EKSKLUZIVE/ “Kemi forcën dhe besimin e duhur për të qenë të parët deri në fund”, Rrapaj: Partizani ka dy rivalë, nuk ndalemi (E PLOTË)
Me golin e shënuar në derbi i dha tri pikët dhe vendin e parë skuadrës së tij, e cila i pret tanimë më të qeta pushimet. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Arinaldo Rrapaj nuk i fsheh emocionet për golin dhe fitoren, për më tepër që në tribunë kishte një tifoz special, babanë.
Mesfushori mban me këmbë në tokë skuadrën dhe kujton se ka ende shumë javë përpara në kampionat, por sipas tij, Partizani i ka të gjitha mundësitë të mos e lëshojë më këtë pozicion. Sa i përket rivalëve, ai specifikon Vllazninë dhe Egnatian mbi të tjerat, ndërsa kërkon maksimumin edhe ndaj Laçit pas dy javësh. Rrapaj shkoi në kuotën e 4 golave në këtë sezon, po aq sa Bintsuka, dy goleadorët e ekipit.
Rrapaj, si ndiheni pas golit që vlejti tri pikë për Partizanin?
Ndihem shumë i lumtur personalisht që shënova golin e fitores, por më shumë jam i kënaqur që ndihmova ekipin për të marrë tri pikët. Ishte një ndeshje e rëndësishme, e vështirë, me Dinamon që është një ekip me mjaft cilësi.
Keni një dedikim për këtë gol?
Po, ia dedikoj familjes sime. Kisha edhe babin në stadium, e pashë që ishte i gëzuar shumë, normalisht edhe unë.
Kjo fitore ju dërgon të vetëm në krye të klasifikimit. Sa e rëndësishme është kjo për ju?
Kjo është diçka e rëndësishme, por gjithsesi nuk do të thotë asgjë, sepse ka shumë ndeshje të tjera akoma. Kemi përballje të vështira përpara, por për momentin do të pushojmë pak për shkak të ndeshjeve të Kombëtares dhe më pas t’i futemi punës për të marrë sa më shumë fitore deri në fund.
A mendoni se do ta ruani deri në fund kryesimin?
Normalisht që është e vështirë, sepse ka edhe ekipe të tjera shumë të mira. Megjithatë, mendoj se e kemi forcën dhe besimin e duhur dhe të gjithë djemtë punojnë në stërvitje dhe më pas në ndeshje japin maksimumin për ta mbajtur këtë pozicion.
Cilët shihni si rivalët më të fortë të Partizanit?
Mendoj se Vllaznia është një ekip me kualitete dhe ecuri, ashtu si edhe Egnatia. Këta mund të jenë konkurrentë të fortë në këtë kampionat.
Pas pushimeve luani me Laçin, si e prisni atë betejë?
Për ne nuk ka rëndësi se kë ekip kemi kundërshtar, ne jemi të fokusuar vetëm te vetja jonë. Do të japim maksimumin që me çdo kundërshtar që kemi përpara të marrim tri pikët, të jemi të përqendruar dhe të vetëdijshëm për atë që duhet të bëjmë në fushë, të shënojmë për të marrë fitoren.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"