EKSKLUZIVE/ Korabi në krizë, Canaj nuk e harron penalltinë e vlonjatëve: Pamjet filmike nuk u mundësuan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2024 | 11:04

EKSKLUZIVE/ Korabi në krizë, Canaj nuk e harron penalltinë e vlonjatëve: Pamjet filmike nuk u mundësuan

Korabi i Peshkopisë nuk e ka nisur mirë sezonin 2024-2025, ku pas 7 javëve mban vendin e nëntë me 5 pikë. Gjithsesi, niveli i lojës i treguar nga dibranët në këtë periudhë nuk përputhet me pozicionimin. Këtë gjë e pohon edhe trajneri Agim Canaj në skanerin e tij gjatë prononcimit për “Panorama Sport”, pasi Korabi ka zhvilluar lojëra me nivel.

agim canaj llaznia

Tekniku i skuadrës dibrane i referohet ndeshjes së fundit zhvilluar ndaj Flamurtarit, pas një penalltie të dyshimte në dëm të ekipit të tij.

“Është për të ardhur keq, sepse skuadra ka ardhur duke bërë ndeshje të bukura, sikurse ajo ndaj Flamurtarit, që ishte më e mira e zhvilluar deri tani duke kaluar dhe në avantazh. Ajo për të cilën na vjen keq është një penallti shumë e diskutueshme e dhënë në favor të Flamurtarit. Pamjet filmike nuk u mundësuan për shumë faktorë, pasi ndeshja nuk u transmetua. Nga rezultati jemi të zhgënjyer, por jo nga loja. Djemtë dhanë maksimumin dhe kjo na jep besim për vazhdimësinë.

Për momentin, jemi në një situatë të vështirë, në krizë rezultatesh, por jo në aspektin e lojës. Ajo që po na mundon është faza sulmuese. Ndryshimet në vijën e sulmit pas dëmtimit të Markut dhe Çemës kanë ndikuar. Këta luajtën vetëm ndeshjet e fillimit, sepse më pas u dëmtuan dhe lojtarët që i zëvendësuan nuk kanë qenë në nivelin që kërkohet. Kjo na ka penalizuar mjaft. Kemi krijuar raste, por jo gola. Lajm i mirë është që së shpejti lojtarët e dëmtuar po rikuperohen”, u shpreh trajneri Canaj.

Ndërkaq, në ndeshjen e radhës në kampionat, dibranët do të udhëtojnë drejt Tropojës, por më parë do të duhet të zhvillojnë në mesjavë ndeshjen e parë të Kupës, ku presin Veleçikun.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"