EKSKLUZIVE/ Kavajasit të vendosur për përforcime. Besa nis merkaton, një mesfushor francez në provë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2024 | 11:48

EKSKLUZIVE/ Kavajasit të vendosur për përforcime. Besa nis merkaton, një mesfushor francez në provë

Drejtuesit e Besës u treguan të pakursyer gjatë merkatos së verës, ku afruan 17 lojtarë, por ecuria aktuale ka treguar se në ekip ka vend për përmirësime në ekip. Pavarësisht se janari është larg, Besa ka nisur nën rrogoz të përzgjedhë dhe testojë futbollistët që dëshiron të marrë në janar.

kikonda besa

Në miqësoren ndaj Luzi 2008, trajneri Mirel Josa preferoi ta fuste madje titullar mesfushorin Mario Xhejson Kikonda për ta vëzhguar më gjatë e më mirë. Ky i fundit vjen nga Franca dhe në miqësoren ndaj Luzit dëshmoi nivel fizik, potencë, por nuk kishte përshtatjen e duhur me grupin, pasi luante për herë të parë. Ky është vetëm afrimi i parë, që nga stafi verdhezi deklarojnë se do testohet, vëzhgohet dhe pastaj do të jepet vendimi. Xhejson është 28 vjeç, luan në qendër të mesfushës dhe nga vera është pa ekip, pas largimit nga bullgarët e Botev Vratsa.

Merktoja e dimrit pritet të jetë e zgjeruar, pasi burime brenda klubit kavajas saktësojnë se do të ketë afrime në të tria repartet, që nga mbrojtja, mesfusha dhe sulmi. Në këto 12 javët e para trajneri Josa është bazuar thuajse te i njëjti formacion, ku nuk është besuar shumë te stoli. Në prapavijë vetëm qendërmbrojtësi Kapo është preferuar në një takim në Shijak, në mungesë të Goxhës. Në mesfushë me përjashtim të Gjinajt, që është preferuar në disa takime, mesfushorët e tjerë janë aktivizuar pak ose aspak.

Në sulm, treshja Mazrekaj-Kanu-Spahiu, ka mbetur e “gozhduar” dhe i riu Ibrahimi ka marrë pak minuta. Në stolin verdhezi ka mjaft futbollistë, por Josa nuk ka besuar edhe aq te ta. Në këto kushte, Bizhdili ka deklaruar se në janar do të ketë disa afrime, ku primar mbetet gjetja e një sulmuesi që garanton gola.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"