EKSKLUZIVE/ “Kombëtarja është rritur, duhen objektiva të tjerë”, flet ish-bomberi Kapllani: Manaj më i pjekur, ka bërë ndeshjen më të mirë me Shqipërinë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2024 | 19:15

EKSKLUZIVE/ “Kombëtarja është rritur, duhen objektiva të tjerë”, flet ish-bomberi Kapllani: Manaj më i pjekur, ka bërë ndeshjen më të mirë me Shqipërinë (E PLOTË)

Kombëtarja është gati për të luajtur mbrëmjen e sotme, ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve. Në prag të kësaj sfide, opinionet e një ish-sulmuesi si Edmond Kapllani janë mëse të vlefshme.

Edmond-Kapllani

Analizë e ndeshjes me Ukrainën dhe komplimente për Ismajlin dhe Manajn. Kapllani ka për “Panorama Sport” edhe një koment për ndeshjen me Gjeorgjinë, që do të nisë sot në orën 20:45 në “Air Albania.”

Si ishte paraqitja e Kombëtares me Ukrainën, e prisnit një fitore?
Të them të drejtën, ishte një ndeshje që personalisht mua më tregoi që skuadra është me këmbë në tokë. Duke parë që skuadra është rritur, duhet të arrijë akoma më shumë objektiva, siç arriti Kampionatin Europian, duhet të arrijnë akoma më shumë. Kjo na jep një shpresë euforie dhe ne specialistëve, por edhe tifozëve.

Zakonisht kemi kaluar ne të parët në avantazh dhe nuk e kemi ruajtur, por këtë herë pësuam dhe arritëm ta përmbysim, sa shenjë pozitive është kjo?
Patjetër që është një shenjë pozitive. Shenjat pozitive i kemi treguar edhe në Kampionatin Europian, ku pretenduam të arrinim pak më shumë, luajtëm me personalitet. Edhe në ndeshjen e kaluar, pas shënimit të golit nga Ukraina nuk e humbën personalitetin, por vazhduan para. Edhe fati ishte me ne, sidomos te goli që bëri Ismajli. Për mendimin tim, Shqipëria tregoi jo vetëm forcë morali, por edhe forcë personaliteti, sepse luajti gjatë 90 minutave me personalitetin e duhur.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?
Më bënë përshtypje shumë gjëra, por kryesorja dua të bëj një kompliment për lojtarët, siç është Ismajli apo edhe Manaj. Për mendimin tim Ismajli tregoi karakterin e tij sportiv duke qenë se u grumbullua në Europian dhe siç tregoi dhe mërzitjet e tij që nuk mori asnjë minutë aty, këtu tregoi që është për tu marrë shembull. Ndërsa për Manajn mund të them se sakrifikon jashtëzakonisht shumë për këtë skuadër. Sipas meje ka bërë ndeshjen më të mirë të tij, të paktën aq sa e kam parë unë në Kombëtare. Edhe pse nuk ka shënuar, ai e ka mbajtur ekipin tonë shumë lart në shumë situata, jo çdo sulmues bën sakrifica si ai, dhe për këtë duhet komplimentuar.

Çfarë ka ndryshuar me të, nuk kemi më një Manaj egoist?
Manaj është i pjekur, tregon personalitet në fushë, luan me forcë. Shumë specialistë më parë nuk e prisnin që Manaj mund të luajë edhe me shpinë nga kundërshtari. Ai ka treguar edhe në ndeshjen me Kroacinë në Europian, edhe në këtë ndeshje, madje këtë ndeshje mund të them që 67% të dueleve i ka fituar dhe kjo është shumë gjë e mirë për një sulmues. Patjetër që sulmuesi duhet të bëjë gol, por do të vijë edhe momenti i tij për të shënuar.

Si e shihni ndeshjen me Gjeorgjinë?
Ndeshja me Gjeorgjinë pres të jetë pak a shumë njësoj, sepse do të jetë i njëjti intensitet. Mos të harrojmë që Gjeorgjia mundi Çekinë para dy ditësh, është ekip pak më ndryshe sepse luan në një sistem me 5 mbrojtës, janë shumë të ngjeshur dhe mundohen të luajnë me presion pozitiv kundërsulmi. Gjeorgjia ka një ekip që e ka marrë euforinë e duhur në Europian dhe po vazhdon akoma, njësoj si ne. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por jo e pamundur. Do të jetë ndeshje intensive, që do kilometra, do forcë dhe në momentin e duhur të shënojmë gol.

Edhe pse është herët, a shkon ky grup në Botëror?
Është shumë herët për ta thënë. Ne jemi një komb i vogël që kemi një skuadër të mirë, një gjeneratë të mirë këto dy vite dhe për 5-6 vitet e ardhshme. Por, duhet të jemi me këmbë në tokë, duhet t’i shohim ndeshje mbas ndeshje, nuk pretendoj të jap një objektiv që ndoshta është i paarritshëm. Objektivi momental është që çdo ndeshje të mundohemi të japim maksimumin, t’i hedhim hapat një nga një. Sepse ne jemi komb i vogël, nuk e kemi të detyrueshme të jemi në Botëror, patjetër që ne e duam si kompeticion, por kjo kërkon kohën e vetë. Lojtarët duhet të kenë ecuri sa më të mirë tek ekipet e tyre, në mënyrë që të japin një kontribut dhe perfomancë sa më të mirë edhe në Kombëtare.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"