EKSKLUZIVE/ “Klasikja” ndez javën e dytë, Miloti: Ja nga kush pres gol për fitoren kundër Tiranës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2024 | 20:44

EKSKLUZIVE/ “Klasikja” ndez javën e dytë, Miloti: Ja nga kush pres gol për fitoren kundër Tiranës (E PLOTË)

Vllaznia-Tirana e së dielës ndoshta nuk vjen me dy skuadrat në nivelet e tyre më të larta, por mbetet një nga sfidat më të bukura të Superiores. Jo më kot konsiderohet edhe “Klasikja e Shqipërisë”. miloti

Shkodranët vijnë në këtë ndeshje pas fitores me Partizanin në kryeqytet dhe janë më të motivuar për të triumfuar edhe ndaj Tiranës, që vjen pas barazimit në Laç. Edhe pse në javën parë pati një mungesë të theksuar të tifozëve në stadiume, në “Loro Boriçi” pritet të jetë ndryshe, sepse askush nuk do ta humbasë këtë sfidë.

Ish-sulmuesi Auron Miloti, i cili ka luajtur me të dy ekipet, është i bindur për spektaklin në tribuna dhe shpreson që të ketë spektakël edhe në fushë. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai shprehet se Vllaznia do ta përmirësojë lojën, por Brdariç nuk mund të dhurojë emocione si herën e parë që ishte në Shkodër, sepse ka lojtarë të tjerë. Miloti uron që të dielën të shënojë sulmuesi i ri Dodaj dhe t’i japë fitoren Vllaznisë.

Miloti, para pak ditësh startoi kampionati i 86-të i futbollit, si e patë debutimin e skuadrave?

Fillimi i kampionatit tregoi që ekipet e Superiores janë akoma në fazën e kolaudimit dhe nuk janë ende aty ku duhet. Mbeten edhe pak ditë edhe nga mbyllja e merkatos dhe besoj se kjo reflektohet edhe tek ekipet pjesëmarrëse. Kush më pak e kush më shumë po kërkon lojtarët e denjë për klubin e vet.

Në syrin tuaj, pavarësisht se është vetëm java e parë, a ka rënë niveli i kampionatit shqiptar?

Nuk mund të flasim për rënie të nivelit që në javën e parë. Për mua fillimi i çdo kampionati ka një emocion të veçantë. Mbart pritshmëritë, synimet dhe dëshirat që çdo skuadër kërkon të realizojë. Të gjitha këto të marra së bashku krijojnë atë emocionin, siç e theksova. E vetmja gjë që më bëri përshtypje në këtë javë të parë të kampionatit ishte mungesa e tifozëve në stadiume, që ul emocionet e garës dhe ndeshjeve.

Ndalemi te Vllaznia, që e nisi me fitore kudër Partizanit. E merituar?

Ishte një ndeshje që në fakt nuk ngjalli emocione në stadium për faktin se nuk kishte shumë tifozë, siç e thashë. Vllaznia u paraqit në këtë ndeshje pa 3 lojtarë kryesorë të saj. Për mendimin tim, Vllaznia udhëtoi drejt Tiranës për ta studiuar kundërshtarin gjatë zhvillimit të lojës, ekipi e bëri diçka të tillë dhe mori pikët e plota. Kjo besoj ishte Vllaznia e ndeshjes së parë të kampionatit.

Pse ekipi shkodran ndoshta nuk po dhuron atë nivel loje që kërkohet nga tifozëria, apo edhe që trajneri Brdariç e ka në stilin e tij?

Është akoma herët për të folur për lojë të bukur. Është fillimi i kampionatit dhe mendoj se ende skuadra s’ka marrë atë formën e duhur. Për mendimin tim, edhe pse është i njëjti trajner që para disa vitesh dhuronte lojë spektakolare në kampionat, sot ai ka lojtarë të tjerë. Si rrjedhojë, nuk mund të ofrojë të njëjtin stil loje edhe tani. Unë uroj që në ndeshjet e ardhshme Vllaznia të kënaqë tifozët shkodranë, si me rezultate, ashtu edhe me nivelin e lojës.

Në fundjavë vjen “Klasikja” mes Vllaznisë dhe Tiranës. Ju keni luajtur me të dyja skuadrat, si e shikon këtë duel?

Këto janë ndeshje të veçanta dhe që të japin një emocion tjetër. Deri tani në këto duele ndeshja ka qenë e bukur vetëm jashtë fushës dhe flas këtu për spektaklin e tifozëve. Shpresoj që këtë javë ndeshja të jetë e bukur edhe në fushë për t’u parë dhe jo vetëm në tribunat e stadiumit.

Një parashikim i Milotit dhe kush mund të shënojë kundër Tiranës?

Më pëlqen Kevin Dodaj. Do të doja që të shënonte ai si një futbollist i ri. E po ashtu t’i dhuronte fitoren Vllaznisë kundër Tiranës.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"