EKSKLUZIVE/ “Klubit i duhet menaxhim dhe njerëzit e duhur”, apeli i Malkos: Lushnja nuk bëhet me ngjyra politike, fajtori kryesor është bashkia
Saimir Malko, një “ikonë” e futbollit të Lushnjës flet për situatën te myzeqarët. Ish-kapiteni dhe ish-trajneri i verdhejeshilëve, për “Panorama Sport” thotë se duhet një organizim i përkryer për të ngjitur lushnjarët në Superiore.
Malko foli me nota pozitive për Erion Xhafën, që ka marrë drejtimin e Lushnjës. 54-vjeçari deklaroi se privatizimi do të ishte një arritje, ndonëse mendon se do të ishte më mirë me fondet e Bashkisë dhe donacionet. Malko kritikoi njësinë vendore, që ka lënë jashtë organikës figura të futbollit lushnjar.
Malko, si e vlerësoni sezonin e Lushnjës dhe çfarë të bën përshtypje?
Ka qenë një fazë e parë me shumë luhatje. Kanë humbur ndeshje shtëpiake, që në letër kanë qenë të thjeshta, me Erzenin dhe Valbonën. Kanë arritur edhe rezultate të mira. Fitorja e derbit me Apoloninë në Fier është një rezultat shumë i mirë. Është pozitive, që edhe faza e dytë nisi me fitoren ndaj Korabit.
Lushnja po luan sezonin e 7-të radhazi në Kategorinë e Parë dhe mban vendin e shtatë. Pse futbolli lushnjar nuk po ngre “kokë”?
Nuk besoj se edhe këtë sezon Lushnja është ndërtuar për elitën. Duhet një organizim i përkryer, që të bëjë hapin madhor dhe Lushnjën ta shohim aty ku na pëlqen të gjithëve, në Superiore. Besoj se nuk mjaftojnë vetëm financat, që me sa kam dijeni janë të konsiderueshme. Duhet një menaxhim i mirë dhe me njerëzit e duhur, që të japin llogari për dështimin dhe anasjelltas, për mbarëvajtjen e ekipit. Në futboll asgjë nuk është individuale, sepse të gjithë janë për një qëllim.
Në 2-3 sezonet e fundit janë ndërruar shumë trajnerë, por edhe organika e lojtarëve. A e ka dëmtuar kjo ecurinë e ekipit?
Është ajo që përmenda më lart, një grup njerëzish që punojnë për ekipin. Nuk duhet të bëhet “kokë turku” vetëm trajneri, por të gjithë ata që merren me menaxhimin e ekipit. Në Lushnjë ka plot njerëz të aftë për këtë punë. Nuk mendoj se trajnerët e ndërruar në 2-3 sezonet e shkuara kanë ndikuar në mbarëvajtjen e ekipit. Lojtarët largohen se shkojnë diku për më mirë. Dikush tjetër nuk e meriton atë fanellë.
Në pankinën e Lushnjës tani është ulur Erion Xhafa. Si duket skuadra në drejtimin e tij, ku në katër ndeshje ka dy fitore dhe dy humbje?
Me Xhafën jam kthyer edhe unë 100% tifoz. Është një djalë i përkryer dhe profesionist. Duhet ta përkrahim të gjithë. Të mos bëhen gabimet që kemi bërë ne me njëri-tjetrin, që e kishim ndarë ekipin e Lushnjës në pjesë. Një pjesë e Artan Banos, një pjesë e Ilirit dhe një pjesë e imja. Të mos më keqkuptojnë, sepse i kam miq shumë të mirë dhe kanë dhënë shumë për Lushnjën.
Tani të kthehemi tek Erioni?
Po bën një punë të mirë, por kërkon kohë që të aplikojë idetë e veta. Ekipi ka ndryshuar në zotërimin dhe qarkullimin e topit. Jam shumë i bindur se Erioni do të sjellë shumë ndryshime në ekip. Është një djalë që jeton me sportin.
Njësoj sikur ishte futbollist…?
Po të flisja për Xhafën nuk do të mbaroja. Po ashtu si futbollist, që e meritoi çdo gjë me djersë. Tani në rolin e trajnerit do të lërë gjurmët e veta. Duhet të jemi të gjithë krenar për të, pasi pas kaq kohësh kemi një djalë lushnjar në drejtimin e ekipit.
Klubi ka ndryshuar ndjeshëm infrastrukturën dhe është në proces privatizimi. A do të jap zgjidhje ky tjetërsim?
Ka ndryshuar infrastruktura dhe tani duhet të shohim te talentet e akademisë. Më të talentuarit të kenë një marrëveshje me klubin, që të mos ikin falas. Duhen kontrata afatgjata, që jo vetëm klubi të punojë për lojtarët, por të kenë interes të përbashkët. Privatizimi i klubit do të ishte një arritje për futbollin në Lushnjë, por besoj se është shumë e vështirë.
Përse e quani të vështirë?
Ta themi hapur. Ai që do të investojë, do të pyes në radhë të parë se çfarë lehtësirash do të ketë për investimin. Pra, do të kërkojë diçka. Lushnja më e sigurt është me fondet e bashkisë, plus donacionet e bizneseve, që janë dashamirës të futbollit. Kështu më duket më e arsyeshme, sepse nëse largohen investitorët futbolli shkrihet fare.
Pas një “saldimi” 7-vjeçar në të Parën, kur mund të vijë kthesa e shumëpritur për ngjitjen e Lushnjës në Superiore?
U bënë shatë vite në Kategorinë e Parë dhe në sezonet e fundit kemi rrezikuar të biem edhe më poshtë. Kemi shpëtuar me ndeshje shtesë. Unë jam dakord, që bashkia ka detyrimet e veta, por te futbolli duhet të vendosë njerëzit e duhur. Nuk e di se si mund të rrinë jashtë organikës futbollistike shumë figura që kanë bërë historinë për atë fanellë. Mjaft më! Duhet kuptuar që futbolli nuk bëhet me ngjyra politike. Prandaj dhe jo më kot kemi 7 vite larg elitës. Po vazhduam kështu, edhe 17 vite të tjera do të sillemi në të njëjtën mënyrë dhe nuk do të gjejmë kurrë një fajtor. Po them vetëm një shembull: A nuk duhet të ishte Artan Bano pjesë e drejtuesve të klubit? Kush më shumë se ai i ka dhënë futbollit lushnjar? E pse e dallojmë nga ngjyrat. Harrojmë që ngjyrat e Lushnjës janë jeshile. As të kuqe e as blu. Dhe sa të tjerë ka, dhe të më falin. Pra, të gjithë jemi dakord, që fajtori kryesor është bashkia.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"