anketë të “Panorama Sport” të para disa viteve e propozova si trajner të Kombëtares shqiptare.

Si e shikoni faktin që tashmë ekipet e elitës do të kenë nga 7 të huaj në fushë, kurse sezonin 2025-26 numri i tyre do të jetë pa limit?

Jam i dëshpëruar nga një hap i tillë i FSHF-së, që shkatërron njehsimin e ekipeve të futbollit me truallin ku ata ekzistojnë. Me qytetet ku ato kanë lindur e janë konsoliduar si të tillë, jo nga të huajt, por nga djemtë tanë. Këtij rregulli i shtohet edhe papërgjegjshmëria, apo paaftësia e shumë drejtuesish klubesh që “verbohen” pas çdo futbollisti të huaj, që cilësisht mund të jetë mediokër, por thjesht vjen nga një vend me tradita në futboll.

Kjo largon masën futbolldashëse nga stadiumet dhe spektakli i pretenduar që mund të vijë nga të huajt deri më tani ka qenë inekzistent, me përjashtime sporadike. Dëmet me lënien pas dore të prodhimit futbollistik vendas janë më të mëdha se sa sukseset e pretenduara nga aktivizimi pa fre i të huajve. Dua të shtoj diçka: personalisht jam një simpatizant i Athletic Bilbaos.

Jo vetëm se është një klub i madh në Spanjë, ku ka fituar kampionate dhe Kupa, apo se edhe përkrah Barcelonës dhe Real Madrid janë ekipet që s’kanë rënë kurrë nga kategoria, por për një fakt edhe më të veçantë. Është një klub, që aktivizon vetëm lojtarë spanjollë dhe të lindur në rajonin bask. Është një shembull klasik që duhet ndjekur, shembull që të bën të dashurohesh me vlerat e vendit tënd

Kalojmë te Vllaznia. Si mund ta komentoni performancën e ekipit në gjysmën e parë të sezonit?

Vllaznia, si gjithë ekipet e tjera të 4-shes së parë, duhet përgëzuar që është aty. Dhe me shpresën që do qëndrojë aty deri në fund. Por stabilitet në lojë dhe rezultat nuk ka dhuruar, megjithëse siç thashë në fillim, jam pak i rezervuar për sa i përket kësaj pjese, sepse nuk i kam ndjekur të gjitha ndeshjet.

Shpresoj ta marrin seriozisht pjesën e mbetur të kampionatit, jo për qëndrimin në “Final 4”, por për ruajtjen e ritmit. Një dalje, rrëshqitje nga ky ritëm dhe do jetë e vështirë pastaj të rikuperohet në ndeshjet finale që do përcaktojnë edhe fituesin.

Çfarë mund të përmirësojë skuadra, një këshillë nga ana juaj?

Këshillat nga jashtë janë kollaj për t’u dhënë, por ndoshta edhe absurde. Sepse personat drejtues duhet t’i dinë pikat e forta dhe të dobëta të ekipit. Gjithsesi, mund të shpreh dëshirën për më shumë besim tek elementi vendas, shkodran, që në fakt te Vllaznia nuk mungon në krahasim me ekipet e tjera të Superiores.

Do të doja që suksesi të arrihej nga një ekip bio shqiptar dhe mundësisht shkodran. Kjo gjë do ta bënte krenar gjithë qytetin, me një Vllazni origjinale dhe jo me lojtarë të importuar.

Nëse do të vendosnit një notë, cila do ishte deri më tani?

Ndoshta nga përvoja e arsimit jam pak “dorështrënguar” në nota. Asnjë ekipi shqiptar aktualisht nuk do t’i vija më shumë se notën 7. Ndoshta një 8 për ekipin e Dinamos dhe po ashtu me pak “hatër” dhe Vllaznisë e Partizanit.

Kampionati rinis me Klasiken kundër Tiranës. Ndeshja e duhur për të treguar forcën?

Tirana e deritanishme është zhgënjyese, por në aspektin emocional është gjithmonë një superfuqi në futbollin tonë. Një fitore ndaj saj vlen gjithmonë më shumë se 3 pikë të “thata”. Po ashtu edhe anasjelltas, një fitore hipotetike e Tiranës ndaj Vllaznisë u vlen shumë edhe bardhebluve.

Në gjykimin tuaj, a premton kjo skuadër për titullin kampion me grupin aktual të lojtarëve?

Kampionati po zhvillohet sipas kësaj formule “interesante”, që mund të surprizojë këdo. Edhe një ekip mesatar që mbërrin në finale, i cili do ishte në një ditë të mirë dhe duke pasur edhe fatin sportiv me vete, mund të arrijë suksesin, duke “hedhur në erë” gjithçka të ndërtuar nga kundërshtarët më me emër dhe me merkato të shtrenjtë, apo të favorizuar në letër.

Si mund të përforcohesh në merkaton e dimrit me lojtarë të tjerë të panjohur dhe që do duan kohën e tyre të ambientohen në Shkodër, për mua kjo mbetet e dyshimtë. Prandaj mendoj se ruajtja e ritmit me ekipin ekzistues, me ndonjë ndryshim të domosdoshëm, mund të jetë rruga më e arsyeshme. Por të kuptohemi, jo patjetër garanton suksesin.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"