EKSKLUZIVE/ Kukësi aktiv në merkato, zbulohen emrat e dy lojtarëve që presin kalimin në Kazakistan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2024 | 18:25

EKSKLUZIVE/ Kukësi aktiv në merkato, zbulohen emrat e dy lojtarëve që presin kalimin në Kazakistan

Edhe pse Kukësi ndodhet në Kategorinë e Parë dhe për më tepër në një pozicion që nuk synon ngjitjen në Superiore, sërish nuk i mungojnë elementët cilësorë që kanë spikatur në nivelin individual. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht në burime pranë klubit verilindor, se kanë nisur “sirenat” e para për lojtarët e saj, që mund të shiten jashtë vendit në merkaton e janarit.

kukesi

Bëhet fjalë për dy futbollistë në fazën ofensive, mesfushori me tipare sulmuese Françesko Hasaj dhe sulmuesi Mario Beshiraj. Gazeta mëson se kjo dyshe futbollistësh është drejt shtegtimit në kampionatin kazak, pasi ka interesim nga klubet atje.

Mësohet se për Hasajn bisedimet janë në fazë të avancuar dhe brenda pak ditësh pritet edhe mbyllja përfundimtare e marrëveshjes. Edhe pse detajet nuk bëhen ende të ditura nga burimet, por gjasat janë që blutë të përfitojnë të ardhura dhe të mos e lënë të largohet si lojtar i lirë. E njëjta situatë është edhe me kapitenin Mario Beshiraj, që gjithashtu ka pasur interes nga skuadrat kazake, por bisedimet janë aktualisht në fazë fillestare.

Hasaj dhe Beshiraj kanë qenë dy prej titullarëve të padiskutueshëm të këtij edicioni dhe ndër të paktët futbollistë që treguan besnikëri ndaj klubit edhe në Kategorinë e Parë. Mosha e re e të dyve duket se ka intriguar klubet jashtë vendit, ndaj janë të gatshme për të kryer një operacion transferimi. Hasaj ka luajtur deri më tani me blutë në 14-të takime dhe ka shënuar dy gola, ndërsa Beshiraj në 17-të ndeshje ka gjetur rrugën e rrjetës gjashtë herë, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës.

MERKATO – Nëse çdo gjë shkon sipas planeve dhe Hasaj me Beshirajn largohen, lind detyra që Kukësi të bëjë një merkato më të fuqishme nga sa e kishte menduar më herët. Të ardhurat që mund të sjellë kjo dyshe do të investohen për të përforcuar grupin aktual që drejtohet nga Emiljano Çela. Mësohet se verilindorët i kanë piketuar me kohë lojtarët, ku një pjesë të tyre i dëshiroi që në verë, por grumbullimi vetëm një javë para nisjes së kampionatit dhe mbylljes së merkatos, nuk i dha mundësinë drejtuesve të rinj të bënin përforcimet që dëshironin.

Burimet pohojnë se afrimet do të jenë nga porta në sulm, pasi e shohin si mënyrën e vetme për të qenë konkurrues për pjesën e mbetur të sezonit. Synimi është që mbijetesa të mos vihet në diskutim, por nga ana tjetër edhe të bëhen përpjekjet për të shkuar në zonën e “play off”.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"